Erich Auerbach*
Lexuesit e Odisesë e mbajnë mend shumë mirë skenën prekëse dhe të mirorganizuar tek Kënga XIX ku Odiseu më së fundi mbërrin në shtëpi, skena në të cilën shërbëtorja plakë Euriklea, e cila kishte qenë dadoja e tij, e njeh atë falë një plage në kofshen e tij. I huaji ka bërë për vete dashamirësinë e Penelopës; kërkesës së tij për mikpritje ajo i përgjigjet duke i thënë shërbëtores të lajë këmbët e mysafirit, gjest i cili në të gjitha historitë e vjetra është detyra e parë e mikpritjes ndaj një udhëtari të rraskapitur. Euriklea është e zënë duke marrë ujë dhe duke përzier ujin e ftohtë me atë të ngrohtin, duke folur në të njëjtën kohë në mënyrë të brengosur për mungesën e padronit të saj, i cili me shumë mundësi ishte i të njëjtës moshë me mysafirin dhe i cili ndoshta, njësoj si mysafiri, tash duhet të ishte duke u endur ndokund, një i huaj. Ajo vuri re se sa në mënyrë mahnitëse mysafiri i ngjante atij. Ndërkaq Odiseu, duke kujtuar shenjën e tij, u zmbraps nga drita. Ai e dinte se paçka përpjekjeve për ta fshehur identitetin e tij, Euriklea tash do ta njihte, por ai dëshironte që së paku Penelopa mos të vihej në dijeni të këtij fakti. Sapo gruaja plakë preku plagën e Odiseut, në gëzim e sipër, i leshoi këmbët e Odiseut në legen, uji u derdh jashtë, ajo ishte gati duke qarë nga gëzimi. Odiseu e përmbajti me kërcënime të përshpëritura dhe me përkëdhelje; ajo u kthye në vete dhe i fshehu emocionet e saj. Penelopa, vëmendjen e së cilës parashikimi i Athinasë e kishte devijuar nga ndodhia, nuk kishte vërejtur asgjë.
E gjithë (tregimi) kjo rrëfehet në mënyrë të përpiktë dhe me një stil të ngeshëm. Dy gratë i shprehin ndjenjat e tyre në një ligjërim të bollshëm dhe të drejtpërdrejtë. Sado që janë ndjenja, vetëm me një përzierje të lehtë të konsideratave më të përgjithshme mbi fatin njerëzor, lidhja sintaksore midis pjesëve është përsosmërisht e qartë, asnjë kontur nuk është mjegulluar. Në rrëfim gjendet, gjithashtu, vendi dhe koha për një përshkrim të organizuar, përsosmërisht të mirartikuluar, njëtrajtshmërisht të ndriçuar, të orendive, shërbimeve dhe të gjesteve. Madje edhe në momentin dramatik të njohjes (së identitetit të Odiseut), Homeri nuk mbetet pa i thënë lexuesit se ishte me dorën e tij të djathtë që Odiseu e kapi gruan plakë prej fyti për t’i ndaluar asaj të flasë, në të njëjtën kohë që me dorën e tij të majtë e afroi atë afër vetes. Qartësisht i skicuar, kthjelltësisht dhe njëtrajtësisht i ndriçuar, njerëzit dhe gjërat shfaqen në një sferë ku gjithçka është e dukshme. Jo më pak të qarta – tërësisht të shprehura, të organizuara madje edhe në zjarrminë e tyre- janë edhe ndjenjat dhe mendimet e personave të përfshirë.
Në përmbledhjen time të ndodhisë, kam lënë mënjanë deri më tani një seri të tërë versetesh të cilat e ndërpresin atë në mes. Gjenden më shumë se shtatëdhjetë të tilla – dyzetë prej tyre i janë kushtuar ndodhisë në vetvete përpara ndërprerjes dhe dyzet verseteve të tjera pas saj. Ndërprerja që vjen pikërisht në momentin kur shërbëtorja njeh plagën e Odiseut – d.m.th. në momentin e krizës- përshkruan origjinën e shenjës, një aksident gjuetie që kishte ndodhur gjatë fëmijërisë së Odiseut, në një gjueti derrash, gjatë kohës së vizitës tek gjyshi i tij, Autoliku. Kjo ndërprerje jep, së pari, mundësinë për të informuar lexuesin rreth Autolikut, shtëpisë e tij, gradës së përpiktë të lidhjeve familjare midis tyre, karakterit të tij dhe jo më pak në mënyrë shteruese dhe prekëse, sjelljes së tij pas lindjes së nipit. Më pas vjen historia e vizitës së Odiseut – tashmë një djalë i ri- shkëmbimi i përshendetjeve, banketi i shtruar për të, fjetja dhe ecjet, ngritja herët për gjueti, gjurmimi i kafshës, lufta, plagosja e Odiseut nga çatalli i derrit, shërimi i tij, kthimi në Itakë, pyetjet e shqetësuara të prindërve të tij- gjithçka rrëfehet sërish me një përshkrim kaq të plotë të të gjitha elementëve të historisë dhe bashkëkomunikimit të tyre, sa për të mos lënë asgjë në errësirë. Vetëm atëherë narratori i kthehet dhomës së Penelopës, vetëm atëherë, kur digresioni e përmbush detyrën, Euriklea, e cila e kishte njohur shenjën e Odiseut para se të fillonte digresioni, i lë këmbët e Odiseut të bien në legen.
Mendimi i parë i lexuesit modern – se ky është një mekanizëm për të shtuar suspansën – është, për të mos thënë krejtësisht i gabuar, së paku jo shpjegimi thelbësor i procedurës së përdorur nga Homeri. Elementi i suspansës është shumë i pakët në poemat e Homerit, asgjë në stilet e tyre nuk është i llogaritur për ta mbajtur lexuesin apo dëgjuesin pa frymë. Digresionet nuk kanë si qëllim të mbajnë lexuesin në suspansë, por përkundrazi të lehtësojë tensionin. Kjo ndodh shpesh, si në rastin e ndodhisë së marrë në shqyrtim nga ne. Historia e gjuetisë, gjerësisht e rrëfyer, magjepsëse, mprehtësisht e formuar, me gjithë elegancën dhe vetëmjaftueshmërinë e saj, me pasurinë e përfytyrimeve idilike, ka si synim ta bëjë lexuesin për vete, për sa kohë ai është duke e dëgjuar historinë, për ta bërë atë të harrojë çfarë sapo kishte ndodhur gjatë ngjarjes së larjes së këmbëve. Por një episod që dëshiron të shtojë suspansën përmes ngadalësimit të aktit, duhet ndërtuar në një formë të tillë që të mos e mbushë krejtësisht të tashmen. Ai nuk do ta vendoste krizën, zgjidhja e së cilës pritej, krejtësisht jashtë mendjes së lexuesve, duke shkatërruar në këtë mënyrë gjendjen e suspansës. Kriza dhe suspansa duhet të vazhdojnë, duhet të qëndrojnë drithëruese në sfond. Por Homeri- kësaj do t’i kthehemi në vijim- nuk njeh asnjë sfond. Ajo çka ai rrëfen është në çastin e rrëfimit e vetmja e tashme dhe e mbush plotësisht si skenën ashtu edhe mendjen e lexuesit. Kështu ndodh edhe me ndodhinë e marrë në shqyrtim në këtë ese. Kur Euriklea e re (v. 401 e në vazhdim) e vendos, pas banketit, foshnjen Odise në prehrin e gjyshit të tij, Euriklea e moshuar, e cila disa vargje më parë kishte prekur këmbët e udhëtarit (Odise), është zhdukur krejtësisht nga skena dhe mendja e lexuesve.
Gëtja dhe Shileri, ndonëse nuk i referohen posaçërisht kësaj ndodhie, kanë shkëmbyer ne prill të vitit 1797 disa letra rreth subjektit të “elementit vonues” në poemat e Homerit në përgjithësi. Ata e vendosnin këtë element në kundërshtim të drejpërdrejtë me elementin e suspansës. Kjo fjalë e fundit nuk është përdorur prej tyre, por nënkuptohet qartësisht ku procedura “vonuese” i kundërvihet, si diçka tipike për epikën, procedurës së tragjedisë (Letrat e 19, 21 dhe 22 prillit). Më duket se “elementi vonues”, “ecejakja tutje-tëhu” përmes episodeve, është në kundërshtim me çdo orvatje për tension dhe suspansë që synon një objektiv dhe padyshim që Shileri është i saktë rreth Homerit kur pohon se ajo që ai na servir është “thjesht eksperienca e qetë dhe funksionimi i gjërave në përputhje me natyrën e tyre”; qëllim i Homerit “është tanimë i pranishëm në çdo pikë të përparimit të tij”. Si Gëtja, ashtu edhe Shileri, e kanë ngritur procedurën e Homerit në nivelin e një ligji për poezinë epike në përgjithësi dhe fjalët e lartpërmendura të Shilerit janë konceptuar si universalisht shtrënguese për poetin epik, në dallim nga tragjikja. Sidoqoftë, si në botën moderne ashtu edhe në kohët e lashta ekzistojnë vepra të rëndësishme epike që janë prodhuar kudo pa “elementin vonues”, por duke përdorur suspansën, e cila gjithmonë “na grabit nga liria e emocioneve tona” – të cilën Shileri ia garantonte vetëm poetit tragjik. Paçka kësaj, mua më duket e paprovueshme dhe e pagjasë që kjo procedurë Homerike të jetë drejtuar nga ndonjë konsideratë estetike apo nga ndonjë ndjenjë estetike e llojit të postuluar nga Gëtja dhe Shileri. Efekti, sigurisht, është ai që ata kanë përshkruar dhe është, veç kësaj, burimi aktual i konceptit të epikës të përkrahur nga ata, dhe së bashku me ta edhe të gjithë shkrimtarëve të ndikuar nga antikiteti klasik. Por mua më duket se arsyeja e vërtetë e përshtypjes së “vonimit” qëndron diku tjetër, d.m.th. në nevojën e stilit të Homerit për të mos lënë asgjë nga çka ai përmend në gjysmerrësirë dhe të parrëfyer.
Excursus-i mbi origjinën e plagës së Odisesë në themel nuk është i ndryshëm nga pasazhet e shumta në të ciliat futja e një personazhi të ri, apo madje edhe të një objekti apo instrumenti, qoftë edhe në rastet kur ai është në mes të luftës së ashpër, përshkruhet në natyrën dhe origjinën e tij. Apo kur në shfaqjen e një zoti ne na thuhet se ku kish qenë ai herën fundit, çfarë po bënte atje dhe përmes cilës rruge ai mbërriti në skenë. Në të vërtetë, kam përshtypjen se madje edhe epitetet homerike, në analizë të fundit, i shërbejnë të njëjtës nevojë për përshfaqje të fenomenit në terma të perceptueshëm për ndjenjat. Këtu kemi rastin e shenjës së Odisesë, e cila shfaqet gjatë rrëfimit; ndjenja e Homerit nuk e lejon atë ta shohë shfaqjen e plagës nga errësira e një të kaluare të pazbardhur. Ajo duhet vënë nën driçim të plotë dhe së bashku me të edhe një pjesë e djalërisë së heroit. Njësoj si në rastin kur, gjatë Iliadës, anija e parë po digjej dhe më në fund Mirmidonët bëhen gati t’u vinë në ndihmë, gjendet ende kohë jo vetëm për një similitudë të shkëlqyer me ujqërit, jo vetëm për organizimin e rradhëve të Mirmidonëve, por edhe për një rrëfim të detajuar të origjinës së disa liderëve vartës (16, v. 155 e në vazhdim). Pa dyshim, efekti estetik i prodhuar është vërejtur shpejt, pas kësaj edhe është kërkuar në mënyrë të ndërgjegjshme; por shkaku më i vërtetë qëndron në impulsin themelor të stilit të Homerit, d.m.th. paraqitja e fenomeneve në një formë krejtësisht të eksternalizuar, të dukshme dhe të prekshme në të gjitha pjesët e tyre dhe krejtësisht të fiksuara në marrëdhëniet e tyre kohore dhe hapësinore. Nga kjo nuk përjashtohen as proceset psikologjike, edhe në këtë fushë asgjë nuk duhet të qëndrojë e fshehur dhe e pashprehur. Me një plotshmëri maksimale, me një rregull që madje as pasioni nuk e trazon, personazhet e Homerit i shfryjnë ndjenjat e tyre më të brendshme në fjalë; atë që ata nuk ua thonë të tjerëve ia thonë vetes, asisoj që lexuesi të bëhet me dije për këtë. Shumë gjëra të tmerrshme ndodhin në poemat e Homerit, por rrallë ato ndodhin në heshtje: Polifemi i flet Odiseut; Odiseu u flet mëtonjësve kur ai fillon t’i vrasë ata; Hektori dhe Akili flasin gjatë me njëri-tjetrin, para dhe pas lufte; dhe nuk ka asnjë ligjëratë, sado të mbushur me zemërin dhe përçmim, që të bëjë të mungojnë ose të jenë jashtë vendit pjesëzat të cilat shprehin lidhjet logjike dhe gramatikore. Ky vrojtim i fundit është i vërtetë, natyrisht, jo vetëm për ligjërimin por edhe për përshkrimin në përgjithësi. Elementët e ndryshëm të fenomeneve janë vendosur qartësisht në marrëdhënie me njëra-tjetrën; një numër i madh lidhëzash, ndajfoljesh, pjesëzash dhe mjetesh të tjera sintaksore, të gjitha qartësisht të përcaktuara dhe delikatisht të diferencuara në kuptim, vendosin kufijtë e personave, sendeve dhe pjesëve të ndodhive me njëra-tjetrën dhe në të njëjtën kohë i sjellin ato së bashku në një lidhje të vazhdueshme dhe gjithnjë fleksibël. Si, p.sh., fenomenet e veçanta në vetvete, marrëdhëniet e tyre – kufizimet e tyre kohore, lokale, shkakore, qëllimore, rrjedhimore, krahasuese, lejore, antitetike dhe kushtore janë sjellë në dritë në plotshmëri të përsosur. Kështu që një procesion i vazhdueshëm ritmik i fenomeneve nuk kalon asnjëherë, dhe asnjëherë nuk gjendet një formë e lënë në mënyrë fragmentare apo gjysëm të ndriçuar, në ndonjë boshllëk, çarje, apo një thellësi e paeksploruar.
Ky procesion fenomenesh ndodh në plan të parë- d.m.th. në një të tashme kohore dhe hapësinore e cila është absolute. Dikush mund të mendojë se digresionet e shumta, lëvizjet e shpeshta para e mbrapa, do të krijonin një lloj perspektive në kohë dhe hapësirë; por stili i Homerit nuk ta jep asnjëherë një përshtypje të tillë. Mënyra me të cilën mënjanohet përshtypja e perspektivës mund të shihet qartë në procedurën e paraqitjes së episodeve, një konstrukt sintaksor me të cilin çdo lexues i Homerit është i familjarizuar; ai është përdorur në pasazhin e marrë në shqyrtim nga ne, por mund të gjendet, gjithashtu, edhe në rastet kur episodet janë shumë më të shkurtra. Fjalës “plagë” (v. 393) së pari i është bashkangjitur një fjali e thjeshtë (“të cilën dikur shumë kohë më parë një derr i egër…”), e cila zgjerohet në një parantezë të dendur sintaksore; brenda kësaj ndërhyn në mënyrë të papandehur një fjali e mëvetësishme (v. 396 “Një Zot vetë ia dha atij…”), e cila e veçon veten nga varësia sintaksore, derisa, me versetin 399, një tjetër trajtim i përmbajtjes së re, njësoj i lirë nga ana sintaksore, fillon një të tashme të re, e cila vazhdon e pasfiduar derisa, me versetin 476 (“Gruaja plakë tani e preku atë…”), skena e cila ishte ndërprerë, rifillon sërish. Për të qenë i saktë, në rast episodesh kaq të gjata, sa ky i marrë në shqyrtim nga ne, një lidhje pastërtisht sintaksore me temën qendrore vështirë se do kish qenë e mundshme; por një lidhje me të përmes perspektivës do të kishte qenë mëse e lehtë, nëse përmbajtja do të ishte organizuar me këtë synim në mendje; d.m.th. nëse krejt historia e shenjës së Odiseut do të kishte qenë paraqitur si një kujtim, i cili zgjohet në mendjen e Odiseut në këtë çast specifik. Do të kishte qenë krejtësisht e lehtë për ta bërë këtë, mjafton që historia e shenjës të ishte vendosur dy versete me herët, gjatë përmendjes së parë të fjalës shenjë, kur motivet “Odise” dhe “rikujtim” ishin tashmë të pranishme. Por çdo procedurë e tillë perspektiviste-subjektiviste, krijimi i planit të parë dhe një sfondi, që rezulton në të tashmen që qëndron e hapur ndaj thellësive të së kaluarës, është krejtësisht e huaj për stilin e Homerit. Stili i tij njeh vetëm një plan të parë, vetëm një të tashme uniformisht të ndriçuar dhe objektive. Kështu që, ekskursi fillon vetëm dy rreshta më vonë, kur Euriklea zbulon shenjën e Odiseut – mundësia për një lidhje perspektiviste nuk ekziston më, historia e plagës shndërrohet në një të tashme të pavarur dhe ekslusive.
Karakteristika e stilit të Homerit bëhet edhe më e qartë kur krahasohet me Biblën, një tjetër stil epik, njësoj i lashtë, që vjen nga një tjetër botë formash. Unë do të përpiqem të bëj një krahasim të Homerit me rrëfimin biblik të sakrificës së Isakut, një narrativë homogjene e prodhuar nga i ashtuquajtur elohist. Verseti hyrës i kësaj historie është si vijon: “Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: “Abraham!” Ai u përgjegj: “Ja ku jam”. (Zanafilla 22:1). Ky fillim historie na befason kur ne vijmë tek ai pas analizës së Homerit. Ku janë dy folësit? Kjo nuk na thuhet. Lexuesi, gjithsesi, e di se normalisht ata nuk gjenden së bashku në një vend të Tokës. Se një prej tyre, Zoti, në mënyrë që t’i flasë Abrahamit, duhet të vijë nga ndokund tjetër, të hyjë në sferën tokësore nga ndonjë lartësi apo thellësi e panjohur. Prej nga vjen ai, prej nga e thërret Ai Abrahamin? Kjo nuk na thuhet. Ai nuk vjen si Zeusi apo Poseidoni, nga Etiopët ku kishte shijuar një festë flijimi. Po ashtu nuk na thuhet asgjë rreth arsyeve të Zotit për të tunduar Abrahamin në mënyrë kaq të tmerrshme. Ndryshe nga Zeusi, Ai nuk i ka diskutuar motivet në një seri ligjërimesh me zota të tjerë të mbledhur në këshill dhe as vendimet e zemrës së tij nuk na bëhen të ditura. Në mënyrë të papandehur dhe të mistershme, ai ndërhyn në skenë nga një lartësi apo thellësi e panjohur dhe prej atje thërret: Abraham! Mund të thuhet se kjo duhet shpjeguar përmes konceptit të veçantë që hebrenjtë kishin për Zotin dhe që ishte krejtësisht i ndryshëm nga ai i grekëve. Kjo është mëse e vërtetë, por nuk përbën asnjë objeksion. Si duhet shpjeguar koncepti hebre për Zotin? Madje edhe Zoti i tyre i hershëm i shkretëtirës nuk ishte i fiksuar në formë dhe përmbajtje, dhe ishte i vetëm. Mungesa e paraqitjes, e banesës dhe unitetin i Tij, jo vetëm që u ruajt, por edhe u zhvillua më tej në konkurrencë me zotat relativisht më të dukshëm të popujve të botës së Lindjes së Mesme. Koncepti i Zotit i mbështetur nga hebrenjtë është më shumë se sa një shkak, është një simptomë e mënyrës së tyre të të kuptuarit dhe të paraqiturit të gjërave.
Kjo bëhet më e qartë nëse ne e drejtojmë vëmendjen tek një tjetër person në dialog, Abrahami. Ku është ai? Këtë nuk e dimë. Në të vërtetë ai thotë: “Ja ku jam” – por fjala hebraike nënkupton vetëm diçka si “ja shihmë” dhe në çdo rast nuk ka si synim të tregojë vendin real ku Abrahami ndodhej, por është më shumë një pozicion moral në lidhje me Zotin, i Cili e thirri atë – ja ku jam duke pritur udhëresën Tënde. Se ku ndodhet ai në të vërtetë në Barsheba apo gjetkë, në shtëpi apo jashtë, është dicka që nuk është thënë. Kjo nuk i intereson narratorit, lexuesit nuk i vihet në dispozicion ky informacion. Në të njëjtën errësirë është lënë edhe fakti se çfarë ishte duke bërë Abrahami kur Zoti e thirri atë. Për të kuptuar dallimin, le të marrim në konsideratë, përshembull, vizitën që Hermesi i bëri Kalipsos, ku urdhëri, udhëtimi, mbërritja dhe pritja e mysafirit, gjendja dhe puna e personit të vizituar, janë vënë në pah në shumë versete. Madje edhe në rastet kur zotat shfaqen befas dhe për një kohë të shkurtër, qoftë për të ndihmuar të favorizuarin e tyre apo për të mashtruar apo shkatërruar ndonjë vdekatar që ata e urrejnë, format e tyre trupore dhe zakonisht edhe mënyra e ardhjes dhe ikjes së tyre, është dhënë në mënyrë të detajuar. Sidoqoftë, këtu Zoti paraqitet pa formë trupore (e përsëri ai “shfaqet”), duke ardhur nga ndonjë vend i paspecifikuar – ne dëgjojmë vetëm zërin e Tij, dhe nuk shpreh asgjë tjetër veçse një emër (Abraham), një emër pa një mbiemër, pa një epitet përshkrues për personit të cilit i drejtohet thirrja, siç është e zakonshme në adresim homerik. Edhe për Abrahamin nuk thuhet, gjithashtu, asgjë përveç fjalëve në të cilat ai përgjigjet Zot: Hinne-ni, ja shihmë, me të cilat, për të qenë të saktë, sugjerohet një gjest më prekës që shpreh bindjen dhe gatishmërinë, por që i është lënë lexuesit ta përfytyrojë . Mbi të gjitha, dy folësit nuk janë në të njëjtin nivel: nëse e konceptojmë Abrahamin në plan të parë, ku mund të jetë e mundur për ta përfytyruar atë si të gjunjëzuar ose të përkulur me krahë të shpalosur apo duke vështruar së lartmi, Zoti as aty nuk gjendet. Fjalët dhe gjestet e Abrahamit janë të drejtuara drejt thellësisë së peizazhit ose së lartmi, por në asnjë rast vendi i errët dhe i papërcaktuar nga i cili zëri vjen tek ai nuk është në plan të parë.
Vijon
*Përktheu: Rezart Beka.
Marrë nga Erich Auerbach, “Odysseus’ Scar” from “Mimesis: The Representation of Reality in Western Literature”, trans. Willard R. Trask. Princeton, 1953, repr. 1974, chapter one.
Milosao
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply