Shëndetësi – Cila është sëmundja e njohur ndryshe si “e rruazave të bardha të gjakut” që shkakton mes njerëzve shumë frikë e pasiguri.Duke i besuar aksiomës “të dish është gjithnjë më mirë se sa të mos dish”, më poshtë do të njiheni me simptomat e leucemisë, shkaqet dhe mundësitë e kurimit të saj
Me këtë term përcaktohet grupi i sëmundjeve tumorale që prekin rruazat e bardha të gjakut, të cilat karakterizohen nga ndryshimet e mekanizmave që rregullojnë proceset e tyre. Leucemia klasifikohet në bazë të tipologjisë së qelizës së përfshirë: mieloide dhe limfoide. Leucemia prek më shumë meshkujt se sa femrat, ndërsa ajo ndahet në akute dhe kronike.
Leucemia kronike përparon ngadalë me rritjen dhe shtimin e qelizave tumorale në gjak. Leucemia akute ndodh atëherë kur rruazat e bardha e kryejnë punën e tyre normalisht, por nga ana tjetër shtohen me shpejtësi brenda një kohe shumë të shkurtër. Leucemia shkakton temperaturë, dhembje të kyçeve dhe humbje peshe.
Edhe njollat në lëkurë janë simptomë e leucemisë. Diagnoza e hershme është vendimtare. Shihini më në detaj shkaqet dhe simptomat e leucemisë.
Simptomat
Simptomat fillestare të leucemisë kronike mund të mos shfaqen, sepse qelizat e prekura nuk interferojnë në mënyrë të tepërt me funksionet e të tjerave në trup. Në atë akute, në fakt, mund të shfaqen në mënyrë të përshpejtuar dhe evoluojnë me shpejtësi ekstreme. Temperatura, ethet, djersitja gjatë natës, lodhja, ndjesia e dërrmimit, dhembjet e kockave, kyçeve, humbja e peshës, përhapja e infeksioneve të ndryshme, janë disa nga simptomat të cilat shfaqen te personat e rritur me leucemi.
Ndërsa te fëmijët, leucemia manifestohet me një gjakderdhje të lehtë, shpretkë të zgjeruar dhe me nyje limfatike të fryra. Tipologjinë e shfaqjeve e përcakton spostimi i qelizave leucemike që sipas lokalizimit të tyre rreth organizmit, mund të shkaktojnë shqetësime të ndryshme. Kur prekin organe të tilla si stomaku, venat, mushkëritë ose sistemin nervor, provokojnë keqfunksionimin me problematika specifike.
Megjithatë, këto simptoma të leucemisë kanë nevojë që të diagnostikohen shumë saktë nga ana e mjekut specialist, sepse janë të njëjta edhe me sëmundje të tjera.
Shkaqet
Nuk ka asnjë agjent të njohur specifik përgjegjës për sëmundjen e leucemisë, por besohet se shkaqet e saj mund të gjenden te disa faktorë. Substancat kimike të tilla si ato tretëse me ngjyrë si dhe rrezatimi jonizues janë faktorë rreziku. Shkak i leucemisë është edhe trashëgimia. Nëse dikush në trungun familjar ka vuajtur nga leucemia, shanset për ta trashëguar këtë sëmundje janë shumë herë më të madha.
Megjithatë, ky faktor është i rrallë. Faktorë mund të bëhen edhe shpërthimet atomike, radioterapia, radiografitë e ndryshme, kimioterapia për qëllime të ndryshme etj.
Kura
Terapia e leucemisë varet nga stadi i fazës së sëmundjes, kronike ose akute, përveçse nga mosha e personit në kohën e diagnostikimit. Në trajtim, mund të parashikohen më shumë terapi në rend ose në kombinim. Kura e leucemisë parashikon përdorimin e kimioterapisë.
Kundër tipologjisë mieloide dhe kromozomit Philadelphia, përdoren antitrupi monoklonal i njohur me emrin Imatinib. Në disa forma të patologjisë përdoret interferoni, për të ngadalësuar rritjen e qelizave kancerogjene. Ndërkaq, nëpërmjet analizës spinale, mjeku mund të largojë një pjesë të lëngut cerebrospinal (lëngu që mbush hapësirën brenda dhe rreth trurit dhe palcës kurrizore).
Mjeku përdor një gjilpërë të gjatë, të hollë, për të larguar lëngun nga pjesa e poshtme e shpinës. Procedura zgjat rreth 30 minuta dhe zhvillohet me anestezi lokale.
N.A
Gazeta Shqip
Leave a Reply