
Ka disa javë që Rozi është në prehjen time! E mësova lajmin e rëndë nga kolegia jonë Shpresa Vrana e cila jeton po në Boston dhe komunikonte së afërmi me Rozin. Nuk më besohet akoma, jo pse ajo do ishte e pavdekshme, po se ishte ca e shpejtë ftesa që beri Zoti për ta marrë në Perandorinë e Tij!
Një grua si Rozi kishte akoma shume për të thënë e për të bërë megjithëse e ka shtrydhur veten duke shkruar në të gjitha gjinitë dhe mundësitë e saj. Njeriu sa më shumë jeton, aq më shumë eksperiencë krijon, ka se ç’të tregojë, natyrisht!
Ajo ishte një grua plot virtyte pozitive qe do mbetet në kujtesën tonë shumë gjatë.
Duke qenë në fushën e krijimtarisë, ajo nuk e ndali punën as në momentet kur e goditi sëmundja e rëndë e të shoqit, mikut të vëllait tim, dr. Viktor Theoharit. Plagën që ju krijua ajo e rrymoi në lumin e krijimtarisë së begatë.
Do mbetet i paharruar për ne takimi që patëm në Boston me rastin e 100 vjetorit të Fan Nolit. Nuk pushonim së treguari, së qeshuri, së vrapuari, së fotografuari. Fytyra e saj me shprehjen e bukur dhe buzëqeshjen natyrale, ishte një dhunti që e zbukuronte së tepërmi dhe shkonte paralel me boten e saj të brendshme.
Me pamjen e një gruaje të kujdesshme, ajo rrethohej nga simpatia dhe respekti në komunitetin shqiptaro-amerikan. Ishte anëtare e kishës së Shën Gjergjit, për këtë ishte krenare! Kisha e Fan Nolit ka lozur dhe luan një rol të madh për shqiptarët e Bostonit, sot drejtohet me përgjegjësi nga i nderuari At Artur Lion. E falenderoj At Arturin, për modestinë e tij se mban lidhje dhe korrespodencë në raste speciale me familjen time.
Rozi ishte një nga aktivistet kryesore, e pamë këtë nga afër kur u takuam në eventet që organizoi, Lidhja jone e Shkrimtarëve.
Ka shumë vjet që unë komunikoja me Rozin nëpërmjet botes internetike, duke i qëndruar afër njëra-tjetrës, me biseda mendime dhe telefonata. Ishte kënaqësi të kishe miqësi dhe të shkëmbeheshe me Rozin. Fjala dhe mendimi i saj shoqërohej me një mënyrë aq të natyrshme e plot çiltërsi, që të bënte për vete.
Dhimbja e këtyre ditëve të vështira për kolegen tonë, m’u mblodh dhe unë i kushtova disa vargje, Rozit tonë: Asnjë nga ne nuk do jetë këtu përherë, po tani është radha e saj të shprehim atë ç’ka ndjejmë, si shoqe, si kolege, si bashkëkombëse në Amerikën e largët!
T’u bëftë sa më e lehtë vuajtja e dashur Rozi! Mbi ballin tënd qofshin duart e engjëjve! Do na mungosh shumë!
Rozi Theohari, drejt rrugës së Perjetësisë!
Rozi, o queen of beauty, you did inspire us,
Looking at your spirit, our heart filled ëarm
Your mind was rich, your heart also as amber!
You are going to sleep soon, to be under altar,
I sent my prayer to Lord, glory to infinite life!
Një shoqe me shpirt flori po na shuhet shpejt
Një zonje e rrallë, nuk do jetë më midis nesh.
Ajo bija dardhare shkrihet çdo orë si sheqer
Një frymëmarrje e bukur do kthehet në eter!
Rozi e mira jonë, madhështore dhe e thjeshtë
Ishe grua e veçantë të njohu Bostoni këto vjet.
Një patriote e ngrohtë dhe një kolege e vërtetë
Rënkon rëndë në shtrat, shuhet drita e jetës!
Ti shoqe fisnike, që kishe tharmin e bukurisë
Kishe dhuntinë të shkruash, të rrezatosh dritë.
Kaluan me lotë në sy, vitet e tua të fëminisë
Ndaj e përcolle urtësinë, me penën e magjisë!
Nise hapat me optimizëm në tokën amerikane
Dhe erdhe u vendose, tek ishte brumi dardhar
Mendove do shfaqej diku, hija ëndërr e babait…
Dhe ai si mërgimtar, këtu ngrysi ditët e vajit!
Prej teje dhe Bostoni, mësoi mallin e legjendës
Ti ecje me kokën lart, thurje dhimbjet e zemrës.
Rralle vijnë gra, mendje mprehta e plot hijeshi
Do mungosh e dashur, jo kushdo ka ato dhunti!
Ku erdhi ra kjo bombë dhe të plasi ty në duar,
Nga ajo mostër e keqe, nuk ke për të shpëtuar!
Ishe zonjë e brishtë, dhimbjet ktheve në mirësi
Ashtu ishe e brumosur, në gjene e trashëgimni!
Betejë e fundit kjo! Askush nuk të del në krah
Të gjithë atje do shkojmë, fajtorë e të pafajshëm
Ne lutemi për ty, mikja ime Rozi, faqe trandafile
Të marrshin në krahë engjëjt, në qiellin plot hir!


Leave a Reply