
Shumë informacione të transmetuara brez pas brezi si fjalë veshi, ndikimi i shoqërisë apo ndotësia informative e ditëve të sotme pengojnë prindërit e rinj të edukojnë fëmijët e tyre në mënyrën e duhur. Po cilat janë gjërat e gabuara të cilat deri tani i kemi konsideruar si të drejta?
Ja gabimet e njohura si të vërteta në lidhje me shëndetin e fëmijës:
• Fëmija nuk duhet të merret shumë në krahë, sepse mësohet keq. Ju duhet ta merrni fëmijën tuaj të porsalindur shpeshherë në krahë për ta ushqyer, për ta ndërruar, për ta puthur, përkëdhelur e folur me të. Kjo është shumë e rëndësishme për lidhjen e sigurisë e të dashurisë mes nënës dhe fëmijës. Një fëmijë nevojat e të cilit janë plotësuar siç duhet që kur ka lindur, do ta ketë më të lehtë të mësohet më vonë me regjimin e gjumit dhe ushqimit. Veçanërisht 3 muajt e parë duhet ta mbani shpesh në krahë.
• Fëmija i shëndoshë është i shëndetshëm. Shëndoshja nuk është shëndet, por shenjë e sëmundjeve. Pastaj ajo është përcaktuar si shkaktare e shumë sëmundjeve si hipertensioni, forcimi i enëve të gjakut, diabeti, çrregullimet ortopedike, skuqjet, infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, çrregullimet psikologjike të shfaqura si në fëmijëri ashtu dhe gjatë adoleshencës. Një fëmijë i ushqyer në mënyrë të ekuilibruar është i shëndetshëm edhe nëse është i dobët.
• Akullorja të sëmur. Produktet e ngrira dhe të freskëta si akullorja duhet të konsumohen nëse janë përgatitur në përshtatje me rregullat shëndetësore dhe pasi është parë data e skadencës. Akullorja duhet të hahet pas buke. Kështu nuk bëhet shkak i nxënies së oreksit të fëmijës dhe nuk shfaqen dhimbje barku për shkak të rënies në stomakun bosh të një produkti të ftohtë. Hahet ngadalë dhe duke e lëpirë, mund të konsumohet bashkë me qumësht; nuk shkakton skuqje të fytit.
• Fëmija duhet veshur trashë që të mos ketë ftohtë. Veshja trashë e fëmijëve nxitur nga shqetësimi se mos ftohet shkakton djersitjen dhe sëmurjen e tyre.
• Ftohet nëse bën banjë. Fëmijët nuk sëmuren nga banja. Madje edhe fëmija i sëmurë kur bën banjë ndihet më mirë, i zhbllokohen hundët, hidhen jashtë djersa dhe toksinat e trupit. Duhet pasur kujdes vetëm gjatë periudhës kur fëmija është i sëmurë të mos bëhen banja të shpeshta.
• Shurupet për hapjen e oreksit janë të dobishëm. Shpeshherë përballemi me reklamat e shurupeve që të hapin oreksin. Nëse fëmija nuk pasqyron një rritje të shëndetshme dhe nuk ushqehet mirë, atëherë mund të këshillohet përdorimi i disa vitaminave vetëm pas kontrollit mjekësor. Ilaçet e alergjisë dhe ato hormonalë mund të bëjnë efekt anësor në rritjen e oreksit. Prandaj këshillohet mospërdorimi i tyre nga fëmijët.
• Është ftohur? Është me grip? Ftohja apo rrufa janë sëmundje infektive të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që shfaqen shpesh në shoqëri. Gjatë ndryshimit të klimës dhe temperaturave të ajrit shfaqen shumë viruse. Madje edhe gjatë teshtitjes së personave të sëmurë mikrobet e përhapura në ajër mund t’u ngjiten personave të shëndoshë nëpërmjet hundës, gojës apo syrit. Në kopsht fëmija mund të preket nga mikrobet e marra nëpërmjet lodrave. Kjo nuk ka lidhje me erën e ftohtë apo temperaturat e ulëta.
• Vjell sepse është ftohur në stomak. Sëmundjet e stomakut dhe zorrëve shkaktohen nga viruset dhe bakteret, nuk kanë lidhje me ftohjen. Shfaqen me shenja si dhimbje barku, të vjella, përzierje, nxjerrje gazrash. /Start/Aisa Kokiçi/
http://www.gazetastart.com


Leave a Reply