-Nga Ymer Hysa-
Familja e saj erdhi nga Lushnja dhe u vendos në Gjorëm të Krujës sot Gjorëm Kurbin, pikërisht në Lagjen e re Kamp në vitin 1958. Babaj i saj Murat Gecaj ishte oficer në kampin e të burgosurve, të cilët në atë kohë punonin në ndërtimin e uzinës së superfosfatit në Laç. Vjollca ishte fëmija e tretë e familjes, kishte një trup të bukur dhe nga viti në vit hidhte shtat si një lastarë dhe shfaqte kurdoherë pasionin për këngën dhe kërcimin
Vjollca kujton me nostalgji vitet e saj në shkollën 8 vjeçare “Dan Bajrami” në Gjorëm ku mësuesve të muzikës Violeta Mema dhe Muhamet Doda do u binte në sy talenti i saj për këngën dhe vallen duke qenë kurdoherë një soliste e veçantë në këngë dhe një valltare e bukur. Ajo kujton jo vetëm përgëzimet e mësuesve të muzikës, por edhe të gjithë mësuesve që asaj i dhanë mësim dhe mbështetje.
“Aty hodha hapat e parë drejtë artit të këngës e valles” do të shprehej ajo.
Pas përfundimit të shkollës do të punësohej në Ndërmarjen Bujqësore Gjorëm në Vatrën e Kulturës dhe do të angazhohej në Ansamblin “Albulena” të NB Gjorëm
Angazhimi i saj si këngëtare dhe valltare tërheq vëmendjen e profesionistëve që shumë shpejt do ta angazhonin në Ansamblin “Skëndërbeu” dhe Vjollca çdo 5-vjeçar do të ishte pjesmarrëse në festivalet folklorike të Gjirokastrës Ajo krejt modeste flet më shumë për pjesëmarrësit e tjerë të grupit folklorik se për vete, por ne bashkohësit e kujtojmë valltaren virtuoze dhe këngëtaren e spikatur Vjollca Greca.
Ajo është pjesmarrëse në festivalin e Gjirokastrës që në vitin 1988 me këngë si soliste, në grup e në valle, ku edhe nderohet nga Juria e Festivalit që varej nga Ministri Kulturës si Laureate e Festivalit dhe që nga ajo kohë nuk i ndahet më Ansamblit “Skënderbeu” në Krujë, me të cilin në vitin 1989 do të bënin një turne artistik në Ankara të Turqisë me ftesë të Ansamblit të Ankarasë,
Artistja Vjollca Greca Allajbej ka marrë pjesë në 6-të festivale folklorike të zhvilluara në Gjirokastër ku është paraqitur me këngë e valle, qoftë edhe si soliste disa herë. Asaj ju besua të këndojë këngën “Ninulla” me tekst të Poetit të madh Gjok Beci.
Vjollcën do ta shohin nëpër festivale me këngë jo vetëm si soliste por edhe në dyet, kuartet, kompleks dhe në grup. Ajo kujton “Vashat e Kurbinit”, “Dasma e Malësis së Kurbinit”, “Broj Broj” në dyet, “Linxhe moj” në dyet, “Vasha të bukura rrit Arbnia” kompleks, “Bukatore” soliste, “Ninulla” tre herë soliste. “Qëndisja Flamurit” kuartet, “Tir Nana tir” shoqeruse, “Moj e mira e Malësisë” dyet etj.
Ajo ka marrë pjesë edhe në Festivalin tipologjik të valles në Lushnje ku u vleresuan me çmim të parë në valle dhe nga ku u ftuan edhe nga një shoqatë kulturore e Italisë. Ajo tregon për pjesmarrjen e saj edhe në disa festivale jashtë vendit, si Turqi. Mal të Zi. Maqedoni e Vetiut, Greqi, Zvicër. Kosovë. Itali, ku në këtë të fundit mbas festivalit nuk u kthye më në Shqipëri.
Por dhe pse jeton mes Italisë dhe Shqipërisë si qytetare italo-shqiptare ajo nuk e len mbas dore folklorin, pasi e kishte në shpirtë dhe ishte rritur me të,
“Jam krenare që kam lindur në tokën e Mirditës dhe rritur në zemër të Kurbinit, dhe pse rrënjët e mia jan nga një vend tjetër siç është Lushnja hambari i Shqipërisë me njerëz të punës të artit e të kulturës, ku nga aty kan dalë yje të skenës, si è madhja e këngës Vaçe Zela, ikona e kinemasë Margarita Xhepa, Pavlina Mani Artistja e teatrit dhe kinemasë etj. Jam me fat që kam rrënjët nga ky vend, dhe kam me se të mburrem se nga vij dhe kam pse krenohem se ku dhashë gjithë kontributin tim në folkun tonë të bukur të Kurbinit”.
Ajo kujton me shumë nostalgji daljen në skenë në Krujë dhe flet me shumë optimizëm për planet e saj në vazhdim. “Isha vetëm 9-të vǰ̣eçe me gupin e valles së fatosave, që atëherë unë nuk hoqa dorë më nga aktivitetet kulturore. Kam bërë disa këngë ku spikat albumi im që është në përfundim e sipër më 10 këngë të miat, me tekst dhe muzika po nga unë. Gjithashtu po përgatitem për disa klipe, dhe atë ëndërr që kam dua ta ralizoj. Dua të bëj një koncert recital, dhe të ardhurat që mblidhen ti kaloj tek femijët jetim dhe te ata me aftësi të kufizuar. Kam.shumë besim tek vetja, meqenëse jam edhe Ambasadore e Paqes e shoh si detyrim moral të jap kontributin tim dhe në këtë fushë ashtu siç kam dhënë edhe në folklor. Me besim te Zoti dhe te vetja, si dhe nga mbeshtetësit e mi, ata miq që më japin kurajo për të realizuar këtë gjë të bukur. Tani po përgatitem për koncertin në Top channel te emisioni “Gurra Popullore”, ku edhe kam këngë si soliste “Ninulla”, aty ku fillon jeta te ai Djep i vogël, por që rrit djem petrita e vajza si zana, aty ku i këndohet krenarisë, trimërisë, fisnikërisë, burrërisë, Atdheut, aty ku i këndohet Shqiponjës dhe Flamurit”.
Këto janë disa nga arritjet dhe synimet e Vjollcës. Por jo vetëm kaq, ajo kudo ka shkuar ka edhe mbresat e saj që i kanë lënë gjurmë të thella në kujtesë. Ka mbresa të bukura nga festivali në Rapsha në Tuz të Malit Zi, ku profesor Ramazan Bogdani e thirr dhe e pyet ’’Zonjë një fotografi dua të bëj me ju. Shkëlqeve sonte tamam si ai kostumi popullor që mban veshur, sa vjeçar është ai kostum se duket që është origjinal’’
Ajo kujton edhe pjesmarrjen në Brindisi të Italisë, ku në atë festival kostumi i saj tërhoqi vëmendjen e fotogafëve.
Ashtu me atë modestinë që e karakterizon artistja kurbinase Vjollca Greca e ndan suksesin e saj edhe me bashkëpunëtorët ndër vite duke gjetur kohë ti falenderojë të gjithë që nga drejtuesit e pallatit të kulturës së Laçit z. Mal Berisha, i cili i ka dhënë mbështetje që në moshën më të re, falenderon znj. Mara Nikolli e cila me shumë dashuri dhe përkushtim punoi me të gjithë artistët, falenderon poetin Viktor Gjikolaj me të cilin ka konsultuar të gjithë tekstet e këngëve, falenderon artistin Kol Zefi, për bashkëpunim, skenografen Eglantina Murataj, kolegun Kurt Lika me njohje që nga 1988 kur ishin në Festivalin Folklorik të Gjirirokastrës dhe mbi të gjitha i është mirënjohes familjes së saj, veçanërisht djalit që është krahu i saj i djathtë që e mbështet financiarisht për nevojat që ka në këngë e klipe. “Ti Mami ke lindur me talent, si për këngë, valle e poezi, dhe ajo që ti Mami im ke më të bukur eshte shpirti yt i madh që e kalon si normë talentin. Këndo sa të jesh gjallë”.
Laç, me 1 nëntor 2025




Burimi/Facebook


Leave a Reply