Ndue Gjon Jaku është strategu që shkroi emrin e tij në historinë ushtarake të Shqipërisë si Komandanti i fundit i Flotës Luftarake Detare.
Për ata që e njohën nga afër, ai nuk ishte thjesht një ushtarak me uniformë dhe dekorata, por një strateg i heshtur, një studiues rigoroz dhe, mbi të gjitha, një kapiten që diti të navigonte nëpër stuhitë më të egra të kohës.
Ndue Jaku u lind në Mirditë më 17 prill 1941.
Shkollën 7-vjeçare e ka bërë në Dajç dhe Lezhë, ndërsa shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë e përfundoi në vitet 1953-1957.
Në vitin 1957, studioi në Shkollën e Lartë Ushtarako-Detare”Sergei Kirov”në Baku të Azerbaxhanit, asokohe pjesë e BRSS, por prishja e mardhënieve shqiptaro-sovjetike e detyroi ti ndërpresë ato në vitin e fundit dhe ti vazhdojë në Vlorë, në Shkollën e Lartë të Marinës.
Gjatë gjithë kohës së studimeve u shqua si studenti më i sukseshëm. Si rezultat u diplomua dhe u emërua “oficer kuverte, shturman” me gradën “Toger”.
Ndue Jaku studioi në Kursin e Lartë për oficer Shtabi pranë Shkollës së Lartë të Flotës Luftarake Detare (FLD).
Në vitet 1974-1976 kreu studimet në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, edhe këtu me rezultate të shkëkqyera.
Po këto rezultate arriti edhe në periudhën 1979-1981, në Kursin e Lartë të Filozofisë.
Në vitin 1988, mbrojti gradën shkencore “Doktor i Shkencave” (Kandidat i Shkencave Ushtarake), duke qenë ndër të paktët ushtarakë që kishin arritur deri atëhere të mbronin një gradë shkencore.
Pas emërimit u caktua në detyrë, në ishullin e Sazanit, fillimisht shturman i minaheqëses të madhe me komandant Spiro Koten (hero i popullit), e më pas komandant skuadrilje.
Në vitin 1970, emërohet Shef i Shtabit të Flotiljes në Vlorë.
Në vitin 1974, u emërua Komandat i parë i BUD, Sarandë.
Në vitin 1977 u emërua Komandant i BUD Shëngjin, dhe në vitin 1979, në moshën 38 vjeçare emërohet Komandant i Përgjithshëm i Flotës, duke qene kështu ndër ushtarakët shqiptarë me karrierën më të shpejtë e më të plotë në Shqipërinë e asaj kohe.
Edhe në detyrë ishte komandanti më jetëgjatë i FLD.
Periudha kur ai drejtoi FLD, ishte ndër më të vështirat, sidomos për faktin se mungonte ndihma nga jashtë për mirëmbajtjen e teknikës.
Megjithatë ai arriti ta kryente me sukses detyrën e tij, dhe megjithe mungesat gadishmëria dhe aftësia e FLD nuk u vu asnjëherë në diskutim.
Kështu ndodhi në vitin 1986, gjatë incidentit të anijeve të FLD me një flotilje të Flotës së VI-të amerikane e cila u supozua se shkeli ujrat tona territoriale. Manovrimi i anijeve tona ishte i shkëlqyer dhe detyroi përfundimisht anijet amerikane të dilnin prej ujrave territoriale të njohura prej nesh.
Gjatë kësaj periudhe u kryen studime te shumta teknike, dhe u arrit që në Kantierin e Riparimit të Anijeve në Pashaliman të përfundojë projekti i prodhimit të katrit silurues.
Ndue Jaku u dorëhoq nga posti i tij, në datën 27 shkurt 1991, për arsye të kundërshtimit të tij me sjelljen që Shtabi i Përgjthshëm i Ushtrisë do të bënte në lidhje me eksodin e shqiptarëve të kësaj kohe drejt Italisë. Ai nuk pranoi që FLD të përdorej si forcë policore kundër popullit që kërkonte të largohej. Ai mendonte se FLD si pjesë e Ushtrisë Popullore duhet ti shërbente popullit dhe jo të përleshej me të.
Pas dorëheqjes u emërua nga Kryeministri Fatos Nano pedagog në Akademinë Ushtarake.
Pas një viti u lirua nga ushtria me pretekstin e mbushjes së moshës 50 vjeç, 5 vjet përpara se të arrinte moshën e atëhershme të pensionit.
Gjatë viteve të shërbimit aktiv është dekoruar 5 herë.
Ndue Jaku e ka mbyllur kapitullin e tij ushtarak me dinjitetin e lartë të një oficeri që nuk e humbi kurrë busullën morale, duke hyrë në histori si Komandanti i fundit i Flotës Luftarake Detare. Ai diti të gërshetojë shkencën ushtarake me urën e komandës, duke udhëhequr marinën shqiptare me profesionalizëm të hekurt në ditët e saj më të izoluara dhe më të vështira.
Sot, figura e tij mbetet një simbol i pashlyeshëm i integritetit dhe i epokës kur sovraniteti i valëve shqiptare mbrohej nga strategë të paluhatshëm.
Ndue Jaku kujtohet si një nga ata burra që i dhanë dinjitet uniformës shqiptare. Një komandant që u bë zot i dallgëve, një ushtarak që e deshi detin po aq sa atdheut, dhe një profil intelektuali që dëshmon se forca e vërtetë e një komandanti nuk qëndron te armët, por te dituria dhe integriteti.
Lindita Kokaj



Burimi/Facebook/Argument Plus Lezhë


Leave a Reply