– Në datëlindjen e albanalogut
Dr. Robert Elsie –
Kisha shkruar: Mrekullia e Albanalogjisë – Robert Elsie, më shumë se një katedër… ai shkëlqen ende më shumë me Veprën e madhe të tij. Dhe teegoja:
Kanadez që jetoi më së shumti në Europë, në Gjermani…
Njohës i thellë i shqipes dhe i dhjetra gjuhëve të botës, përkthyes i zellshëm, studiues befasues, historian skrupuloz, kritik arti, antologjist udhëtar, fotograf, mik i sinqertë, një antropolog mahnitës, katedër e paemëruar, akademi e pashpallur, enciklopedi e vërtetë e Shqipërisë. Botoi libra të shpeshtë për Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë, me guxim si askush tjerër, për gjuhen shqipe e dialektet e të folmet e saj duke bërë regjistrime kudo, ku ka shqiptarë, te arbneshët në Dalmaci e arvanitasit në Greqi, arnautët në Turqi dhe te arbëreshët fantastikë në Italinë e Jugut, botoi histori tē letersisë shqipe “mbarë kombëtare”në anglisht duke futur dhe letërsinë që vinte nga burgjet, krijoi antologji të prozës shqipe dhe të poezisë, përktheu Kanunin, folklor, rilindas dhe bashkëkohorë, iu kthye alfabeteve të gjuhës shqipe, zbuloi nja 10 para atij të sotmit, nxorri libra për fiset e mëdha shqiptare, mbi religjionet dhe bektashizmin shqiptar, përktheu prapë poetë, me libra më vete, nga Kosova: Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Flora Brovina etj,
…dhe të mendosh që qarqe të caktuara shoviniste serbe e kishin kërcënuar me dënim me vrasje…
…përktheu Migjenin në gjermanisht, etj, etj, pastaj nga autori i këtyre radhëve shkoi deri te përkthimi monumental i veprës “Lahuta e Malcis” të At’ Gjergj Fishtës, “Homerit shqiptar”, duke plotësuar eposin europian me atë që mungonte në gjuhën angleze, – kështu shkruan në parathënie. Iu perkushtua dhe pelegrinazhit, vinte në stinë të ndryshme në Shqipëri, po kështu dhe fotografisë se vjetër, zbuloi imazhe që bëjnë histori nga fotografë të huaj, ua fali origjinalet instucioneve shqiptarë, botoi albume kësisoj, etj, etj. Puna e tij është e gjerë dhe madhore, prej shkencëtari dhe pasionanti të Shqipërisë. Dhe shqiptaret e duan, e nderonin, i dhanë tituj dhe medalje në Prishtinë e Tiranë, ndodhte dhe që e harronin, u bëhej i zakonshëm, por ai mbeti i pandryshuar, albanalogu më i madh i huaj i Shek. XX, dha më shumë se pararendësit, mori dhe pasaportën shqiptare.
I dha aq shumë albanalogjisë si kulturë dhe u bë pjesë e rëndësishme dhe e qendrueshme e saj.
Ai dëshmoi se një vepēr e madhe arrihet nga një njeri i madh, por dhe modest mund të jetë si ai, madje edhe mik, edhe i madh si ai. aq shumë i natyrshëm, i vêrtetë dhe i përzemërt, mikpritës dhe po ashtu trokitës dhe në derën tënde. Robert Elsie dinte të trokiste shqip.
Kam një poezi për të, është dhe në përmbledhjen time, që ai e përktheu në anglisht, vetë do të gjente botues në SHBA dhe unë nuk dija gjë, veç kur më dhuroi librin. Jo të gjithë dimë të dhurojmë. Ndërkaq libri u ribotua sërish vitin që shkoi.
Para ca ditësh, Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, Alar, përuroi në Bukuresht vepren e tij të tretë, të përkthyer prej tyre.
Sipas porosisë së tij, Robert Elsie prehet në malet e Veriut tonë, pranë një kishe në Theth. “Bir shpirtëror i Shqipërisë” – kisha shkruar atëhere. Në lartësi të tillë e çuan arritjet e pazakonta…
Një shteg atje, një rrugë në kryeqytet, një institucion kulture duhet të marrë emrin e tij. Pse jo dhe një mal.
Ai rilind me çdo vepër!
Visar Zhiti
—————-
Një album
me disa fotografi
dhe me ballina nga librat e shumtë
të albanalogut Dr. Robert Elsie:




Burimi/Facebook


Leave a Reply