
Në qytetin e Vushtrrisë ekziston Ura e Gurit e cila ka gjithsej 12 harqe. Lashtësia e kësaj ure sipas ekspertëve daton që nga viti 1573, saktësisht në kohën kur kjo urë përmendet në librin e udhërrëfyesit francez, Filip Difren Kame. Përveç rëndësisë historike e kulturore, kjo urë është edhe objekt i miteve e besëtytnive të ndryshme për banorët e Vushtrrisë
Në qytetin e Vushtrrisë ekziston Ura e Gurit e cila ka gjithsej 12 harqe. Lashtësia e kësaj ure sipas ekspertëve daton që nga viti 1573, saktësisht në kohën kur kjo urë përmendet në librin e udhërrëfyesit francez Filip Difren Kame, i cili gjatë një vizite të cilën e kishte bërë në qytetin e Vushtrrisë gjatë vitit 1573, e citon në njërën prej librave të tija edhe Urën e Gurit.
“Arritëm në Vushtrri, një qytet i madh me shumë xhami dhe me urën e madhe të gurit”, kështu e përshkruante udhërrëfyesi francez qytetin e Vushtrrisë.
Edhe burimet osmane e vërtetojnë ekzistencën e saj. Sipas historianëve nuk dihet saktësisht koha se kur Ura e Gurit në këtë qytet ka mbetur pa lumë. Lumi Sitnica është lumi i cili ka rrjedhur nën atë urë, mirëpo nuk dihet koha se kur lumi ka ndërruar rrjedhën e vet dhe nuk kalon më. Mendohet se rreth para 200 vjetëve Ura e Gurit ekziston si e tillë si “Urë pa lumë”. Arsyet e ndërrimit të rrjedhës së lumit Sitnica nga shtrati i urës nga kalonte e nën urën e gurit në shtratin e ri në periferi të qytetit, sipas historianëve nuk ka të bëjë fare me dorën e njeriut.
“E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të përbërjes së tokës pedologjike përgjatë lumit dhe shtigjeve e drunjve tjerë përgjatë bregut të lumit. Rrjedha e madhe e ujit si dhe shtrati i lakuar nuk ka arritur t’i bëjë ballë dhe kështu është krijuar shtrati i ri jashtë qytetit dhe ka drejtuar vet rrjedhën e tij përgjatë urës së qytetit”, është shprehur njëri nga historianët e këtij qyteti, Izet Miftari.
Ura, ‘dëshmitare’ e të dashuruarve
Dikur në urën e gurit shkonin bashkëshortët e porsamartuar dhe të dashuruarit, pasi ishte krijuar bindja dhe miti se prekja e përbashkët e gurëve të kësaj ure krijon shëndet e fortësi si forca e gurëve, ndërsa harmonia e gurëve të vendosur në urë simbolizonte harmoninë e bashkëshortëve në jetë. Sipas gojëdhënave aty janë kryer dashuriçkat e para të të rinjve.
“Babagjyshi më tregonte se në atë kohë edhe dasmat kishin lezet. Çdo dasmë që organizohej patjetër kalonte nga kjo urë. Nusja qëndronte në qerre nën harqet e urës, pushonte nën hije dhe shikonte krushqit të cilët ishin me kuaj, loznin me ta dhe zhvillonin garën e vrapimit. Babagjyshi e tregonte në mënyrë mjaft të mirë, saqë ajo kohë ka qenë shumë më e mirë se kjo e tashmja”, rrëfen banori vushtrrias, Ferid Hasani.
Ambienti në shtratin e lumit nën Urën e Gurit thuhet të ketë qenë vendtakim i të dashuruarve gjatë stinës së verës. Hapësira rreth kësaj ure e tëra ka qenë gjelbërim dhe piktoreske, duke ofruar freski dhe ujë shumë të pastër të lumit. Këtë gjë më së miri e kujtojnë të moshuarit ë këtij qyteti. Nexhip Buzani, banor i asaj ane e kujton me nostalgji kohën kur të gjithë dilnin dhe shëtisnin rreth kësaj ure.
“Kanë pasur lezet pasditet nën këtë urë, gjelbërim, cicërimat e zogjve, dhe peizazhi i bukur ishte përcjellësi ynë i vetëm gjatë atyre ditëve”, ka thënë ky banor.
Ndërkaq në kohën e sundimit austriak, qerret me nuse që kalonin kah Ura e Gurit ndaleshin pranë urës që të pushonin. Aty po ashtu zhvilloheshin edhe gara të ndryshme vrapimi me kuaj.
Historia e Azem e Shotë Galicës nën Urën e Gurit
Thuhet në popull se edhe Azem e Shotë Galica, kanë kaluar mbi këtë urë. Sipas gojëdhënave ata kanë qenë të ngazëllyer nga bukuritë e saj. Ata të dy me çetën e tyre u ndalën nën hijen e harqeve të urës për të pushuar dhe freskuar, dhe pas një kohe Azemi merr një gur vendas në një vend të lartë dhe nga aty fillojnë për të qitur në shenjë. Thuhet se Shota ta ketë qëlluar shenjën mu në mes të gurit, ndërsa Azemi më në skaj. Nga ai çast edhe të rinjtë e tjerë i kishin provuar qitjet në shenjë për një kohë të gjatë.
Nën harqet e kësaj ure, rinia e këtij rajoni zhvillonte edhe shumë aktivitete sportive të lojërave tradicionale si gurapeshë, pehlivanizëm, mundje etj. Të rinjtë rrinin në mbrojtëse të urës për të shikuar vajzat teksa brigjeve të lumit lanin rrobat, edhe vajzat fshehurazi shijonin simpatitë e të rinjve mbi urë.
Është një gojëdhënë që tregon se toka rreth kësaj ure ishte punuar shumë dhe gratë shquheshin si të zonja në punë, aq të zonja sa punonin edhe shtatzëna dhe lindjen e bënin në një pauzë të shkurtër nën harqet e urës dhe ktheheshin me fjalët “E gjeta”. Shprehja e tillë ka mbetur aktuale tek një pjesë e popullit si diçka që nuk ka nevojën e zbërthimit. Po ashtu ekziston edhe bindja se gurët dhe uji i i lumit kanë pasur edhe veti shëruese. Shumë qytetarë e vizitonin këtë urë ngase përveç peizazhit të bukur që ajo ofronte besohej që edhe prekja e gurëve të saj do të sillte fat të mirë.

Nga: Gentiana Hasani
gazetatribuna.com


Leave a Reply