Sfida e librit, trendi që ka pushtuar Facebook dhe Twitter, nisi nga një RUBRIKE e gazetares ALDA BARDHYLI e gazetës Shqip në muajin korrik në faqet e kësaj gazete.
Në muajin korrik në faqen e kulturës së gazetës “Shqip”, gazetarja Alda Bardhyli nisi rubrikën “10 librat që do të zgjidhnit në Bibliotekën e Madhe të Botës”. Personazhi i parë që iu përgjigj pyetjes së Bardhylit, ishte shkrimtari Bashkim Shehu. I grishur nga ideja që cilat ishin 10 librat që do të zgjidhte mes pafundësisë së librave që mund të ishin në mendjen e tij, Shehu bëri një përzgjedhje nga letërsia ruse, tek Thomas Mann, Borgesi, Albert Kamy, apo Ismail Kadare.
“Një përzgjedhje e tillë, është sa e lehtë, aq edhe e vështirë, sepse numri i librave që nuk duhen lënë pa u lexuar në jetë është shumë i madh. Prandaj, përveç këtij kriteri që përcakton pyetja juaj, më lejoni t’i përcaktoj vetes edhe një kriter tjetër, që do ta ngushtonte sferën e përzgjedhjes, duke e kufizuar në prozën rrëfimtare moderne. Borges-i ka botuar një koleksion veprash letrare të cilin e ka quajtur ‘Bibliotekë personale’”, shprehej Shehu.
Pas tij, në faqet e gazetës Shqip, në këtë rubrikë u përfshinë emra si Rexhep Qosja, Besa Myftiu, Maks Velo, Ledi Shamku, Ylljet Aliçka, etj. Sipas Bardhylit, përmes seleksionimit që secili personalitet bënte në librat e përzgjedhur, shihej dhe ndikimi që këto libra kishin pasur në jetën e tyre. Nga ana tjetër, këto libra ishin një rekomandim i mirë për të gjithë ata që duan të rendin pas librave të mirë. Librat e zgjedhur nga Shehu, i ngjajnë letërsisë dhe shijes së tij estetike që ka zgjedhur në jetë. Po kështu, është përzgjedhja e zgjuar e Rexhep Qoses, e cila tregon rrugëtimin e një zëri të rëndësishëm në zhvillimin historik të Kosovës këtë gjysmëshekulli. Besa Myftiu zgjedh Cvajg, apo Madam Bovari, duke treguar se ndjeshmëria, është ajo çfarë s’mund ta shmangë asnjëherë një grua.
Por duket se ideja e hedhur në gazetën Shqip, është pëlqyer nga lexuesit, të cilët nuk kanë pritur personazhin e radhës, por kanë rendur të bëjnë përzgjedhjen e tyre me 10 libra në Bibliotekën e Madhe të Botës. Rrjetet sociale janë përfshirë tashmë në sfidën e librit, sfidë e cila ka zëvendësuar kovat me ujë të pak ditëve më parë. Ideja e “Shqip” ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, pasi kjo lojë e bukur me librin po tërheq dhe të huajt. Përmes kësaj sfide, shihet se shqiptarët vazhdojnë të jenë një popull që e duan librin dhe letërsinë e mirë, megjithëse romani mbetet zhanri i preferuar.
(gazeta-Shqip.com)



Leave a Reply