Jam thellësisht e indinjuar dhe e zhgënjyer nga largimi i fotografisë së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Në atë Deklaratë është edhe firma ime. Ajo firmë nuk është thjesht një nënshkrim në një dokument. Ajo përfaqëson një rrugëtim të gjatë, një veprimtari të ndershme, përkushtim, sakrificë dhe përgjegjësi historike për vendosjen e themeleve të shtetit tonë.
Sa shumë mund, sa shumë sakrificë, sa shumë gjak i derdhur për liri! Sa breza u përkushtuan që Kosova të bëhej shtet i lirë dhe i pavarur. Dhe sot, në vend që këto vlera të ruhen, nderohen dhe përcillen te brezat e ardhshëm, përballemi me veprime që lëndojnë kujtesën tonë kolektive dhe dinjitetin e atyre që kontribuuan në këtë rrugëtim.
Dua të theksoj se isha ndër ata që u gëzova sinqerisht që më në fund Kosova zgjodhi një Presidente akademike. E mirëprita këtë si një mundësi për dinjitet, kulturë institucionale dhe përfaqësim të denjë të shtetit tonë.
Por kjo që ndodhi është e papranueshme dhe ngre shumë pikëpyetje.
A thua vallë çfarë duhet të bëjmë më shumë ne që kontribuuam me ndershmëri, me përkushtim dhe me sakrificë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që të mos harrohet kontributi ynë?
Historia nuk fillon me ardhjen e askujt në detyrë dhe nuk mund të fshihet sipas dëshirës së askujt. Institucionet ndërrojnë drejtuesit, por historia, sakrifica dhe meritat e një populli duhet të mbeten të paprekshme.
Presidenti Historik Ibrahim Rugova, Deklarata e Pavarësisë dhe të gjithë ata që vunë themelet e shtetit meritojnë respekt të përhershëm.
Kosova nuk u bë shtet rastësisht. Ajo u bë shtet me vizion, me sakrifica, me gjak dhe me shumë punë të ndershme.
Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë respekt për historinë, për sakrificën dhe për dinjitetin tonë!
Historia nuk largohet nga muret duke hequr një fotografi. Ajo mbetet e shkruar në ndërgjegjen e një populli!
Burimi/Facebook


Leave a Reply