Shkodra e nderon me koncertin madhështor “Tukiçi i Madh” në teatrin “Migjeni”
Një mbrëmje kushtuar një prej zërave më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Në 100-vjetorin e lindjes, Ibrahim Tukiçi rikthehet në Shkodër, skenën e qytetit të tij përmes muzikës, kujtimeve dhe emocioneve të familjarëve e artistëve.
Në qytetin ku lindi dhe ku hodhi hapat e parë drejt muzikës, Ibrahim Tukiçi u rikthye simbolikisht përmes një mbrëmjeje artistike që bashkoi emra të njohur të muzikës.
Mbrëmja solli në skenë baritonin me karrierë ndërkombëtare Gëzim Myshketa, dy djemtë e artistit, David dhe Genc Tukiçi, edhe ata artistë të mirënjohur ndërsa Orkestra Simfonike e Shkodrës u drejtua nga dirigjentja Elda Laro. Pjesë e koncertit ishte edhe kori i fëmijëve i Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”, duke i dhënë këtij homazhi edhe një dimension të veçantë të përcjelljes së trashëgimisë artistike te brezat e rinj.
David Tukiçi, i emocionuar për këtë homazh kushtuar të atit, vlerësoi organizimin dhe faktin që Shkodra vazhdon të ruajë lidhjen me figurat e saj të mëdha. Ai u shpreh se aktivitete të tilla janë të veçanta dhe se jo çdo qytet arrin të organizojë homazhe të kësaj natyre për artistët e vet.
Tenorit të madh shkodran Ibrahim Tukiçi i mungon ende titulli “Nderi i Kombit”, një vlerësim që, sipas të birit, David Tukiçi, ai e meriton për kontributin e jashtëzakonshëm në artin dhe kulturën shqiptare.
Edhe Genc Tukiçi, e konsideroi koncertin një mënyrë për ta mbajtur të gjallë kujtimin e të atit. Sipas tij, përmes aktiviteteve të tilla, arti dhe vlerat e artistëve të mëdhenj përcillen nga një brez te tjetri.
Me emocion, ai theksoi se Ibrahim Tukiçi nuk do të shuhet kurrë, për sa kohë muzika dhe vepra e tij do të vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e publikut.
Një vlerësim të veçantë për Shkodrën dhe figurën e Ibrahim Tukiçit bëri edhe baritoni Gëzim Myshketa. Ai e cilësoi Shkodrën si djep të kulturës shqiptare, ndërsa Ibrahim Tukiçin si një artist të jashtëzakonshëm, emri dhe vepra e të cilit meritojnë të kujtohen e të nderohen.
Për Myshketën, rikthimi në skenën shkodrane pas 32 vitesh kishte një domethënie të veçantë, aq më tepër kur bëhej fjalë për një koncert kushtuar një figure kaq të rëndësishme të muzikës shqiptare.
Ibrahim Tukiçi, një emër që i përket historisë së muzikës shqiptare
I lindur më 4 qershor 1926 në Shkodër, Ibrahim Tukiçi ishte një prej tenorëve më të spikatur shqiptarë të shekullit XX. Formimi i tij profesional në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës i hapi rrugën një karriere të rëndësishme artistike, ndërsa më pas u bë solist i Teatrit të Operës dhe Baletit.
Ai interpretoi në vepra të njohura të repertorit operistik botëror dhe shqiptar, mes tyre “Rigoletto”, “Madama Butterfly”, “Cavalleria Rusticana”, “Mrika”, “Pranvera”, “Lulja e Kujtimit” dhe “Goca e Kaçanikut”.
Por përtej skenave operistike, Tukiçi mbeti një zë i veçantë edhe në interpretimin e këngës qytetare shkodrane, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e një prej pasurive më të çmuara të trashëgimisë muzikore të qytetit.
Për kontributin e tij u nderua me titujt “Artist i Merituar” dhe “Artist i Popullit”. Ai u nda nga jeta më 24 maj 2004, por la pas një trashëgimi që vazhdon të jetojë edhe përmes dy djemve të tij, Davidit dhe Gencit, të cilët kanë ndërtuar karrierat e tyre në botën e muzikës.
Koncerti në teatrin “Migjeni” ishte më shumë se një aktivitet artistik. Ishte një rikthim te rrënjët, një homazh për një shkodran që e bëri emrin e qytetit të tij të dëgjohej përmes muzikës dhe një mesazh se artistët e mëdhenj nuk harrohen, për sa kohë qyteti dhe brezat vazhdojnë t’i mbajnë gjallë.
Ibrahim Tukiçi mund të mos jetë më në skenë, por zëri dhe vepra e tij mbeten pjesë e historisë së Shkodrës dhe kulturës shqiptare.
Burimi/Facebook/Shkodra Live


Leave a Reply