
Akti që shkaktoi veprimin më të madh të policisë në Kosovë që nga lufta e vitit 1999, ishte barbaria e xhihadistit nga Kosova, Lavdrim Muhaxheri, me fotot e prerjes së kokës së një të riu 19 vjeçar në Siri, ku ai po lufton për Shtetin Islamik. Këto imazhe janë publikuar pothuajse në çdo portal dhe gazetë, duke shkaktuar zemërim dhe tronditje të thellë në mesin e kosovarëve.
Presidentja e shtetit më të ri të Evropës, Atifete Jahjaga, menjëherë reagoi.
“Kosova nuk do të jetë strehë e sigurt për terroristët”, tha ajo.
Numri i saktë i ekstremistëve dhe terroristëve kosovarë në Siri dhe Irak nuk dihet. Nga Policia e Kosovës vlerësojnë se numri mund të jetë në mes të 100 dhe 200.
Zyrtarisht dihet se në javët e fundit të paktën 16 trupa nga Iraku dhe Siria janë kthyer në Kosovë. Është pretenduar gjithashtu se mund të jenë disa qindra ekstremistë radikalë brenda Kosovës, raporton DW, edicioni në gjuhën angleze, transmeton Telegrafi.
“Kemi arrestuar 43 ekstremistë të dyshuar. Jemi në mes të hetimit, por pritet të bëhen më shumë arrestime në ditët e ardhshme”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Mediat e Kosovës kanë njoftuar se të paktë 56 të dyshuar tjerë do të arrestohen shpejtë.
“Gjendja e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme”, tha Kelani, duke shtuar se rreziku që vjen nga terroristët nuk mund të përjashtohet plotësisht asnjëherë.
“Policia dhe strukturat tjera të sigurisë në Kosovë janë në gjendje për të ofruar rend dhe siguri në vend”.
Islami ka 500 vjet histori në Kosovë. Më shumë se 90 për qind e 1.8 milionë banorëve të vendit janë myslimanë – gati të gjithë prej tyre sunitë. Bashkësia Islame e Kosovës është mirë e organizuar.
“Me përgjegjësi ju them: I kemi të gjitha xhamitë dhe imamët nën kontroll”, thotë myftiu Naim Tërnava.
Por, ai pranon se ka “mysafirë” që vijnë nga jashtë, pasi kufijtë janë të hapur pas luftës.
“Pas luftës, çdokush ka mundur mund të vijë e të shkojë si të donte. Kjo është arsyeja pse një pjesë e rinisë sonë kanë qe e indoktrinuar”, tha Tërnava.
Haki Abazi, kryetar i Fondacionit Rockefeller në Prishtinë, beson se gjendja e rëndë ekonomike ka bërë që të rinjtë të jenë të ndjeshëm ndaj propagandës radikale islamike.
Shkalla e papunësisë në Kosovë vlerësohet të jetë mbi 40 për qind, dhe shumë njerëz jetojnë në varfëri, pa perspektivën e përmirësimit të gjendjes së tyre.
Që nga lufta e Kosovës, vendet arabe kanë krijuar dhe financuar shumë OJQ në Kosovë. Sipas raporteve të fundit të mediave, organizatat kanë marrë më shumë se 25 milionë euro të ndihmës financiare nga Libia, Libani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite. Agjencitë e sigurisë besojnë se këto organizata mund të financojnë grupet radikale ekstremiste.
Për më tepër, në Kosovë ka pasur, deri pak kohë më parë, katër të ashtuquajturat shtëpitë e adhurimit – shtëpi private me qira – që kanë shërbyen si vende të lutjes. Tërnava beson se grupet radikale dhe përkrahësit e tyre janë mbledhur atje. Për këtë Policia ka mbyllur kohët e fundit një nga këto shtëpi në Prishtinë.
Kjo mbyllje është pjesë e “luftën pa kompromis” që Qeveria e Kosovës e ka shpallur kundër ekstremistëve.
“Në Kosovë nuk do të ketë vend për ekstremizmin, radikalizmin dhe terrorizmin. Kosova është vend i lirë dhe i pavarur që, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, vazhdon të luftojë për të mirën dhe kundër të keqes”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. /Telegrafi/


Leave a Reply