
Një djalë rrëfehet në Anabel: Historia e dashurisë me një pakistaneze
Jantar Mantar
Ripërshëndetje, kauboj të Teksasit dhe kukulla të Disneyland!
Më në fund disa lajme të mira këtu nga India dhe gati për të vazhduar pjesën e dytë të aventurave të mia si përralla me atë shtrigën e zezë nga Pakistani, e cila më vodhi zemrën që vitin e shkuar. I ngazëllyer si fëmijë i vogël zbrita në Neë Delhi dhe ashtu i ngarkuar me valixhet në duar dhe i molepsur pas gati 3 ditësh udhëtim, mezi prita të rastisja dajën dhe të birin që kishin dalë të më prisnin dhe ende pa i përqafuar si duhet, u futa dhe u shtriva në sediljen e prapme të makinës së tij si një pijanec i sapodalë nga kabareja e lagjes me drita të kuqe. Vapa ishte përvëluese, sedilja ku isha shtrirë dukej sikur po piqej në furrë buke, çuni i dajës molloiste broçkulla adoleshence dhe fryhej si kaposh fshati duke u krekosur për gocat që kishte zënë në shkollë, daja kishte rënë në heshtje totale, fshinte djersët me facoletë dhe duke shtrënguar fort timonin, mbante syte te xhami i pluhurosur përtej të cilit mezi shihej rruga.

Ashtu i shtrirë me dhimbje koke dhe me shpinën qe po më piqej si suxhuk skare nga të nxehtët e tavanit të makinës, befasia e parë sapo filloi. Rruga qëndrore që lidhte kryeqytetin me Jaipurin ishte bllokuar nga një aksident zinxhiror makinash dasme të ngjeshura me njëra-tjetrën, por pa dëme humane, kështu që duhej të bënim kthim mbrapa dhe të vazhdonim nga katërkëndëshi i fshatrave në jugperëndim për të dalë atje ku synonim. Po na gërryenin zorrët nga uria, por duhej të kalonim gjer në fshatin e tretë, ku edhe kishte një minirestorant për të ngrënë e për të pirë bashkë me një motel modest nate. Pas edhe dy orësh rrugë, ashtu të asfiksuar mendërisht e fizikisht nga vapa, dolëm nga makinat dhe hymë brenda në restorant, porositëm pesë shishe uji dylitërshe dhe pimë gjersa u dendëm, kur nuk vonoi shumë dhe plasën britma andej nga pjesa e pasme e restorantit.

Ne gjithë klientët dolëm të shihnim ç’po ngjante. Dy burra me hunj nga njëra anë dhe tre të tjerë me gurë nga ana tjetër, gjuheshin e shaheshin ndër vete, filluan të rrokulliseshin fytazi nëpër lëndinë dhe një tufë derrash të tërbuar që bërtisnin të zhytur në përroin përballë. Nejse, pas nderhyrjes së klientëve bashkë me dajën tim, arritën të ndaheshin dhe të qetësoheshin. Nuk ia kisha idenë fare çfarë ndodhte, ende vijonin duke hedhur fjalë në distancë, derisa çuni i dajës më tregoi arsyen. Diçka që më bëri të qeshë, ata burrat me hunj ishin islamike vendas, kurse ata tre të tjerët të krishterë nga fshati ngjitur, që kishin sjellë derrat për të pirë ujë. Sherri kishte plasur për arsyen se këta u tërbuan nga fakti që ata kinse i ofenduan fetarisht, andaj më bëri përshtypje edhe një fjali e atyre myslimanëve që përsëritej disa herë dhe nuk e kuptoja dot, gjersa ma përktheu daja. Fjala çuditërisht në shqip rimonte jashtëzakonisht bukur: Shumë islamë këtu ujë kanë pi / erdhet ju e felliqet me thi. Nejse, u harrua kjo gjë dhe u kthyem, hëngrëm, fjetëm aty atë natë dhe të nesërmen morëm sërish rrugën. Më në fund mbërritëm në Jaipur, aty ku vajtëm të vizitonim të famshmin Jantar Mantar, një mrekulli shkencore e lashtësisë, një orë solare ekuinoksale e përbërë nga një gnomon gjigand trekëndor me hipotenuzë paralele ndaj boshtit të Tokës, që përdorej për të matur kohën ditore.

Pastaj vajtem direkt tek Haëa Mahal (Pallati i Erërave), një mister arkitektonik, pallat me gurë ranorë të kuq e me dhjetëra e dhjetëra dhoma grash të quajtura Zenana, pallat që në thelb ishte një mur-ekran i lartë, i ndërtuar në mënyrë të tillë që gratë e familjes mbretërore të mund të vëzhgonin festimet në rrugë, pa u parë nga jashtë. Për të mos u mjaftuar me kaq, ikëm edhe tek Amera Ka Kila (Kalaja Amere), një mikroqytet monarkik me një ndërtesë ultraorientale me ornamente murale hinduse e portale persiane, me shtigje me kalldrëme dhe me një arenë jeshile të bukur, e ndërtuar nga raja Man Singh I. Tani kishte ardhur koha që unë të vazhdoja rrugën vetëm, të ikja atje ku ëndërroja që nga gushti i vitit të shkuar, në fshatin e shtrigës sime, por çudia më e madhe pllakosi atëherë kur daja ma tha i pari. Ishte më i informuar se unë dhe faji natyrisht që i ngelet shokut të tij, atij vozitësit të frikshëm me të cilin kisha ngecur vitin e shkuar.

U mahnita! Fytyra e tij e qeshur më jepte shpresë se dinte diçka, por nuk doja të më tregonte. Thjesht nuk doja të dija asgjë gjersa të mbërrija vetë. Hipëm në makinë dhe u nisëm me këta, gjë që nuk e kisha qejf fare, por këta ngulmonin se do iknin për vizitë miqësore. Gjatë tërë rrugës për 30 minuta, goja ime bëri diçka që nuk e bënte kurrë, pushoi së foluri dhe u kyç në heshtje totale. Më në fund mbërritëm, në atë fshatin magjik, në atë Tiranën e dytë polikromatike të Edi Ramës. Kolopuçët e lezetshëm bashkë me të atin ishin të ulur në kopshtin e oborrit, sapo panë dajën dhe të birin plasën të qeshurat dhe përqafimet. Pastaj avazia emocionale u kthye nga mua, kolopuçët morën yrysh duke m’u hedhur në qafë. Në fakt m’u bë qejfi që nuk më kishin harruar. Kishin me vete edhe topin, me të cilin luajtëm futboll një vit më parë. Ai burri më zgjati dorën dhe më preku shpatullën, me atë ftohtësinë e zakonshme, sikur e bënte kastile vetëm me mua, mbase sepse e dinte arsyen e vajtjes. Nejse, këta u ulën në oborr, kurse mua më kishte kapluar shtangia në mes të vendit. Nuk hiqja dot sytë nga porta e shtëpisë, prisja të më dilte shejtania. Nuk vonoi shumë dhe ja ku u shfaqqqqqq, e njejtaaaaa Sheherzade, me hixhabin e saj të zi, me kanën në duar dhe me sytë unikëëëë, u ndodhëm përballë, face to face. Dukej sikur ishte e informuar sepse nuk u habit kur më pa. Bëri të vinte drejt meje, u afrua, më shtrëngoi dorën duke ma vënë dorën tjetër sipër dhe buzëqeshi: Mirë se erdhe kryqtar ballkanik, ja ku më gjete, ashtu siç më le. Obobo kjo anglishte e saj e perfeksionuar, dukshëm më e rrjedhshme se e vitit të shkuar. Bëra të flisja, nuk dija çfarë. Iku të përshëndeste dajën dhe të birin, i pyeti ëper kafe dhe u fut brenda. Unë ende i shtangur në vend, nuk lëshoja zë, nuk bëja asnjë hap, thjesht rrija e shihja. “Futu Brenda budalla i shkretë!” ma kthen ai burri. Çfarë dreqin po bën këtu? Vrapova dhe u futa, shtyva tutje kolopuçët se nuk i doja nga pas. Ajo po piqte kafetë mbi pllakën e stufës dhe ishte ulur në stolin e saj të dikurshëm. “Eja, eja” tha. “Mos rri te pragu. Nuk të ha, se nuk më pëlqen mishi evropian. Më e shumta mund të të gërvisht me thonjtë e gjatë.” “Duhet të qesh apo të trembem tani?” i thashë.
“Kotelja ime e vogël” tha. “Je kaq i lezetshëm, num bum bum si një Majin Buu nga Dragon Ball, unë, mjeshtri yt Babidi, ti skllavi im naiv.” “Vërtetë Kali Maaa ime e shëmtuar” ia ktheva. “Kafsho gishtërinjtë dhe pri bishtin, sepse majmunët rreth teje janë shumë të epshorë.” U derdhën kafetë mbi stufë dhe neve ishim ende duke shkëmbyer llafe të tilla ndër vete, thjesht gallatë e paparë. “Ti e di shumë mirë që kam ardhur për ty”- i thashë. “Nuk iki më pa i qartësuar gjërat në detaje. Ti je shtriga ime dhe nuk mund të lejoj që magjia jote të ketë efekt mbi të tjerët. Ky ferr do të jetë vetëm i yni.” “Sa i keq bëhesh kur nuk je fare më ëngjëll parajse”- tha. During you’re smelling floërs up, I’m making funny doën. Në fakt e kapa këtë mesele, nuk durova më dhe e përqafova fort. Bota u shëmb, kur në vend të më hidhte tutje, më përqafoi edhe ajo. Çfarë ndjesieeeee e paparë, puritane, aspak seksuale, shumë naïve, djaloshare. “Mos mendo se unë të kisha harruar” tha. “E dija fare mirë se do vije prapë. Tërë të shtëpisë e kishin kuptuar, bashkë me dajën tënd kur ia thane. 365 ditë m’u deshën të peshoja ndjenjat, të merrja përsipër rrezikun e pranimit të një bebeje grindavece si ty. Të kam simpati, por jo ende dashuri. Tani dil jashtë të bëj gati kafetë e tjera, se nesër do nisemi për udhë. Këtë vit do bësh pushime sipas mënyrës time.” Kjo paska përgatitur muaj mjalti, thashë me veteeeee. Po shpërtheja nga qejfiiiiii! E kam në dorë Sheherzadeeeeen. Zoti është i madh. Dola në oborr si kavalier dhe ika në lëndinë të shfryja dufin e qejfit, duke luajtur futboll me kalamajtë, gjersa këmbët filluan të dridheshin si të elektrizuara nga lodhja. Ajo natë ishte e paharrueshme. U mblodhën i tërë fshati, edhe pse gruaja e atij burrit mungonte se kishte vajtur tek prindërit për vizitë. U hodhën valle, këngë me buzukë sikur në Greqi, marifete magjish nga pleqtë e fshatit, lutje të rëndomta të mbrëmjes në grup. Çuni i dajëës u hallakat i tëri në valle, daja duke bërë shaka me miletin, kurse unë me këtë afër. Nuk më lejonte ta prekja, rrinte kryeneçe përballë të tjerëve, sikur asgjë s’po ndodhte. Vërtet dinte të behej e ftohtë si dreqi, kur i tekej. Iku nata dhe gdhiu mëngjesi. Të tërë ishin zgjuar para meje, sikur gjithçka e bënin me plan, pa ditur unë asgjë. Më zgjuan edhe mua, hëngrëm një çik mëngjes dhe pastaj u bëmë gati. Axhenda ishte e tillë: Unë bashkë me çunin e dajës, pakistanezen dhe atë burrin e frikshëm, do iknim në Kalkutë e më pas në Kerala, kurse daja do rrinte me fëmijët në fshat. Thjesht nuk kuptoja arsyen e kësaj nisme. Me një fjalë nuk po kuptoja asgjë fare. Hipëm në avion dhe direkt në Kalkutë. Aty filluan aventurat alla bollivudiane, tempujt dhe gjërat e rralla që pamë: 1. Kali Ma Burai Saitani Mandir (Tempulli i Errët i Perëndeshës së Ligesise Kali Ma), epiqendra e tërë magjistareve, satanistëve dhe hajmalibërësve indianë, ku kohë më parë bëheshin rituale të frikshme të flijimeve në zjarr, vendi më i frikshem që mund të rastiset, vend që duhet vizituar nga jashtë për tërë ata që vuajne nga zemra; 2. Belur Mutt (Kryeselia e Matematicienëve dhe e Misionarëve) që kishte qënë zemra e Lëvizjes Ramakrishna, ku dallohej për arkitekturën e tij hibride, duke gërshetuar elemente strukturale hinduse, islamike e kristiane, si simbol i bashkimit dhe i tolerancës ndërfetare; 3. Idana Gardana (Kopshtet e Edenit), si stadiumi më i madh i kriketit në Indi dhe i treti në botë, me një bukuri madhështore, vendndodhja e ekipit të kriketit bengalez dhe e Indian Premier League’s Kolkata Knight Riders. Dhe ja kështu ikën ato shtatë ditë, tërë ditën duke u sorollatur lart e poshtë dhe në mbrëmje duke fjetur në dhoma të ndara hoteli, kurse unë për të thyer monotoninë dhe mosdurimin që të rrija vetëm, hyja prape te Dalina dhe shkëmbeja komente virtuale me kukullat e zakonshme chatiste. Kthimi në fshat ishte më ndryshe se herë të tjera, ngase kësaj radhe po kthehesha dysh e jo njësh. Kësaj radhe para të tërëve shpallëm ndjesitë tona dhe i binda që kah mesi i shtatorit të më vijnë mysafire në Shqipëri. Dhe ja ku ndodhem tani, ende në këtë fshat gjer ditën e enjte, kur edhe do nisem për në shtëpi dhe të rri duke numëruar ditët gjersa Gjirokastra ime të presi Sheherzaden e Pakistanit, me shpresën që gjithçka do thellohet dhe shumë shpejt të behet një shqiptare si mua. Hera e parë që lashë anash egoizmin dhe dëshirën e jetes vetmitare, i gatshëm për të ndarë luksin tim me të, edhe pse gjithnjë e dija thellë në vete se nuk do doja kurrë një vendase, as ndonjë evropiane. Orienti i larget ka bërë të vetën, që ditën e parë kur e shkela me këmbë. Sidoqoftë, kjo ishte e tëra. Mëma Indi ju puth fort.
Revista Anabel


Leave a Reply