Maqedonia shënoi 71 vjetorin e Ditës së Revolucionit Kombëtar të enjten, me ceremoni e kremtime.
Nga Biljana Lajmanovska për Southeast European Times në Shkup
Duke shkuar në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO, Maqedonia qëndron mbi të njëjtat vlera që patën pjesëmarrësit e Luftës së Dytë Botërore, tha Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski. [Reuters]
Shtatëdhjet e një vjet më parë, Maqedonia nisi një qëndresë kundër fashizmit me operacione të bashkërenduara të armatosura kundër pushtimit në Luftën e Dytë Botërore. Të enjten (11 tetor), përvjetori u shënua me ceremoni përpara monumenteve të luftëtarëve që morën pjesë në luftën popullore çlirimtare në Shkup dhe me kremtime në Priliep dhe Kumanovë, dy qytetet maqedonase ku u organizuan operacionet e para kundër rregjimit fashist.
Shumë veteranë të Luftës së Dytë Botërore thanë se shembulli i tyre mundet ende të shërbejë si një mësim i çmuar.
“Lufta jonë dhe revolucioni kundër fashizmit në Maqedoni nuk ishin një lloj shkëputje historike, ato vetëm vazhduan luftën tashmë në proces të këtyre njerëzve për të krijuar kombin dhe shtetin maqedonas,” i tha SETimesTodor Atanasovski, nga Bashkimi i Luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, ai shton se lëvizja kishte gjithashtu një të veçantë: ajo futi një strategji të re që do të thoshte se Maqedonia nuk pret se Evropa apo komuniteti ndërkombëtar do të zgjidhë problemet e saj.
“Ky duhet të jetë një mësim për këto breza. Sot në Maqedoni, si nga ana e djathtë dhe nga ajo e majtë, ke kurdoherë dikë që pret një zgjidhje për problemet e tij nga dikush tjetër. Duhet t’i zgjidhim punët tona në shtëpi. Merreni këtë si përvojën tonë,” tha Atanasovski.
Sipas Presidentit maqedonas Georgi Ivanov, data si 11 tetori konfirmojnë se Maqedonia kurdoherë ishte dhe kurdoherë do të jetë në anën e përparimit demokratik dhe lirisë.
“Kjo është pse anëtarësimi ynë në strukturat euro-atlantike, si masa për botën e sotme moderne, vjen tek ne si diçka e natyrshme dhe mjaft e merituar,” tha Ivanov në mesazhin për rastin. “Eshtë falë luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore që mund të gëzojmë lirinë sot, që jemi zot në tokën tonë dhe mund të ndërtojmë e vendosim me pavarësi për të ardhmen tonë.”
Pas dekadash zhvillimi, së pari në ish-Jugosllavi dhe pastaj si një vend i pavarur, Maqedonia po drejtohet tani në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO.
Sipas Kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski, Maqedonia moderne mbështetet në të njëjtat vlera që patën pjesëmarrësit në Luftën e Dytë Botërore.
“Sot jetojmë në të njëjtën mënyrë që dëshironin të jetonte kombi maqedonas: në paqe me të gjitha kombet e tjera që respektojnë parimet e vëllazërisë, barazisë dhe solidaritetit. Këto ideale tonat, janë të njëjta me ato që janë respektuar në Aleancën e NATO-s, që është arsyeja kryesore për miqësinë dhe bashkëpunimin me vendet anëtare nga kjo organizatë,” tha Veljanovski duke iu drejtuar akademisë solemne të 11 tetorit.
Ndonse pritej të ndiqnin veprimtaritë, përfaqësuesit e partnerit shqiptar të koalicionit qeverisës, BDI nuk u dukën: duke sinjalizuar se marrëdhëniet në koalicionin qeverisës maqedonas mbeten të tensionuara.
Disa veteranë të Luftës së Dytë Botërore thanë se Dita e Revolucionit mbetet nën hijen e politikave dhe nuk merr vëmendjen që meriton.
“Dëgjojmë vetëm për Ilinden (Dita e Republikës Maqedonase) apo për ngjarjet përpara kësaj. Kjo është mirë, por ki parasysh se Maqedonia siç është sot u lind në përpjekjet tona. Askush nuk kujdeset për monumentet e shokëve tanë luftëtarë,” i tha SETimesDushko Atanasovski, nga Bashkimi i Luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore nga Tetova.
Festa u shënua nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë me një shpërblim për arritje karriere për punën në fushat e shkencës, kulturës, artit, shëndetësisë, sportit dhe humanizmit.
Çmimi këtë vit iu dha anëtarit të akademisë Vlado Kambovski, profesorit Dimitar Mirçev, shkrimtarit Vele Smilevski, këngëtarit të operës Boris Trajanov dhe kardiologut Samuel Sadikario.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply