
1-Nga ditë…
një fllad i murmë fëshfërin brengosur,
pipëtin në degë ëndrrash,flet me vehte,
krahëpërthyer e gjymtyrëplagosur,
vështron i habitur, mbyllet ne heshtje !
2-Mbidhet muza një grusht prushuar
vargjet japin shpirt, zili për botën boshe
serenatë e valle oh, fshatin kam harruar
nata çirret, ndërsa dita loton në qoshe.
3-Shoh pareshtur ëndrra të përçarta,
partitura pa nota zhurmojnë keq në kokë,
nga sytë mijra fishekzjarre të zjarrta,
këmba-këmbës vetëtimat gjurmojnë.
4-Ja, dielli mbyll kanatet ,muzgu ra,
qafës së malit hëna zgërdhihet pa turp,
dragonj luftojnë egërsisht pa pra,
hijesh flakë më flakë e trup me trup.

5-Mbështjellë dhimbjesh, me hap drenushe
kapërcej lëndina e pyje, shpresëkotë,
çpoj venën e dorës, pi të dehem me verë
këpus një gjoks nëne si bukë të ngrohtë.
6-Dhe holloj trishtim ,strehë vrerit nuk gjej,
gënjehet shpirti me gas buzqeshjeje të rremë,
më persekuton çdo mbrëmje e prehje nuk ndjej,
veç nis e përze ëndrrat, të venë ku të venë.
7-Mos e pyesni të gjorën zemër, se ç’flet,
demoni e trazon në netët kur tret gjumi,
trupin më prek, buzët m’i puth nxehtë
pëshpërit në vesh me mërmërimë prej lumi.
8- Eh, ç’trazon në epsh engjëj e djaj,
në eter ngre tërmete e derdh vullkan,
virgjëreshës së ndrojtur ia shqyen fustanë
e nëpër gushë i ndez nje flakë-zmerald.
9-Me yjet e qiellit flokët i stolis
përgjunjet tek këmbët, lut dashuri
premton parajsë vite ,shekuj,gjithësi,
anembanë tokës të mbjellë pavdekësi.
10-Për dore kapur foshnjaken e pafaj,
tek me kalëron mbi kalë të bardhë,
ortek në këmbë ngre njerëzit në çdo skaj,
planetët thërret krushq e diellin kumbarë.
12-Do marr dëshmitar në altar Eukaristin
fatin lotoj, oqeane e dete për Mesinë,
Papës në Romë i perunjem në pendim
mbi varr eshtrat e Krishtit sikur ngrijnë.
13-Pastaj,bie mjegull shtëllungëdendur
ndez dritë frymëmarrjen, ç’desha dremitur?
vrapoj si sorkadhja në kishë e çakërdisur
ruzaren Shën Marisë ia them e nemitur:
14-Në jam mëkatare, mëkatin çliro,
se ferri mbledh e djeg shpirta të ligj,
perëndi nga kjo flakë shpirtin ma mbro,
jam flad i freskët, bekomë Jezu Krisht!
4 maj 2014



Leave a Reply