Studentët shqiptarë nga Shkupi kanë zënë vendin e parë në një garë të organizuar nga NASA në Maqedoni.
Të votuar nga 150 pjesëmarrësit në garë, ata u zgjodhën për projektin më të mirë konkurrues duke u kualifikuar në garën globale me të rinj nga 100 shtete të botës.
Fituesit janë pjesë e ekipit të formuar nga organizata LSU DECA (Suad Saliu, Blerant Ramadani, Artan Rahmani, Visar Zejnullahu dhe Jovan Andonov). Ata punuan për 48 orë pothuajse pandërprerë deri sa realizuan aplikacionin fitues.
“Projekti në të cilin kemi punuar ka qenë një aplikacion, i cili do t’ua lehtësojë njerëzve në përgjithësi udhëtimin në vende te reja, sidomos në vende të cilat janë pak të disponueshme”, thotë Suad Saliu, kryetar i LSU DECA, lidhjes së studentëve shqiptarë pranë Universitetit “Kirili dhe Metodij”, në Shkup. Projekti në fjalë, do t’u ofrojë shkencëtarëve informata më të hollësishme rreth disa cilësive të fushave të tyre të hulumtimit.
Aplikacioni Android ofron një hartë të gjithë globit dhe i jep mundësinë gjithkujt që të kontribuojë duke shtuar të dhëna e përshtypje duke pasuruar informacionin për të gjithë.
“Me këtë arritje, ne futemi në garën globale, me gjasë për të fituar një udhëtim për në Florida, dhe për të parë nisjen e raketave për në hapësirë”, thekson Saliu.
“Kjo është arritje e madhe për shqiptarët por edhe për organizatën tonë”, tha ai, duke shtuar se organizata që vepron në kuadër të Universitetit “Kirili dhe Metodi”, nuk i ka mbushur ende 3 muaj jetë, por ka arritur një sukses të rëndësishëm. Të rinjtë falënderojnë më këtë rast të gjithë pjesëmarrësit që votuan për projektin e tyre fitues. /SHENJA/


Leave a Reply