![]()
Shkruan: Qemal MURATI, Kërçovë
Vardari është lumi i madh që buron nga masivi i Sharrit plak, në Vrutok, disa kilometra në veri të Gostivarit, në Maqedoni, e rrjedh nëpër vise të Dardanisë e të Peonisë antike. Hidronimin e sotëm Vardar e shënon në hartën e tij edhe gjeografi i Aleksandrisë së Egjiptit Ptolemeu në sh. II e.s. me format Bardouários e Bardáros. Në burimet latine të shek. XI-XII e hasim me emrin Bardarum, Bardárion (1020), Bardárus (1096), Bardarum (ad flumen Bardarum), Bardal, Vardarus (1096), Fardari (Idrisi 1153), Vardarienses (1212). Në përmendoret shkrimore sllave të shek. XIII-XIV del me formën Вар(ъ)даръ (shkruhet me cirilikë, sll.vj. 1299). Në regjistrat osmanë Arbard (dokumentet turke, 1445), Vardar (dokum. turke, 1469), Biardur (dokum. Italiane, 1575) (Shefki Sejdiu, Rreth etimologjisë së hidronimit Vardar, Studime 4 1997, ASHAK, Prishtinë, 1998, 162). Emrin Bardários (Βαρδάριος) e kanë përdorur dhe grekët e vjetër, e është përdorur dhe në kohën e Bizantit. Ilirologu i njohur gjerman H. Krahe (Lexikon altillyrischer Personnamen, Hiedelberg 1929, 16) emrin e lumit Bardários e afron me bard (bardhë), sikurse dhe emrat vetjakë Bardus e Bardulis të ilirishtes. Po kështu dhe dijetari bullgar L. Silan (Koi se denešnite Albanci i tehnija ezik, Sofia 1910, cituar sipas Shefki Sejdiut) emrin e lumit Vardar e nxjerr nga Bardhar “lumë i bardhë”: “Ime na reka Vardar e Bardh-ar i zneče bela”. Emërtesën Vardar shumë dijetarë të tjerë e çojnë te një bazë ievr. *Suordo-uori “i zi ujë”, në thelb “lumë me ujë të zi” (I. Duridanov, V. Beševliev, Vl. Georgiev, J. Zaimov); bullgari J. Ivanov (Aksios – Velika – Vardar, Makedonski pregled, god. I, kn. 3, Sofia 1925) e bie të ardhur nga Var “i madh” dhe dar “lumë, ujë, det” (Lj. Stankovska, – M. Miovski, “Prilog kon supstratnata makedonska hidronimija”, Zbornik referatov – Četvrta jugoslovanska onomastinčka konferenca, Ljubljana: Slovenska akademija znanosti in umetnosti, 1981), kurse gjuhëtari kosovar Sh. Sejdiu e çon te një strukturë bitematike ievr. *Borgh-uori “i bardhë ujë, ujë i bardhë, lumë i bardhë”, me zhvillimet fonetike ievr. në shqipen o-a, gh-g. Edhe nga pikëpamja semantike, Vardar (lumë i bardhë) del si pandan i rrjedhës tjetër ujore që i bashkohet këtij lumi Crna apo Crna Reka, që në antikitet quhej Erigon (lumë i zi), turq. Karasu. Popuj të ndryshëm në Ballkanin antik e në Mediteran që kanë jetuar në një simbiozë intensive edhe linguistike kanë marrë e kanë dhënë me njëri-tjetrin, por kanë pasur dhe perceptime të ndryshme për ngjyrën e ujit në denominimin e lumenjve: rrjedha e madhe ujore Bardar (Vardar) te trakasit u perceptua si “lumë me ujë të zi”, prej nga u kalkua dhe te grekët si Aksios (Αξιός) “lumë me ujë të zi”, kurse te popullsitë ndejetare shqiptare të atyre tërthoreve si “lumë me ujë të bardhë”. Khs. dhe denominimet e lumenjve: Drini i Zi – Drini i Bardhë. Kalimi i trajtës Bardar në Vardar, me ndërrimin fonetik b-v në ballë të fjalës, mund të ketë ndodhur në shek. XI (1096) me ndërmjetësi të greqishtes bizantine, e cila rregullisht e kthen b-në në v, khs. sikurse te Arbanon – Arvanon, Albanese – gr. Arvanitis.
Nga pikëpamja etimologjike emri i lumit të madh Vardar është mjaft kompleks, i pandriçuar sa duhet dhe vështirë është të shpjegohet, siç është kompleks dhe rrjedha e tij nëpër shumë rajone të banuara me popullsi të ndryshme e nëpër kanione. Varësisht nga popujt që kanë jetuar pranë tij, ky lumë ka marrë dhe emra të ndryshëm. Te grekët e vjetër përmendet dhe me emrin Aksios (Αξιός). Me një emër të tillë del te Homeri (Il. 21.141, Il. 2.849) (Georg Autenrieth, A Homeric Dictionary) si vend i peonëve (Paeonians), e kështu e kanë emërtuar edhe shkrimtarët grekë e latinë deri në shekujt e mesjetës. Pas ardhjes së sllavëve në Maqedoni në shek. VI-VII, ata ndërruan shumë emra të vendeve. Kjo ndodhi dhe me emrin Aksios, të cilin duket se e përkthyen në Velika, Velika Reka (Golema Reka) “lumë i madh”. Më pas, me ndryshimet e reja etnografike në luginën e Aksios-it, në shek. XI shfaqet edhe emri i tretë Vardar. Ndërkaq, disa studiues emrin e këtij lumi e lidhin me emrin e një fisi turk Vardarioti. Ndonjë studiues tjetër emrin Vardar e sheh si një kompozitë nga Var-daeros “lumë i madh”, nga bar, var, uar “i madh” dhe darija “lumë”, në analogji me Amu-Darja e Sir-Darja (Olga Ivanova, Studii od toponimijata i antroponimijata, Institut za makedonski jazik “Krste Misirkov” – Skopje, Skopje, 1999, 213). Sipas një hipoteze, emri Vardar rrjedh nga gjerm. Vordol (i zi, i ndotur) nga koha e ostrogotëve, kur ata kanë banuar në këto anë.
Në hetimet e tij rreth toponomastikës së Shkupit, linguisti i Zagrebit Petar Skok merr në vështrim edhe emrin e këtij lumi dhe shtron pyetjen: Përse humbi emri i vjetër Aksios i këtij lumi dhe përse u zëvendësua me emrin e ri Vardar, të cilin sllavët e morën nga një mjedis josllav, nga turqit ose përmes manastireve greke? Emri i lumit Vardar te sllavët nuk mund të ketë një moshë shumë të vjetër, sikurse konstaton Petar Skok (P. Skok, Iz toponomastie Južne Srbije I. Predeo izmedju Prilepa i Kajmakčalana. II, Skopska kotlina, Glasnik Skopskog Naučnog Društva, Knjiga XII, Skoplje, 1936, 101), për shkak se nuk njeh metatezën sllave të likuideve, që do të jepte *Vradar, ngjashëm sikurse dhe tek emri i lumit Ardika – Radika ku ka vepruar kjo dukuri. Sllavët këtë emër e kanë marrë nga një mjedis etnik gjuhësor josllav, veçse këtu mbase jo siç shprehet Skoku me dyshim nga turqit ose nga manastiret greke, por me gjasë nga popullsia vendëse shqiptare.
Etimologjisë së emrit Vardar i sillet dhe filologu maqedonas Ilija Čašule (Ušte edono tolkuvanje na etimologijata na Vardar, Godišen zbornik, Kniga 23, Filološki fakultet “Blaže Koneski”, Skopje, 1997, 323), i cili propozon një shpjegim të ri, nga një leksemë mediterane bardum “i kuq”, var + dar = “lumë i kuq”, Vardar “Crvena Reka” (ose “Crvena Voda”).
Nga gjithë sa u shtjellua më sipër, etimologjia më e pranueshme për prejardhjen e emrit Vardar është kjo, që ky emër është i burimit trak Bardários (‘ujë i zi’) (Orel, Vladimir. A Handbook of Germanic Etymology. Leiden, Netherlands: Brill, 2003: 392). Por, edhe shqipja duket se ruan një relikt të vjetër të nomenklaturës së saj që lidhet me fjalën Bardh(ar) “lumë me ujë të bardhë“. Ndërsa mund të pohohet me vërtetësi që te sllavët emri i këtij lumi është recent (i ri), sepse ata kur erdhën pranë Vardarit, ky lumë e kishte formësuar dhe ngurtësuar identitetin e vet shekullor dhe nuk mund ta ndryshonin, sikurse ndryshuan rrjedhat më të vogla ujore të lumenjve të tjerë dhe u vunë emra sllavë (Bistrica, Treska, Crna, etj.).
Shqiptarët – të lidhur historikisht e spiritualisht me Vardarin
Të parët e shqiptarëve të sotëm, si duket, i dhanë emrin lumit më të madh në Maqedoni, Vardar, mund të mendohet në një lak kohe prej së paku prej dy mijë vjetësh. Ky emër është shumë i ngulitur edhe sot në gjuhën e tyre në përdorime të ndryshme, që dëshmon për karakterin sedentar të shqiptarëve në këto anë pranë Vardarit. Është me interes të përmendim se në Tetovë me rrethina emri Vardar përdoret me kuptimin e përgjithshëm “lumë”: Vardari i Prizrenit a ka shumë ujë? A ka Prizreni Vardar? Ky mbase mund të jetë një kuptim a nocion i vjetër i këtij emri, kur emri përkatës në përdorimin primar në fakt shënjonte “rrjedhën ujore, lumin”, khs. sikurse dhe Dri, në urdishten drja “lumë”.
Me emrin e këtij lumi Vardar janë të lidhura dhe shumë emërtime, toponime e shprehje të tjera në shqipen popullore:
Vardarí (Tetovë) 1. Emri i përbashkët i viseve që shtrihen në të dy anët e Vardarit, 2. Emri i përbashkët për banorët e katundeve që shtrihen në të dy anët e Vardarit. Vardarija vajshen ashtau! (Mehmet Topalli, Fjalë të rralla të shqipes, “Jehona” 6, Shkup, 1978, 769).
Vardár – lloj gruri i bardhë kokërrmadh, që rritet më shumë sesa farat e tjera të drithërave (Kërçovë, Strugë), Vardárkë (Prespë);
Vardarec – erë që fryn nga veriperëndimi, nga ana e luginës së lumit Vardar (Derven);
Vardarishte – ara pranë Vardarit (Oreshan – Karshiakë, Ozormishte – Tetovë).
Fraz. Nuk e lá Vardari – njeri i mbytur në borxhe (Kërçovë). Edhe në turqishten e Gostivarit: Vardar yıkamaz (me semantikë të njëjtë). Nuk e lá Velika (lumi i madh, Treska) – është zhytur shumë në borxhe. Edhe te maqedonasit përdoren shprehje të ngjashme me substa¬ncë idiomatike: I Velika ne go pere.
Vardari në shekuj e mijëvjeçarë ka pasur kuptimin e jetës, ka shuar etjen e popullsive të ndryshme dhe ka ujitur fushat pranë tij, duke ruajtur kështu dhe gjurmë të vjetra të popullsive ndejetare, sidomos të asaj shqiptare. Si element kryesor i jetës, ky lumë ka qenë dhe burim frymëzimi për poetët e publicistë. Këtu e një shekull më parë, në Gazetën e përjavshme “Shkupi” të Jashar S. Erebarës (16 nëntor 1911), shohim të jetë botuar një poezi me këtë përmbajtje:
VARDAR
Vardar ujë fort i ambël
Perendija ty jetë mos të dhantë
Ujën t’end kush e pinë
Nuk shikon as gjindjen as shtëpinë.
Vardarë po thuaj ujë si ari
Që kur njeriu s’fryhet tut paa
Ore ç’vardo njeriu afër teje përshkonë
Gjithnjo me dashuri ri e të shikonë
Vardarë lum fortë i gjatë
Po habitem vallë pse kom zemzem
e thatë
Ah! Sa herë ri e pot kujtoj
Menoj para se të iki dua tët mallkoj.
Kjo poezi është botuar pa emër të autorit. E në fund të saj jepen dhe këto shënime: Vardari rrjedh nga Malet e Shqipërisë së Sipërme (Malet e Korabit). Emrin e parë dhe ku i thonë Vardar, e nis që nga qyteti i Gostivarit, se atë qytet herën e parë e shikon. Kjo fjalë Vardar i thonë se ka mbetur nga romanët e vjetër, pse ata në një kohë bënë zotnillëk në Shqipëri, dhe bënë që kjo fjalë Vardar ka mbetur prej tyre. Vardari zgjatet afër 300 km. Është lumë i madh e i dëgjuar në Shqipëri të Sipërme, shumë fusha të Shqipërisë i lag e i përshkon, dhe sidomos Shkupin, kërthizën e Gegnisë politike e çan përgjysmë (100-vjetori i gazetës “Shkupi” (dokumente), Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Shkupi, Shkup, 2011, 86).
http://shenja.mk


Leave a Reply