“10 vjet martesë” sjell spektatore të rralla në teatër. Në kuadër të festave të 7-8 Marsit, vajzat dhe gratë e dënuara do të mund të shohin shfaqjes
Një ditë do të jenë të lumtura. Këtë mundësi ua ka dhënë regjisorja Inis Gjoni, e cila i ka ftuar të ndjekin shfaqjen “10 vjet martesë”, shkruar nga Alil Vardar. Vajzat dhe gratë që vuajnë dënimin në burg për shkaqe të ndryshme, do të jenë sot spektatore të kësaj komedie, vënë në skenë nga Gjoni. Shfaqja e ka pasur premierën në muajin dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar dhe vijon të jetë një nga pjesët më të ndjekura. Vepra mbart një mesazh për martesën dhe jo pa qëllim regjisorja ka zgjedhur në role dy aktorë që janë bashkëshortë dhe në jetë, Eni Janin dhe Genci Fugën. Komedia trajton jetën bashkëshortore të një çifti, Lizës dhe Aleksit, të cilët përballen me situata komike po aq dhe konfliktuale, që vijnë si pasojë e tradhtisë dhe xhelozisë. Çdo spektator e gjen veten të përfshirë në këtë shfaqje. Gratë e kanë parë veten te Liza (personazhi) në ditën e përvjetorit të 10 të martesës, e cila po mundohet të krijojë një atmosferë sa më romantike, duke u munduar të paraqitet përpara Aleksit sensuale dhe joshëse. Por po atë ditë, Aleksi i rrëfen se e tradhton dhe se kërkon të ndahen. Përmes situatave dhe grindjeve që krijohen, shpërfaqen personazhet që nisin të zbrazin të vërtetat e pathëna të bashkëjetesës, duke shprehur zhgënjimet e pësuara, tradhtitë, xhelozitë, pakënaqësitë dhe dëshirat e tyre në përpjekje për të gjetur fajtorin. Ndaj autori në këtë moment kthehet në retrospektivë dhjetë vite më parë, atje ku lindi dhe dashuria e tyre, duke treguar një pamje të qartë të kësaj bashkëjetese. Përgjatë këtij rrugëtimi ndeshim situata tradhtie dhe konflikte, por, nga ana tjetër, shohim dhe momente të bukura të jetës bashkëshortore. Atmosfera tensionuese, konfliktuale dhe pasionale përçon gjithë komedinë. Por në vorbullën e kësaj situate të pashpresë mosmarrëveshjesh, ku gjithçka duket se ka përfunduar, autori në fund na jep një zgjidhje befasuese, duke na çuar shumë vite para, te një çift tashmë i moshuar, i cili e ka kaluar jetën bashkë. Me sa duket, kompromisi është arma e fundit e një dashurie të mbaruar. Vepra është shkruar nga dramaturgu shqiptaro-francez, Halil Vardar, dhe është përkthyer nga shkrimtari Ylljet Aliçka.
Gazeta Shqip



Leave a Reply