Nëntoka e Floridës përbëhet nga një shtresë e stërmadhe shkëmbi gëlqeror. Shumë shpesh ky shkëmb gërryhet nga uji, duke krijuar shpella, të cilat në disa raste rrëzohen duke shkaktuar gropa thithëse në sipërfaqe
Prof. Iain Stewart, BBC
“Ishte sikur kjo gjëja të qe e gjallë… apo po rënkonte, po lëvizte rrotull, po bënte zhurmë, si një fantazmë.”
Ky është një mendim që vijon të përndjekë oficerin e policisë, Dagllas Dyval (Douglas Duvall), i cili, në mbrëmjen e 28 shkurtit 2013, iu përgjigj një thirrjeje urgjente në një lagje të qetë periferike të Tampës dhe e gjeti veten duke u përballur me botën e nëndheshme të Floridës.
Brenda një shtëpie të madhe njëkatëshe, toka ishte hapur dhe pati thithur trupin e Xhef (Jeff) Bush, 37 vjeç, ndërsa ai po flinte. Vëllai i tij, Xheremi (Jeremy), po përpiqej ta nxirrte, por trupi i Xhefit u thith në thellësi të tokës dhe nuk u gjet kurrë.
Vetëm përpjekjet e policit arritën ta shpëtojnë Xheremin nga gropa që vijonte të thithte dhe të shmangnin një tragjedi të dytë. Gropa thithëse natyrore e hapur, që i mori jetën Xhef Bush, nuk është e vetmja. Përgjatë viteve të fundit, shumica e gropave të tilla janë shfaqur gjatë natës në të gjithë botën, nga Kina në Guatemala, por është Florida vendi më i frikshëm.
Gushtin e kaluar, një kompleks pushimi u gëlltit nga një gropë e stërmadhe 20 metra e gjerë.
Pikërisht për të hetuar këtë fenomen shkatërrimtar unë udhëtova për në Florida, në përpjekje për të kuptuar se çfarë i shkakton gropat thithëse, si dhe gjeologjinë që e bën Floridën kryeqytetin e botës për këtë fenomen.
Pata mundësinë të eksploroj disa nga këto gropa natyrore dhe të ulem brenda tyre. Aty mund të shohësh se si shiu me përbërje acidore gërryese dhe uji nëntokësor gërryen pak e nga pak shtratin gëlqeror poshtë, duke prodhuar kavitete nën sipërfaqe.
Shpesh rëra apo balta e sipërfaqes shpëlahet në të njëjtën mënyrë nga këto gropa që ne i quajmë karste.
Problemi është se në disa raste, bota e nëndheshme e shpellave çahet deri në sipërfaqe dhe thith brenda gjithçka që gjendet sipër.
Këto “rrëzime” janë një kërcënim vdekjeprurës që sillet përqark botës së nëndheshme të Floridës.
Bill Braken, inxhinier strukturor që ka punuar me punonjësit e emergjencës në shtëpinë e Xhefit, më tregoi fotot që ai mori nga brenda vrimës atë natë të frikshme. Kur toka sipër vrimës u rrëzua, forca thithëse ushtroi presion mbi dyshemenë prej betoni sipër, duke thithur gjithçka që gjendej në dhomë.
Gropat thithëse janë shumë të zakonshme në të gjithë Floridën. Praktikisht i gjithë shteti i diellit, nga ishujt e jugut deri në kufi me Xhorxhian, është një platformë e stërmadhe guri gëlqeror që gërryhet nga ujërat nëntokësore. Ajo ka një klimë të lagësht me shumë shi.
Ky ujë shiu i mban kopshtet të gjelbër, mbush pishinat dhe ofron ujë të pijshëm për miliona njerëz. Por uji po konsumon edhe themelet e tretshme prej guri gëlqeror të Floridës.
Rezultati është një shtet që po rrëzohet nga brenda. Mes rrugëve të qyteteve, lagjeve të qeta dhe kopshteve të agrumeve, gropat po hapen shpesh për të zbuluar Floridën e fshehtë të nëntokës.
Rezidentët normalisht janë nervozë mbi pjesën e poshtme të Floridës. Sapo të çarat shfaqen në ndërtesat e tyre, pronarët nervozë thërrasin ekspertët gjeoteknikë.
Për çdo vit ka mbi 6500 kërkesa për ekzekutimin e policave të sigurisë të shtëpive të shkaktuara nga vrimat thithëse. Kjo e bën Floridën një zonë bumi për avokatët dhe gjeologët.
Por nuk ndodh shpesh që gropat thithëse të shkaktojnë tragjedi. Vdekja e Xhef Bush ishte e para në shumë dekada.
Vdekja e tij krijoi gjithsesi shqetësime mes komshinjve, të cilët jetojnë në një lagje të pasur të rrethuar me gardh dhe njëkohësisht zonë e nxehtë sa u përket gropave thithëse.
Por fakti është se gropat thithëse po bëhen gjithnjë e më të shumta në Florida dhe arsyeja për këtë është e paqartë. Shkaktarët janë enigmatikë, megjithëse fakti është se ka një “sezon gropash” dhe se klima duhet të ketë lidhje me këtë.
Gjatë muajve të verës, uraganet e brigjeve të gjirit të Meksikës përplasen mbi këtë shtet dhe hedhin shumë ujë mbi tokë brenda pak orëve, duke rënduar dheun e shpesh duke shkaktuar hapjen e gropave.
Në sezonin e thatë presioni duket se është më i paktë dhe ka më pak gropa thithëse.
Ndryshimet dramatike në panoramën ujore të Floridës mund të vijnë edhe nga një burim tjetër. Temperatura e ngrohtë dhe me reshje e këtij shteti bashkë me tokën pjellore e kanë bërë atë ideal për bujqësinë. Florida bashkë me Kaliforninë është kopshti i frutave të Amerikës.
Ajo është e famshme për plantacione agrumesh, të cilat vaditen pjesërisht me ujë nëntokësor të nxjerrë me pompa. Por ndryshe nga Kalifornia që ka klimë të ngrohtë përgjatë të gjithë vitit, muajt e dimrit në Florida mund të jenë të ftohta dhe frutat, veçanërisht luleshtrydhet, mund të dëmtohen nga ngricat.
Kështu që kur godet i ftohti, fermerët përgjigjen me vaditje më intensive me ujë të ngrohtë të nëntokës mbi fushat e luleshtrydheve. Ky pompim agresiv i ujërave nëntokësore, gjithsesi, mund ta ulë nivelin e baseneve ujëmbajtëse me dhjetëra metra brenda një nate. Kur kjo ka ndodhur në të shkuarën, një numër i madh gropash thithëse janë shfaqur.
Por nuk ka asnjë provë që të tregojë se pompimi i ujërave nëntokësore ka shkaktuar gropat thithëse drejtpërsëdrejti. Gjithsesi, kjo është një zile kujtese se presioni njerëzor po vendoset mbi sistemin natyror të Floridës.
Joshja nga dielli i Floridës po tërheq gjithnjë e më shumë njerëz në këtë shtet dhe zonat e banuara po zgjerohen me shpejtësi. Në të shkuarën, nuk është dalluar shumë fakti që banesat po u afroheshin zonave të egra. Tashmë jo më. Arsyeja e vërtetë e rritjes së numrit të gropave thithëse në Florida është njeriu.
Diçitura
1. Si në skenat e një filmi katastrofash, kjo gropë e stërmadhe u hap në kryqëzimin e dy rrugëve në Guatemala, më 2010-n
2. Policët vëzhgojnë një gropë tjetër të madh në Guatemala, më 2007-n
3. Disa gropa thithëse, si kjo në Meksikë, hapin një panoramë spektakolare nëntokësore
4. Një gropë e tillë në Pekin gllabëroi një kamion
Gazeta Shqip
Leave a Reply