Një tjetër krim brenda familjes ndodh në kryeqytet, ku një grua 35-vjeçare është vrarë me breshëri kallashnikovi. Sërish ngjarja ka qenë e paralajmëruar, pasi viktima ankohej për dhunën sistematike të së shoqit, ish-ushtarak, tashmë i alkoolizuar
Bilanci tragjik: Në 15 ditë, 4 gra të vrara nga bashkëshortët
Vala e vrasjeve në familje, ku viktimat kanë qenë bashkëshortet, ka goditur vrullshëm në këto ditë të korrikut, ndërkohë që në dy raste, njerëzit kanë pasur frikë të ndërhyjnë për të shpëtuar jetën e grave. Vetëm në gjysmën e parë të këtij muaji janë regjistruar katër raste të rënda të vrasjeve në familje, ku dy prej tyre u shënuan ditën e djeshme. Ngjarjet me përmasa të rënda nisën më 3 korrik, me një krim të dyfishtë në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku një polic burgjesh ekzekutoi bashkëshorten e tij, nënë e tetë fëmijëve, dhe më pas vrau veten. Teksa u mendua se ky do të ishte një krim i shkëputur, nuk ndodhi kështu. Të shtunën ndodhi një tjetër krim i rëndë pranë sheshit “Avni Rustemi”, ku në mes të rrugës, ish-burri vrau me thikë të shoqen, ndërkohë që kalimtarët, nga frika nuk mundën ta parandalojnë një ngjarje të tillë. Edhe policia nuk arriti të shpëtojë jetën e nënës së dy vajzave. Ndërkaq, dita e djeshme nisi me një tjetër vrasje gruaje, pikërisht në fshatin Fushë-Mamurras, ndërkohë që në orët e pasdites, një ushtarak në Tiranë qëlloi me automatik ndaj së shoqes e më pas plagosi rëndë veten, në tentativë për t’u vetëvrarë. Pikërisht për këto krime të rënda brenda familjes, pak kohë më parë u ndryshua edhe Kodi Penal, por deri më sot nuk ka dhënë asnjë rezultat.
Hetimet
Vrasja e gruas në rrugë, policia nuk hetoi denoncimin e viktimës
Ditën e vrasjes, Genci Çarçani duhet të jepte dëshmi. Hetuesit ia shtynë me disa ditë
Prokuroria e Krimeve të Rënda zbulon fakte tronditëse rreth krimit të së shtunës në kryeqytet, ku një grua është masakruar nga ish-bashkëshorti në rrugë me thikë. Viktima, Valbona Çarçani, kishte denoncuar dy ditë para ngjarjes se Genci Çarçani e kishte kërcënuar me jetë. Ajo është drejtuar në Komisariatin Nr. 1 për të bërë kallëzimin, i cili nuk u mor asnjëherë seriozisht. Madje, neglizhenca e oficerëve të policisë gjyqësore dyshohet se ka shkaktuar edhe tragjedinë. Ditën e ngjarjes, autori është ftuar në polici për t’u marrë në pyetje rreth kallëzimit të Valbonës.
Hetuesit, si në çdo kallëzim apo denoncim për dhunë në familje, i kanë bërë me dije Gencit se ishte denoncuar për kërcënime nga ish-bashkëshortja, ndërsa e kanë shtyrë edhe me disa ditë marrjen e tij në pyetje. Ai duhet të dëshmonte në Komisariatin e Policisë Nr.1 rreth orës 09:00 të së shtunës, por hetuesit i kanë shtyrë ditën e marrjes në pyetje. Më pas, autori, pas marrjes së dijenisë për kallëzimin, ka shkuar në afërsi të banesës së Valbonës dhe është ulur në një kafe. Ai ka marrë një thikë, të cilën ende nuk është zbardhur nëse e kishte marrë nga shtëpia apo e kishte blerë në një dyqan siç pretendon edhe vetë, dhe i ka dalë përpara. Në debat e sipër i dyshuari ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar disa herë në shpinë, në qafë dhe në gjoks ish-bashkëshorten, duke e lënë në mes të rrugës të shtrirë.
Edhe para prokurorisë, i dyshuari e ka pranuar krimin dhe ka treguar të gjithë kronologjinë e ngjarjes, duke pretenduar se ajo prej shumë vitesh e tradhtonte dhe nuk e lejonte t’i takonte dy vajzat. Sipas dëshmisë që ka dhënë 48-vjeçari Çarçani, ai pretendon se kishte kërkuar nga ish-gruaja që të sqarohej, por ajo e kishte goditur me çantë duke e acaruar bisedën mes tyre. Si pasojë e këtij debati, i dyshuari e kishte qëlluar disa herë me thikë dhe më pas është larguar për t’u arrestuar në sheshin e “Ushtarit të Panjohur”.
Ndërkohë, autori ka treguar para policisë edhe një tjetër fakt që ka çuar në krisjen e martesës. Në vitet e para të demokracisë, çifti ka ardhur në Tiranë te prindërit e Valbonës. Ata kishin edhe djalin me vete, në atë kohë vetëm 4 vjeç. Në një moment, djali i është shkëputur nga dora Valbonës dhe është rrëzuar nga ballkoni, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Për këtë ngjarje, Genci ka fajësuar gjithmonë viktimën e së shtunës. Mësohet se vajzat i kanë dërguar një letër babait, Genci Çarçanit, për arsyet e vrasjes së nënës së tyre.
Sot i dyshuari do të dalë para Gjykatës për Krime të Rënda, pasi vrasja e ish-bashkëshortes tashmë është kompetencë e Prokurorisë për Krime të Rënda. s.ç.
Dëshmia
I dyshuari e ka pranuar krimin, duke pretenduar se ajo prej shumë vitesh e tradhtonte dhe nuk e lejonte t’i takonte dy vajzat
Gazeta Shqip


Leave a Reply