
“Të gjithë pajtohen se mësimi plotësues është në rregull, por, kur vjen puna te mbështetja materiale, të gjithë tërhiqen, duke thënë se nuk ka para”
Konferenca me temën “E ardhmja e gjuhëve të para në Zvicër”, e mbajtur të shtunën që shkoi, ka bërë përpjekje për të hedhur dritë mbi zhvillimet në mësimin plotësues në gjuhët e komuniteteve të huaja në Zvicër.
Trajtimi jo aq i mirë i këtij mësimi dhe mungesa e një integrimi në sistemin shkollor të vendit, ka qenë pika në të cilën janë bashkuar shumica e referuesve dhe debatuesve.
“Parimisht të gjithë pajtohen se mësimi në gjuhën e prejardhjes në Zvicër është diçka pozitive por, kur vjen puna te mbështetja financiare, institucionet rrudhin krahët, duke thënë se nuk ka para për këtë destinim”.
Ruth Calderón është bashkautore e ligjëratës së prezantuar në këtë konferencë, me titullin “Rezultatet e anketës studimore rreth gjendjes së mësimit plotësues të organizuar në Zvicër”. Kjo ligjëratë ka shërbyer pastaj si bazë për shoshitjen e shumanshme të gjendjes aktuale në këtë fushë.
“Kolegia ime Rosita Fibi dhe unë kemi prezantuar rezultatet nga studimi ynë rreth gjendjes së mësimit plotësues në gjuhet e komuniteteve në Zvicër. Ai është përpiluar në mbështetje të hulumtimeve që kemi bërë në 6 kantone. Ne i kemi pyetur mësuesit e përfshirë në këto shkolla lidhur me kushtet në të cilat punojnë pastaj trajnimet të cilave u nënshtrohen etj.”, thotë Calderón për albinfo.ch.
Studimi ka treguar se ka shumë iniciativa për zgjidhje në forma të ndryshme të problemit të mësimit plotësues. Bëhet fjalë për organizim në trajtë të shoqatave, iniciativave të prindërve etj. “Duket se e ardhmja në këtë drejtim më shumë u takon shoqatave ose bartësve privatë të këtij arsimi dhe gjithnjë më pak konsullatave”, thotë Calderón.
Autoret e studimit po ashtu kanë konstatuar se mësuesit e huaj kanë më pak qasje në trajnime dhe përgatitje plotësuese profesionale. Por, nënvizon bashkëbiseduesja jonë, “rreth 80 për qind e tyre kanë sjellë me vete një përgatitje mjaft të mirë profesionale, të krahasueshme me atë që e kanë kolegët e tyre në Zvicër”.
Rreth integrimit të mësimit plotësues në sistemin e këtushëm shkollor, ajo nuk është shumë optimiste. “Megjithatë ka disa zhvillime sporadike, në disa kantone. Kantoni i Cyrihut në këtë aspekt qëndron më mirë se të tjerët. Ai ka imponuar disa kritere. Fjala vjen, të gjithë mësuesit duhet të kenë një shkallë të caktuar të njohjes së gjermanishtes, ata janë të detyruar të bëjnë trajnime për ngritjen profesionale etj. Në këtë drejtim po shkon edhe kantoni Baselstadt”, ka thënë bashkautorja e studimit.
Ruth Calderón: “Organizimi i shkollës shqipe, shembull për të tjerët”
“Por, në kantonet tjera nuk po ndodh pothuajse asgjë. Ndonjëri nga kantonet qe ne kemi hulumtuar nuk ka madje as ndonjë qendër me shënime se sa shkolla gjegjësisht sa nxënës ndjekin mësimin plotësues. Në disa kantone as qasja e këtyre nxënësve në hapësirat dhe mjetet mësimore nuk është e vetëkuptueshme!”.
Ndërsa pyetjes nëse ka vende ku mësuesit e huaj paguhen sikur ata të shkollës së rregullt, Calderón i përgjigjet negativisht. “Kemi në fakt vetëm dy përjashtime të vogla, në formë projektesh. Në Cyrih, në kuadër të projektit “Limatschule” punojnë disa klasë të integruara, ku mësuesit paguhen. Diçka të ngjashme ka edhe në Gjenevë”.
Por, ndryshe nga perceptimi kryesisht negativ që ka opinioni shqiptar për gjendjen e viteve të fundit nëshkollën me mësim në gjuhën shqipe, Calderón shpreh konsiderata për organizimin e kësaj shkolle.
“Në hulumtimet tona kemi parë që në veçanti shkolla në gjuhën shqipe, ka një organizim shumë të mirë. Ata kanë shumë oferta për mësuesit. Dhe, ajo që na ka befasuar, është se mësimi nuk paguhet nga shteti por është një organizim thjeshtë privat dhe megjithatë ata bëjnë shumë për trajtimin profesional të mësuesve, në krahasim me grupet tjera. Kjo është për të ardhur mirë”, është shprehur ajo.
“Mirëpo është për keqardhje se jo të gjithë mësuesit zviceranë i nxisin nxënësit e tyre të ndjekin shkollën në gjuhën amtare. Disa prej tyre madje as që e kane idenë se për çka bëhet fjalë”, thotë në fund Ruth Calderón.
Schader prezanton tekstet mësimore në gjuhën shqipe
Basil Schader është një profesor me përvojë i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut. Por, në njëzet vitet e fundit ai, krahas punës së tij parësore, është mishëruar shumë edhe me shkollën e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Ndërkohë ka thelluar studimet e tij për shqipen dhe tashmë ka edhe një doktoraturë të kryer në Tiranë.
Kështu, mund të thuhet se shkolla shqipe në Zvicër ka qenë veçanërisht me fat pasi ka përfituar nga kompetenca e lartë që ka profesori në të dy gjuhët dhe sistemet arsimore.
Ai ka qenë edhe në krye të disa grupeve punuese e studiuese për realizimin e disa projekteve në Prishtinë dhe në Tiranë për mësimin e shqipes në diasporë. Në konferencë, ai, së bashku me Nexhat Malokun, kryetar i LAPSH “Naim Frashëri”, ka prezantuar punën në fushë të përpilimit të teksteve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë.
“Me iniciativën e institucioneve të Kosovës, në kuadër të kurikulës për mësimin në diasporë janë përpiluar tetëmbëdhjetë libra në trajtë të fletoreve të punës, nga gjashtë sish për tri nivele të ndryshme”, ka sqaruar Schader, para një auditori prej mësuesve të komunitetit italian, portugez e shqiptar.
Më tutje ai ka nënvizuar se puna për realizimin e këtyre librave është bërë nga dy grupe punuese; njëri i përbërë nga ekspertët e profesionit dhe tjetri nga mësuesit e diasporës. Përfshirja e këtyre të fundit, ka theksuar Schader, ka qenë me rëndësi të veçantë, pasi që ata e prekin për çdo ditë realitetin e mësimdhënies në kushtet specifike të diasporës. Prezantimi i metodologjisë së ndjekur në përpilimin e teksteve në gjuhën shqipe ka bërë kureshtarë mësuesit dhe të pranishmit tjerë në punëtori.
..
Blerim Shabani
http://www.albinfo.ch/sq/node/26948


Leave a Reply