
Një nëndetëse britanike në vitet ’60 lundroi në misione stërvitore, misione testimi armësh apo misione përgjimi. Por si ishte jeta në atë kuti metalike? Katër marinarë tregojnë 50 vite më vonë
Sarah-Jane Hughes, BBC
Koha e gotës në Ocelot Ted (pas, i dyti majtas), dhe Billi (pas, djathtas).
Në kulmin e Luftës së Ftohtë, anija e Madhërisë së Saj (HMS) Ocelot shërbeu në mënyrë sekrete në vijën e frontit. Në betejën klandestine kundër marinës sovjetike, ajo nëndetëse duhej të qëndronte e zhytur për shumë javë pa ndërprerje, në heshtje duke parë dhe dëgjuar armikun. Pesë anëtarë të ekuipazhit të saj të viteve 1960, rikujtojnë sot jetën e tyre të jashtëzakonshme poshtë valëve të detit.
Brajën Dyfrej (Brian Defurey), Ron Hiçkin (Hitchin), Norman Hart, Riçard Dikson (Richard Dixon) dhe Xhon Uakelin (John Wakelin) sot janë që të gjithë pensionistë, por sërish e thërrasin njëri-tjetrin sipas nofkave që i patën dhënë vetes 50 vjet më parë – Billi, Ted, Nobi, Diksi dhe Uaker. Ata shpesh takohen për të përkujtuar kushtet e ngushta dhe atmosferën miqësore të të punuarit, të jetuarit dhe të marrit frymë me 65 burra të tjerë.
“Ti gjithmonë përplaseshe me të tjerët”, thotë Billi. “Jo se diçka e tillë e shqetësonte tepër ekuipazhin. “Shumica e burrave në anije e konsideronin situatën si të qenët në një dhomë brenda shtëpisë së tyre. Përveç kësaj, çdo shenjë klaustrofobike përhapet me shpejtësi në jetën në anije”.
Stërvitja e jashtëzakonshme e marinarëve të nëndetëseve britanike – historikisht të denoncuar nga marinarët e tjerë si “piratë” – përfshinte arratisjen nga një dhomë nënujore të thellë pa aparat frymëmarrjeje apo të qëndruarit të mbyllur në një dhomë presioni në errësirë dhe të përmbytur.
Por Nobi rikujton një incident të rrallë, kur një marinar pati një farë paniku, ndërkohë që Ocelot po zhytej. “Ai po bërtiste ‘dua të dal jashtë, të dal jashtë’, dhe u përpoq të hapte dhomën e shpëtimit.”
I mposhtur nga shokët dhe i tulatur – për hatër të sigurisë së tij dhe të të gjithë ekuipazhit – ai u mbajt nën mbikëqyrje deri sa u dërgua në një anije tjetër.
Nëse hapësirat e ngushta nuk i shqetësonin ata, era e keqe ishte diçka që nuk u kalonte dot pa u vënë re.
“Nëndetësja kishte erë të qelbur”, thotë Diksi. “Kishte erë nafte, djerse, pordhash dhe ushqimi. Uji ishte i racionuar, veçanërisht nëse ishim nisur për ndonjë operacion tinëzar (operacion spiunimi), për shkak se nuk dihej se sa gjatë do të vijonte shërbimi. Kishte vetëm një kovë të vogël me ujë në javë për t’u larë dhe rruar. Kështu që askush nuk shqetësohej për higjienën.”
Edhe më keq qenë në patrullimet e gjata thasët e shumta me plehra që ngjiteshin deri në tavan dhe qelbeshin nëpër korridore. “Ato nuk mund të hidheshin nga anija, sepse rrezikonim të zbulonim pozicionin tonë para armikut”, shpjegon Billi. “Kështu ato mbaheshin deri sa të mund të hidheshin në mënyrë të sigurt.”

Billi (majtas), Diksi, (qendër), Ted (i treti majtas) dhe Nobi (i dyti djathtas) me anëtarët e ekuipazhit më 2012
Ekuipazhi mund të vishte çfarë të donte sapo anija dilte në det. Të njohur si “qerthulli i piratëve”, veshja e tyre shpesh konsistonte në një palë xhinse të vjetra apo pantallona të shkurtra, të cilat shumë rrallë ndryshoheshin.
Billi rikujton se çorapet e Diksit mund “të ngjiteshin pas murit” nëse përplaseshin. Ai akuzohet se është veshur një herë me rroba arushi dhe paliçeta bordellosh, megjithëse Diksi e mohon këtë.
Të dhënat për historinë e shërbimit të Ocelot nuk janë publikuar kurrë nga Ministria e Mbrojtjes, por në vitet 1960 ajo ishte angazhuar rëndë në operacione klandestine, krahas stërvitjeve të NATO-s dhe testimit të armëve.
Shumica e operacioneve nuk u publikuan kurrë, madje as të vetë ekuipazhit, të cilëve zakonisht u thuhej se po kryenin ushtrime stërvitore apo “lojëra lufte”.
“Por ne e dinim se po niseshim për një operacion të vërtetë hileqar, gjithsesi”, thotë Nobi, “për shkak se dikush do të pikturonte ca numra në kullën e nëndetëses.”
Njëra nga “stërvitjet” nënkuptonte që anija të qëndronte e padalluar në tabanin e detit, në heshtje duke mbledhur informacion mbi një anije armike mbi të.
Burrat ndiqnin një “rutinë të heshtur”, për shkak se operatori i solarit të armikut në kuptimin e drejtpërdrejtë mund të dëgjonte qoftë edhe një çelës që rrëzohej te nëndetësja poshtë.
Duke komunikuar me pëshpërima, ato vendosnin gjithashtu shtresa gome në dysheme dhe mbanin këpucë gome për të mos bërë zhurmë kur ecnin.
Shpesh ekuipazhi nuk ia kishte idenë se ku gjendeshin, megjithëse temperaturat në bord mund të sugjeronin se gjendeshin diku në Mesdhe apo diku mes ujërave të ngrira të Rusisë.
Kur ata ritakohen, burrat mbajnë mend recitimin e aktit zyrtar mbi sekretet dhe të qenët të ndaluar për të folur mbi punën që kryenin.
Në bord, çdo burrë kishte punën e vet për të bërë, qoftë ajo mbushja e tubave me torpedo apo operimin e radarit, por që të gjithë kishin njohuri mbi funksionimin e anijes. Gjatë natës ajo ndriçohej nga një dritë e kuqe e zbehtë. Kishte tri turne pune të alternuara dhe çdo ditë ishte e ndarë në ditë pune, ditë kontrolli, ditë pastrimi apo fjetjeje e ngrënieje.
“Ushqimi ishte më i mirë sesa në shërbimin e përgjithshëm (anijet e sipërfaqes)”, mban mend Uaker, “unë nuk pata kurrë një darkë të keqe”.
Kishte biftekë me puding dhe domate kavanozi me proshutë apo ushqime të tjera shumë të shijshme të gatuara në nëndetëse.
Ata hanin në vende shumë të ngushta në mensën e nëndetëses, ndërsa oficerët drekonin në një mensë të veçantë. Furnizimet e freskëta zgjatin për dy apo tri javë pasi largoheshin nga porti, pastaj çdo gjë vinte nga konservat.
Përveç çajit dhe kafesë, pijet e ditës përfshinin edhe të famshmin racion rumi të marinarëve. Ky racion u ndalua në vitin 1970, kështu që një pjesë e madhe e marinarëve të Ocelot e patën shijuar tërësisht këtë pije që shërbehej në “kohën e gotës”. Billi kujton se sa shumë gëzoheshin kur njoftohej mbërritja e pijes. “Rumi ishte si mjaltë, – çdokush rigjallërohej pas kësaj.”
Kur nuk ishim në detyrë, burrat punonin shumë për të hequr mendjen nga mungesa e televizorit apo muzikës. Lojërat e tavolinës apo ato me letra qenë mjaft popullore dhe shumë lexonin libra. Rezultatet e ndeshjeve të futbollit dëgjoheshin me shumë interes.
Biseda mbetej gjithmonë e përgjithshme dhe lehtësisht e nxehtë – askush nuk diskutonte operacionet, fenë apo politikën, duke e ditur se kështu do të hynin në ujëra të rrezikshme. Burrat thjesht duhej ta toleronin njëri-tjetrin, ndërsa temperamentet natyrisht që zbuteshin, veçanërisht nga fundi i patrullimeve të gjata. Mosmarrëveshjet zbuteshin me shpejtësi për hatër të sigurisë së çdokujt.
Uaker rikujton gjëegjëzat që qarkullonin nëpër anije, si dhe pjesëmarrjen në shërbimin “kishtar” të së dielës në pjesën e përparme të anijes. Të mbajtura nga një oficer, himni “Për ato rreziqe në det” shpesh këndohej nga kongregacioni që ishte ngushtuar pranë torpedove.
Dhoma e ngrënies ishte gjithashtu edhe zonë gjumi, lojërash dhe kinemaje. Filmat merreshin hua në bibliotekën e Marinës në port, Tomi dhe Xherri të Fred Kuimbit (Quimby) qenë veçanërisht popullorë, vëren Uaker.
“Çdokush merrte një rol, të Stiv Mekuin apo ndonjë-tjetri dhe pastaj hiqte zërin e recitonte pjesën”, thotë Nobi duke qeshur. Ata shikonin njëri-tjetrin, shpesh të veshur me rroba gallate, ndërsa të tjerët flinin në krevatet e marinarëve prapa ekranit. Krevatet qenë aq të vogla sa pasi të hyje te to, nuk kishte shans të rrotulloheshe. Diksi mban mend se si këmba e tij vazhdimisht dilte jashtë fundit të krevatit. Çdo burri i kishin dhënë një jastëk dhe një thes gjumi, por krevatet qenë shpesh “krevate të nxehta” – pasi dilte një marinar, hynte një tjetër. “Ishe aq i lodhur sa thjesht zhyteshe dhe flije, me rroba veshur,” rikujton ai.
Disa si Uaker patën një foto të gruas dhe vajzës të ngjitur te krevati. Të tjerët nuk qenë kaq romantikë. Dikush kishte një fotografi të makinës së shumëdëshiruar Aston Martin DB5 – makina e Xhejms Bondit, të varur te zyra e radarit.
A i mungonin gratë dhe të dashurat? Nobi pranon se bëhej gjithnjë e më e vështirë nga fundi i misionit në varkë dhe Uaker, si shumë të tjerë, doli nga shërbimi kur fëmijët e tij erdhën në jetë.
Burrat ndienin se puna ishte diçka thjesht për t’u bërë dhe izolimi i plotë, pa telefona, pa telegrame, pa letra – qenë gjëra që duhej të përballoheshin.

Xhon (Uaker” Uakelin (majtas) në nëndetësen e Madhërisë së Saj
Mesazhe personale telegrafike mund të merreshin nga varka, por vetëm kur ajo ishte pranë ose në sipërfaqe dhe shpesh këto mbaheshin sekret nëse operacioni ishte duke vijuar.
Si operator radioje, Nobi merrte mesazhet dhe në disa raste ato nuk qenë lajme të mira. “Ne merrnim disa mesazhe të llojit ‘I dashur Xhon’”, thotë ai, “por sinjali më i keq që mora ndonjëherë ishte për një shok, bashkëshortja e të cilit pati humbur fëmijën në abort të padëshiruar. Kapiteni më urdhëroi të mos i thosha atij deri në fund të operacionit, duke e ditur sesa shumë do të trishtohej ai.”
Sapo u kthyen në port, marinari mori lajmin e keq dhe u lejua të largohet nga anija. “Ai ishte në lot, nuk e pashë kurrë më pas.”
Ata që dolën vullnetarisht për të shërbyer në nëndetëse e dinin se kushtet qenë primitive dhe shumë të rrezikshme. Por çfarë i shtyu të ndërmerrnin një aventurë të tillë?
Një avantazh i madh ishte atmosfera shoqërore për marinarët e nëndetëseve, pjesërisht e krijuar nga një ndarje më e vogël mes oficerëve dhe marinarëve të thjeshtë, si dhe kushteve më të lehta të disiplinës dhe uniformave në krahasim me shërbimin e përgjithshëm.
Por, për shumë nga këta burra të rinj, kishte një “shpërblim operacional”, një shans i rrallë gjatë Luftës së Ftohtë për të shkuar ballë për ballë me armikun dhe në anije lufte të klasit të parë. Ose, siç e shpjegon Uaker, “ishte një farë aventure për djemtë”.
Djemtë e Oceloti ritakohen rregullisht për të kujtuar ditët e tyre mbresëlënëse të trimërisë nën det. Ndërsa tatutë e marinarëve janë errësuar me kalimin e kohës, shoqëria është ende e dukshme.
“Ti nuk zë dot miqësi si kjo, pasi ke dalë nga shërbimi si marinar”, thotë Billi.

Nëndetësja Ocelot
Lëshuar më 1962, ajo shërbeu përgjatë të gjithë Luftës së Ftohtë
Nëndetëse elektrike diezel, Ocelot mbante torpedo dhe rreth 70 burra
Një nga anijet më me pak zhurmë në atë kohë, ajo ishte shumë efektive si mjet për vrojtime dhe përgjime për mbledhje informacioni
Pasi la shërbimin aktiv më 1991-shin, ajo përbën një atraksion turistik në një port të Britanisë
Piratët e mbretëreshës

Lufta me nëndetëse fillimisht konsiderohej si luftë jo e përshtatshme për zotërinjtë dhe rrjedhimisht krahasohej me piraterinë
Nëndetëset e Marinës Mbretërore që kthehen nga aksioni sërish valëvisin flamurin e piratëve
“Shërbimi i heshtur” ka qenë pjesë e çdo operacioni të rëndësishëm që nga viti 1902
Kryqi i Viktorias u është dhënë marinarëve të nëndetëseve shtatë herë
Gazeta Shqip


Leave a Reply