![]()
A ekziston një lidhje midis të qenët mëngjarash dhe skizofrenisë dhe përse janë mëngjarashët më të prirur të arrijnë suksese
Mëngjarashët
Personat që përdorin dorën e majtë historikisht kanë pasur një jetë të vështirë, që prej detyrimit në shkollë që të shkruajnë si gjithë të tjerët me të djathtën deri tek diskriminimi për këtë veçori.
![]()
Shumica e njerëzve besojnë se të qenët mëngjarash është një çështje gjenetike dhe këtu mund të ketë një lidhje me një studim të ri që tregon se mëngjarashësia mund të vijë si pasojë e të metave të zhvillimit. Kjo lind dyshimin se mëngjarashët janë më të prekshëm nga disa sëmundje mendore, po ashtu edhe të prirur ndaj aksidenteve.
Të qenët mëngjarash është lidhur kohët e fundit me tërheqjen e fortë për nga transeksualizmi, por po ashtu edhe me arritjet brilante në jetë.
A janë mëngjarashët brilantë në mënyrë dispropocionale? Albert Ainshtajni, Leonardo da Vinçi dhe Pol Mekartni janë mes tyre. Kërkimi i fundit mbi personat që përdorin aktivisht dorën e majtë vjen nga Universiteti i Jeillit.
![]()
Shkencëtarët pretendojnë se studimi i tyre tregon se ekziston një lidhje e fortë midis mëngjarashëve dhe sëmundjeve psikologjike si skizofrenia. Teksa një nga dhjetë njerëz në botë janë mëngjarashë, studimi i publikuar këtë muaj në revistën SAGE, zbuloi se katër nga dhjetë prej të prekurve me skizofreni përdornin aktivisht të majtën. Kjo tregon se ata kanë katër herë më shumë gjasa se personat që shkruajnë me të djathtën të preken nga kjo sëmundje.
Një studim tjetër tregon se kushtet e vështira në barkun e nënës siç mund të jenë toksikët, stresi dhe kequshqimi, mund të rrisin gjasat që fëmija të lindë mëngjarash. Kërkuesit nga Spitali Graylands në Australi panë të dhënat e shëndetit të 1000 gjimnazistëve të lindur në Beograd. Ata zbuluan se adoleshentët që përdornin dorën e majtë kishin më tepër të ngjarë të ishin lindur prej nënave të cilat pinin duhan gjatë shtatzënisë. Shkencëtarët australianë besojnë se studimi i tyre tregon se ndonëse të qenët mëngjarash është e lidhur me gjenetikën, ka edhe shumë raste të tjera që vijnë prej problemeve që vuan fetusi në mitër.
![]()
Megjithatë mëngjarashësia nuk është një çështje e pastër gjenetike, ka raste kur edhe binjakët identikë, të cilët ndajnë 100 për qind të njëjtat gjene, nuk përdorin të njëjtat duar.
Një studim i 50,000 binjakëve identikë në Queensland, Australi, zbuloi se shanset e trashëgimit gjenetik të mëngjarashësisë ishin vetëm 25 për qind. Pjesa tjetër u takonte shkaqeve mjedisore.
Një studim nga Universiteti i Harvardit raportoi se aksidentet që u ndodhnin mëngjarashëve ishin më të shumta, për shkak se shumë vegla apo makineri janë projektuar për personat që punojnë me të djathtën.
Lidhja me transeksualitetin
Rikard Grin (Richard Green), profesor psikiatrie në Klinikën e Identitetit Gjinor në Londër, zbuloi se shumica e meshkujve dhe femrave transeksuale ishin mëngjarashë. Këta persona kishin shenja gishtash më të theksuara. Sipas profesor Grinit, preferenca e dorës dhe shenjat e gishtave formohen në 15 javët e para pas konceptimit. Ai thotë se zhvillimi i tyre në mitër mund të influencohet prej testosteroneve dhe kjo mund të shkaktojë pakënaqësi në lidhje me gjininë që ka personi. Një studim tjetër që analizonte transeksualitetin e lidhte atë më tepër me gjendjen e keqe shëndetësore dhe mendore të nënës gjatë shtatzënisë. Ky studim beson se shumë raste të mëngjarashësisë mund të përcaktohen përfundimisht në kohën e lindjes.
Arritje të mëdha?
A janë mëngjarashët si Ainshtajni, Da Vinçi, Aristoteli dhe Darvini mendje brilante?
Kris Mekmanus, profesor psikologjie në Londër, argumenton duke thënë se një grup i madh mëngjarashësh kanë shënuar arritje të mëdha në shumë fusha të jetës. Ai tha se mënyra e ndryshme e strukturimit të trurit të mëngjarashëve i ka pajisur ata me aftësi të ndryshme. Ata i përdorin të dyja hemisferat e trurit gjatë të folurit, ndërsa personat që kanë aktive dorën e djathtë përdorin vetëm anën e majtë të trurit. Profesor Mekmanus shprehet se edhe gjenet luajnë pjesën e tyre në mëngjarashësi, duke qenë se ai ka identifikuar të paktën 40 gjene që kontribuojnë në këtë veçanti.
Mëngjarashët kanë nëna më të vjetra?
Profesor Mekmanus, autor i librit Right Hand, Left Hand, thotë se numri i mëngjarashëve është në rritje. Të dhënat tregojnë se ata përfaqësonin vetëm 3 për qind të njerëzve të lindur përpara vitit 1910, ndërsa tani ata përbëjnë 10 për qind të popullsisë.
Kjo dukuri mund të jetë në njëfarë mënyre meritë e kalimit të diskriminimit të mëngjarashëve që shpesh rriheshin për të ndërruar dorë. Duke qenë se ndaj tyre ushtrohej dhunë, këta persona bëheshin më të ndrojtur, duke rezultuar në martesa të pakta dhe riprodhim të kufizuar.
Teksa diskriminimi u shua në shekullin e 20, numri i mëngjarashëve natyralë filloi të rritej. Profesor Mekmanus vëren se mosha në rritje e mëmësisë ka ndikuar po ashtu. Sipas tij nënat që lindin fëmijë në moshë të madhe kanë më shumë gjasa të lindin mëngjarashë.
Gazeta Shqip


Leave a Reply