
KOHA
Ajo që veçonte tek Nehati, ishte një organizator i shkëlqyer dhe një veprimtar i shquar për çështjen kombëtare-shqiptare. Në vazhdimësi, koha kërkonte që Nehati së bashku me shokët e tij të ishin aktiv në mbështetjen e familjarëve, të afërmve të tyre dhe të popullit të tyre, të cilët nuk e gëzonin lirinë dhe të drejtat e plota në Jugosllavinë e asokohshme. Sot, Nehati llogaritet si “njeriu i ndryshimeve” në Danimarkë
Arben HOXHAJ
Shqiptarët në Danimarkë janë të shumtë, e të integruar në jetën daneze, punëtore dhe njerëz që i respektojnë rregullat dhe ligjin. Ata i gjen tashmë në çdo cep të Danimarkës.
Të ardhurit e parë tashmë gëzojnë pensionin dhe pleqërinë e tyre të ndarë, ca në Danimarkë, e ca në vendlindje. Fëmijët e tyre tashmë janë të mirëintegruar në jetën daneze. Këta punojnë dhe jetojnë në këtë vend të bukur skandinav dhe ruajnë kontaktin me vendlindjen, ndonëse asimilimi mundohet të bëjë punën e vet . Por, ku në mes të këtij komuniteti gjenden persona si Nehat Zumberi, vendlindja është më pranë dhe integrimi në jetën daneze është më i plotë. Me Nehatin, asimilimit i duhen shekuj për të ardhur mes shqiptarëve.
![]()
Nehat Zumberi lindi më 1954 në f.Sllupçan, në rajonin e Kumanovës, nga prindërit Ramadan Zumberi dhe e ëma Remzie Zumberi, që do të rrisnin plot 7 fëmijë, 5 djem dhe 2 vajza. Nehati ishte fëmija i madh dhe ai u rrit pranë odës së burrave, në një familje me tradita patriotike që i kanë dhënë kombit në çdo moment kyç të historisë së tij. Nehati, në vazhdimësi do të rritej duke dëgjuar historinë e lavdishme të popullit të tij. Por, duke u rritur, filloi të kuptonte më mirë represionin dhe thundrën e pushtetit Jugosllav të asokohshëm në keqtrajtimin sistematik që u bëhej shqiptarëve. Pasi kreu arsimin e mesëm në vendlindje, për shkak të angazhimeve të tij në rezistencën që populli shqiptarë bënte në Jugosllavi, detyrohet të braktisë vendlindjen për t’u vendosur në Danimarkë. Jeta e Nehatit do të niste si jeta e çdo emigranti, të cilit do ti duhet të përballet me një jetë të re: me mësimin e gjuhës daneze, gjetjen e punës dhe ndihma financiare që duhej dërguar për të mbajtur familjen në vendlindje që kishte. Këtu në Danimarkë, Nehati do të gjente dhe plot shokë të tij, te cilët si ai ishin larguar për të njëjtin qëllim nga vendlindja dhe së bashku me ta do të ndërtonin një jetë të re në Danimarkë.
Një veprimtar i shquar për çështjen kombëtare
Ajo që veçonte tek Nehati, ishte një organizator i shkëlqyer dhe një veprimtar i shquar për çështjen kombëtare-shqiptare. Në vazhdimësi, koha kërkonte që Nehati së bashku me shokët e tij të ishin aktiv në mbështetjen e familjarëve, të afërmve të tyre dhe të popullit të tyre, të cilët nuk e gëzonin lirinë dhe të drejtat e plota në Jugosllavinë e asokohshme. Ishte koha kur bota e qytetëruar perëndimore duhej të kishte informacionin e duhur për atë që ndodhte në Jugosllavi, andaj propaganda jugosllave bënte punën e saj.
Protestat e organizuara nga shqiptarët në Gjermani, Zvicër, Suedi – do të kishin prezent në mesin e tyre dhe Nehat Zumberin. Po ashtu, dhe në Danimarkë, ata do të organizonin shoqatën e parë “Besa”, ku Nehat Zumberi do të zgjidhej kryetar. Me zgjidhjen e tij si kryetar, do të duhej një përkushtim i madh për çështjen shqiptare, për informacionet e ndryshme të vinin, se çka bëhej në Jugosllavi dhe kjo bënte që ky veprimtar i shquar i kauzës shqiptare të mos ishte me ditë të tëra në shtëpinë e tij.
Fjala e Nehatit ishte si “urdhër”, por i ngjiste dhe si zamkë. Një kohë e cila për brezin e tij, ideali kombëtar ishte i pari dhe pastaj duhej puna. Aksionet në mërgim kërkonin kohë dhe mjete financiare, të cilat Nehati dhe shokët e tij do t’i merrnin nga vetja e tyre dhe nga puna e tyre. Historia e krijimit të shoqatës së parë shqiptare “Besa” dhe puna e veprimtaria e saj kanë jehonë dhe në ditët e sotme. Kjo ishte një punë e shkëlqyer e bërë për të mirën e të gjithëve, ku çdonjëri që dëshironte të kontribuonte për çështjen shqiptare ishte i mirëpritur. Pritja e delegacioneve të ardhura nga vendlindja, Evropa dhe deri nga Amerika, ishin pjesë që kërkonin angazhim e kohë. Kjo punë bëhej nën presionin dhe kërcënimet e ish-Jugosllavisë, regjim i cili ishte aktiv kundër çdo gjëje shqiptare dhe që dëshironte të mbulonte të vërtetën e që ta paraqiste ndryshe për gjithë botën e qytetëruar.
Represionet, ndjekja e shqiptarëve, burgosja dhe moslejimi i gjuhës shqipe, vrasjet politike të kryera nga regjimi jugosllav, kërkonin kohë për të bindur opinionin evropian dhe atë botëror për një çështje të madhe, për një çlirim që duhej të kishte populli shqiptar, i cili për dekada të tëra ishte nën sundimin e huaj. Kjo punë, përkushtim, përpjekje dhe organizim kishte përherë Nehatin në krye të punëve që të bëhej. Kjo ishte një punë e nisur nga Nehati dhe shokët e tij, e cila sot është e kurorëzuar dhe ku sot kemi shtetin më të ri në botë. Ajo dëshirë, të cilën Nehati e kishte në rininë e tij, tashme është e realizuar.
Ëndrra e tyre e rinisë është bërë pothuajse realitet, ku fundi i shek.XX dhe fillimi i shekullit të ri janë të mbarë për shqiptarët dhe çështjen e tyre, me miqtë e shumtë kudo në botë, me Pavarësinë e Kosovës dhe me të drejtat pothuajse të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni.
Aktivist i palodhur për të promovuar kulturën shqiptare
Do të ishte e pakuptimtë të mos shkruanim se për Nehat Zumberin, mendimi është unanim dhe pozitiv pothuajse tek të gjithë shqiptarët, kjo e rralle për vetë traditën tonë. Por, për Nehatin, çdo person që takon, të flet me admirim dhe ai është aty ku ka prezencë të kulturës shqiptare në Danimarkë. Prezantimi i kulturës së vendit tuaj për mendimin tim është ura e parë lidhëse mes vendit ku jeton e punon dhe vendlindjes. Në shumë veprimtari, të cilat do të prezantonin shqiptarët në Danimarkë, ky burrë do të ishte prezent aty. Koha ecën dhe gjithçka që është bërë është e memorizuar në fotografi apo në filmime të ndryshme. Por kjo është ajo që duhet të bëjë çdo njeri për të prezantuar vendin e tij, si organizimi i koncerteve, pritje deri tek “Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore”, kontakti i vazhdueshëm me shumë grupe dhe këngëtarë, poetë dhe shkrimtarë që do të gjenin përherë Nehatin, njeriun e duhur i cili do t’i ndihmonte ata për të realizuar aktivitetin e tyre, për të bërë që të njihej më mirë dhe në Danimarke kultura jonë, mikpritja dhe zemra bujare e shqiptarit.
Organizimet e festave
Kanë pasur rastin shumë shokë e dashamirë të tij të jenë prezent në organizimet e shqiptarëve që bëheshin në shtetin danez, e ku gjenin prezent në të këtë burrë. Shumë shqiptarë të cilët jetojnë në Danimarkë pohojnë se “pa Nehatin, plaku i Vitit të Ri, fëmijët nuk mund të jenë të gëzuar. Ata kur të rriten do të kujtojnë me respekt xhaxhin Nehat dhe veprimtaritë e bukura të bëra nga ai”. Madje, të tjerët dëshmojnë: “Ai është një orator që do ti kishte shkuar për shtat puna e gazetarit, madje llogaritet njeriu i ndryshimeve në këtë pjesë të Skandinavisë”. Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë do të organizoheshin për shqiptarët në Danimarkë nga “Radio Projekt 21” dhe “Alba-Dansk”, festime të cilat do të mbahen mend gjatë për shqiptarët në Danimarkë, festime ku do të ishin bashkë shqiptarët nga Skandinavia, Kanadaja dhe Amerika. “Prezenca e Nehatit në festen tonë nuk ishte e zakonshme, ai kishte hedhur në krah flamurin kombëtar dhe ishte prezent në sallë. Pas festës së madhe, një festë tjetër, e cila do të vazhdonte deri në mëngjes, si për të bërë më të paharrueshme 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”, thonë miqtë e Nehatit.
Për këtë veprimtar ka ende të thuhet më tepër që është një shëmbëlltyrë e shquar e shqiptarëve në viset e Skandinavisë por edhe në vendet tona të Shqipërisë Etnike.
(Autori është Kryetar i Shoqatës Alb-Dansk)
Komente (1 publikuar):
Luigj Shkodrani në 03/12/2013 23:11:31
REAGIM NDAJ SHKRIMIT-Nehat Zumberi, nderi i shqiptarëve në Danimarkë.
Une qe po ju shkruaj ,jam sekretari i shoqates “Alba – Dansk” ,njekohsisht dhe gazetar.Po ju drejtohem per shkrimin e mesiperm,qe shkrimi eshte marre ne adresen : ( http://albadansk.dk/?p=15819 )dhe nuk arrijme te kuptojme se pse eshte deformuar ky shkrim i joni.Dhe pse eshte shkruar qe autori eshte Ambasadori i Shqiperise ne Danimarke,Arben Pandi. Ju lutem beni reagim ndaj ketij shkrimi,sepse ju dhe une e njohim mire te drejtat e autorit dhe ju e dini mire se jetojme ne nje shtet demokrat qe njihen ligjet e te drejtat e autorit. Ndaj ju kerkojme ne menyren me te shpejte te mundeshme te na jepni sqarim per kete deformim te shkrimit tone dhe tjetra ju nuk keni marre leje ta botoni shkrimin tone,apo te vini poshte burimin se nga e keni marre shkrimin,kjo eshte mese normale.Mendoj se jeni edhe ju te nje mendimi me mua ,qe ketu kemi te bejme me nje shkelje te rende per ne gazetaret.Ju lutem po ju presim pergjigjen tuaj. Ne pritje te pergjigjes Luigj Shkodrani – Danimarke
——-
———————————————————————————-
Shenim i redaksise se” Alba – Dansk”
Te nderuar !
Ju bejme me dije se ky shkrim eshte botuar nje here ne gazeten “Koha” ,por pas reagimit te sekretarit te shoqates”Alba – Dansk” dhe te vete autorit te shkrimit,ky shkrim u ribotua edhe njehere duke bere korrigjimet e nevojshme.
Si qendron e verteta e shkrimit ?
Dy studente te rinj te universitetit ne Maqedoni e kane marre shkrimin dhe e kane perpunuar si kane dashur ata dhe pastaj duke vene emrin e ambasadorit te Shqiperise ne Kopenhagen e kane percjelle ne redaksine e gazetes “Koha” ne Maqedoni. Ne si redaksi e “Alba – Dask” morem nje mesazh nga nje anetar i shoqates ,ku na u be me dije situata e shkrimit te deformuar dhe menjehere ne ju drejtuam redaksise se gazetes “Koha”,ku ata u treguan shume te gatshem dhe bene menjehere rregullimin e artikullin dhe na vune ne dijeni ,se kush ishin fajtoret, qe kishin deformuar shkrimin dhe shkrimi doli pas nje dite ,ku eshte vene autoresia e autorit te shkrimit.
Po ashtu edhe studentet u paraqiten ne adresen tone dhe kerkuan falje per gabimin e bere.
Redaksia “Alba – Dansk” falenderon ,stafin e gazetes “Koha” ne Maqedoni, per korrektesen e treguar ndaj artikullin tone dhe ju urojme te kene sa me shume suksese ne punen e tyre gazetarise dhe ju ftojme te na ndiqni ne faqen tone ne internet “albadansk.dk “,se aty ne do te percjellim vazhdimisht artikuj dhe portrete te bashkeatdhetarve tone, qe punojne e jetojne ne komunitetin shqiptar te Danimarkes.
Me respekt
Nga sektori i shtypit i shoqates “Alba – Dansk”





Leave a Reply