Është një fenomen, që ishte menduar se kurrë nuk do arrinte në mes të Europës: nxënëse, që për rroba të markave të njohura ose për çanta luksi shesin trupin. E kishim dëgjuar nga Japonia. Tani po ndodh në Itali. Rasti ka ndezur debatin prej ditësh. Kjo për shkak se përmes tij ka dalë në dritë një e vërtetë, që askush nuk e mendonte, pikërisht në vendin e familjeve të pandashme: dyvajza, 14 dhe 15 vjeç, pas shkollës shkojnë me dy tutorë amatorë në një nga lagjet luksoze të Romës. Në një shtëpi krejt normale, ato shesin trupin e tyre, nën kujdesin e tutorëve të paskrupullt, të cilët e dinë mirë se ku duhen çuar paratë (deri në 500 euro në ditë). Vajzat prostituojnë sepse duan më shumë para dhe kokainë. Shumë shpejt ‘e vërteta’ del në shesh. Bëhet fjalë për një dështim social të një brezi prindërish të divorcuar, mamash që nuk rrisin dot vajzat e tyre adoleshente, mësuesish, fqinjësh apo miqsh që qëndrojnë larg. Kjo ka sjellë një egërsi mes adoleshentësh që ishte e paimagjinueshme pak vite më parë. “Mama, mos më ço më në shkollë, më vjen turp nga makina jote e vjetër,” i tha njëra nga dy prostitutat minorene mamasë së saj në fytyrë. Hetimet e policisë kanë zbuluar se dy mamave iu kishin rrëshqitur prej kohësh vajzat nga duart. Në internet, ato ofroheshin me moton: “Jemi dy dhe kujdesemi që t’ju zbavitim vërtet”. Për habi, kur policia goditi këtë rrjet prostitucioni, asnjëra prej tyre nuk derdhi një pikë lot. Por nisën që të ankohen kur policia u mori telefonat celularë. Në Itali nuk ka bordello të ligjshme, pjesa më e madhe e prostitucionit është në botën e nëndheshme. Tregu përllogarit 9 milionë klientë dhe vlerësohet në total 4.5 miliardë euro. Por asnjë njeri nuk ishte shqetësuar deri më tani, derisa në dritë doli se nga 70 mijë prostituta në Itali, 14 mijë janë minorene. Një në pesë. “Janë kryesisht vajza nga familje të mira dhe shumë inteligjente,” thotë mjeku nga Milano Luca Bernardo, që kujdeset për të shëruar plagët shpirtërore të atyre që kanë “humbur” në lagjet e dritave të kuqe. Shumica e tyre ofrohen përmes internetit, duke u zhveshur para kamerave. “Ato e përdorin trupin për të marrë atë që duan. Shpesh e bëjnë këtë për të ushtruar pushtet,” thotë eksperti. Ajo çfarë këto vajza duan- përveç drogës- është zakonisht simbol i statusit në klasë: telefonat më të fundit, këpucët dhe rrobat më të mira si dhe tatuazhet më “cool”. Ishin pikërisht rrobat dhe tatuazhet që bënë që mamaja e Vanesës- 15 vjeç, të ngrinte dyshime. Disa herë vajza e kishte kërcënuar mamanë të mos fuste hundët në punët e saj. Këtë herë, ajo vendosi që të punësonte një detektiv privat për të zbuluar sekretet e errëta të fëmijës së saj. Ajo nuk pati turp që të denonconte në polici. Gjashtë persona janë arrestuar prej atëherë. Emrat e 20 klientëve kanë dalë në dritë. Njëri prej tyre tha: “Por ajo e kishte gjoksin me rrudha, nuk mund të ishte minorene”. Më spektakolar ishte arrestimi i mamasë së vajzës së dytë, Aurorës, 14 vjeç. Policia kishte përgjuar telefonatat dhe kishte prova të qarta se mamaja e dinte për të bijën, madje i mbante një pjesë të madhe të parave të fituara, duke i thënë disa herë që të organizonte mirë punën dhe shkollën, sepse përndryshe duhej ta linte shkollën. “Por unë dua të shkoj në shkollë,” lutej vajza. Kur mamaja u arrestua, ajo deklaroi se nuk e dinte se e bija prostituonte. Në dritën e debatit për këtë çështje doli edhe një fakt tronditës, sesa të rrezikuara janë adoleshentet në Itali nga biznesi i seksit. 34 përqind e minoreneve thonë se kanë marrë në profilin e tyre në Facebook mesazhe me natyrë seksuale. “Corriere della Sera” raporton se në shumë shkolla ka një si lloj prostitucion- oborri, ku vajzat shiten vetëm për të mbushur celularët. Dhe kjo, për shkak se seksualiteti ka më shumë rëndësi e vlerë për ta sesa dashuria e ndjenjat. Ka shumë prindër të adoleshentëve në Itali që nuk flenë mirë që kur u zbuluan këto fakte. Ndoshta edhe mamaja e Aurorës nuk fle natën në qeli. Ndërkohë e bija është nën kujdesin e punonjësve socialë dhe psikologëve. Vetëm njëherë në javë, ajo mund të takohet me familjarët. Por letra mund të shkruajë. Në njërën prej tyre, ajo tregon ndjenjën e fajit që e bren. “Është faji im që ti je në burg. Të lutem më fal mama”, shkruan ajo.
albnews.al


Leave a Reply