![]()
Nëse doni të njihni këtë vend të veçantë, dëgjoni Himnin e Finlandës, që do t’ju mbajë të mbërthyer për nëntë minuta
Reportazh
Vera Bekteshi
Për finlandezët, himni i tyre është muzikë e shenjtë. Është një këngë për lirinë e shkruar në vitet 1899-1900, një muzikë ngjitëse, turbulluese që të mban lidhur. Janë betejat ndër shekuj për liri dhe mbijetesë, është jehona e miteve të jashtëzakonshme të këtij populli.
![]()
Më pas, përmes muzikës të vijnë gjithë tingujt, aromat e ngjyrat e këtij vendi. Ndjen natën e gjatë, heshtjen e bardhë sublime të dimrit finlandez, pyjet e pafundmë me drurët e rënduar nga bora, drerët e fuqishëm tek tërheqin Santa Klausin. Ndjen zgjimin pranveror me thyerjen e zhurmshme të akujve, me shkrirjen e furishme të ujërave që vërshojnë në Baltik, duke e kthyer atë në një “liqen” uji të ëmbël. Ndjen agimet boreale, një spektakël i aktivitetit diellor, që shfaqet me brezat e ngjyrosur të dritës që vallëzojnë nëpër qiell. Ndjen ditën e pafundme verore me natyrën trallisëse ku lulet shpërthejnë brenda pak orësh dhe kanë ngjyrat më goditëse, ku tërfili me gjethe trekëndore ka ngjyrë vishnje në manushaqe, ku qielli është më blu se oqeani, siç shprehet Joan Baez në këngën e saj. Mund të ndjekësh diellin në mesnatë, sheh ngjyrat e vjeshtës së pyllit finlandez me nuancat më të larmishme të okrës dhe arinjtë, banorët e përhershëm të tij duke kërkuar për të fundit herë ushqim, para se të shtrojë bora e parë, para se gjithçka të përmbytet në bardhësinë e pafund dhe letargjia e gjatë të presë ringjalljen në pranverë…
![]()
Pastaj vjen një ulje e tonalitetit të tingujve, vija melodike luhet në një tjetër diapazon, sheh me sytë e mendjes perëndimet e rralla finlandeze të diellit. Ka aq kryelartësi dhe kryeultësi njëkohësisht. Tek e para gjen qëndresën, tek e dyta sheh shpirtin e himnit kristian “Be still my soul”.
Vaasa është ajo pjesë e Finlandës që do njohim, Vaasa me rrethin e saj, asgjë më shumë, por ju siguroj se nuk është pak. Qyteti u quajt me këtë emër midis viteve 1606 dhe 1855, Nikolaistad (suedisht) dhe Nikolainkaupunki (finlandisht) midis 1855 dhe 1917, dhe përfundimisht Vaasa (finlandisht) nga 1917-a.
![]()
Siç kuptohet është një qytet dygjuhësh dhe historia e tij fillon në shekullin e 14. Ndër vite qyteti ndërroi emër sipas pushtuesve dhe nga Nikolaistad (prej suedezëve) në Vaasa, pasi Cari i Rusisë Nicola II ra nga froni më 1917. Për këtë arsye atje i gjen të tre stilet e ndërtesave atë finlandez, suedez dhe rus.
![]()
Gjatë luftës civile finlandeze, Vaasa u bë kryeqytet i Finlandës për një kohë të shkurtër, për të ruajtur jetën e senatorëve meqenëse lidhjet me perëndimin ishin më të mira në këtë qytet. Statuja e lirisë, në mirënjohje të qytetit, ngrihet në qendër të tij, një Ushtar i bardhë, që më pas i dha atij emrin e dytë si Qyteti i bardhë.
![]()
Vaasa është një qytet universitar me tre të tillë, të famshëm në gjithë vendin. Me 60000 banorët e tij është një qendër ndërkombëtare e kulturës, arsimit dhe turizmit e Finlandës Perëndimore.
![]()
Shpirti Ostrobothnian i ndërmarrjes, kulturës origjinale, dygjuhësisë, industrisë ndërkombëtare dhe shërbimeve të shumta, sjellin së bashku traditën dhe të tashmen në këtë qytet 400-vjeçar. Për shkak të dygjuhësisë, çdo e mirë e tij dyfishohet si në institucionet e larta të arsimit, po ashtu edhe në art, gazetari e në të tjera produkte intelektuale. Dhe mbi të gjitha është dielli që ndriçon në qytetin më me dritë të Finlandës.
Në çdo pesë persona që takon në rrugë, njëri është student universitar dhe edhe për shkak të këtij fakti, ka një jetë nate shumë të gjallë. S’bëhet fjalë për qendrat e shumta sportive, pishinat dhe veçanërisht atletikën, skitë, patinazhin e hokejin në detin e ngrirë gjatë dimrit, shkollat e dancit, muzetë, panairet dhe piknikët e famshëm gjatë verës.
Por qyteti shquhet edhe për jetën e pasur kulturore me festivalet e artit, si ai i letërsisë, muzikës, filmit, operës. Mund të gëzosh një jetë nate shumë interesante, sepse qyteti është i mbushur me restorante, kafe, klube nate, me të martën e Blues-it dhe të enjten e Jazz-it, kinemanë me pesë ekrane, etj.
![]()
Në sheshin qendror të qytetit, sheh tezgat me prodhimet e freskëta të periferisë, ku shiten frutat e perimet dhe ku mund të blesh herny, një lëng po aq i verdhë sa lulet e gjineshtrës sonë, prodhuar nga fruta të egra dhe që pihet për një javë me një “shots” në ditë, i barasvlershëm me 20 portokaj të shtrydhur. Burri që ta shet ta ofron me fjalët: “Ne pimë herny të prodhuar vetë çdo verë. Ja pse djemtë tanë janë kaq të fuqishëm dhe vajzat të bukura dhe elegante!”
![]()
Që nga e premtja në darkën e datës 21 qershor, në Vaasë si kudo në Finlandë fillon festimi i ditës së verës Juhannus, gjithsej rreth 20 orë. Të gjithë janë në rrugë, është një i ngrohtë përkëdhelës dhe deri në darkë dyqanet ushqimore boshatisen. Përgatiten për të shtunë e të diel, ditë në të cilat do festohet familjarisht apo kolektivisht me miq e të ftuar, ku zgara ka fjalën kryesore.
Të premten në darkë pas blerjes, burra e gra janë ulur jashtë në birraritë e shumta të qytetit. Pinë birrën e tyre me famë në kriklla të mëdha. Gjithë natën jashtë, pafundësisht birra, burrat ndoshta 20 apo më shumë. Janë aq miqësorë, janë gati të të ftojnë nëse i përgjigjesh vështrimit të tyre. Në mëngjes janë po aty, disa prej tyre edhe zhvishen, por nuk çuditet njeri, mund të bëjnë ç’të duan pa i prishur punë tjetrit. Nuk e kemi fatin të shijojmë miqësinë e tyre sepse do nisemi për ishull.
Ai gjendet jashtë Vaasës në bregun perëndimor të qytetit, në arkipelagun Kvarken. Deri në breg të detit, në të dyja anët e rrugës ka pyje, kudo pyje.
“I sheh këto toka të mbuluara me pemë, janë toka të fituara nga deti ndër shekuj për shkak të ngritjes së nivelit të saj në vite. Këtu territori është strukturuar në bazë të lëvizjeve akullnajore dhe me shkrirjen e tyre ulet trysnia mbi tokën, gjë që e mundëson atë të ngrihet duke shtyrë detin tej. Arkipelagu Kvarken mori statusin e trashëgimisë botërore sepse zona jep dëshminë më të gjallë të ngritjes së tokës, rreth 1 centimetër në vit”, shpjegon Kristoferi.
-E kundërta që po ndodh në oqeane e dete të hapur për shkak të ndryshimeve klimatike apo dëmtimeve të tjera që vijnë nga aktiviteti i dëmshëm njerëzor. Po parcelat me drurë pse janë të rrethuara me tel të dendur? Nuk më duket si kufizim prone.
-I ke rënë pikës. I rrethojmë për të mos hyrë dhelprat që mund të infektojnë frytet e egra që rriten në to dhe që ne i mbledhim gjatë verës dhe vjeshtës. Për vlerat e tyre ne i ruajmë përgjatë gjithë dimrit në frizat e mëdha që ka çdo familje.
– Po janë aq të mira dhe kurative. Diku kam lexuar se boronica e kuqe, që kuron infeksionet e rrugëve urinare është përdorur mbasi ju keni vëzhguar frutat që arinjtë hanë kur janë të sëmurë, se Laponët tuaj bashkëjetojnë me ta, apo jo?
-Laponia është një nga krenaritë tona! – vazhdon Kristoferi.
Kalojmë Maksmon në periferi të Vaasës dhe ndalojmë në një prej gjinjve të ngushtë të saj. Pas një udhëtimi të shkurtër me varkë me motor, mbërrijmë në një ishull të vogël, pa emër.
-Flladi i ëmbël i detit do të na i largojë të gjithë lodhjen dhe shqetësimet – thotë Kristoferi.
Ishulli, rreth një hektar, të mjafton për të gjetur botën finlandeze në miniaturë. Ka gurë vullkanikë në pjesën perëndimore të tij, ka pyll pishe e mështekne së bashku me frutat e egra që rriten nën to, ka fole ku duhet të tregosh kujdes sepse nëna pulëbardhë mund të të ngulë sqepin në kokë, ka një copëz truall të mbjellë me lule, ka një shtëpizë druri të ndërtuar nga Kristoferi dhe i ati me trarë të trashë pishe pa ndihmën e ndonjë mjeshtri, sepse ata bëjnë gjithçka vetë si të gjithë finlandezët, ka depo për vegla dhe dru për ngrohje, ka domosdoshmërisht saunën, e më tutje një platformë e drunjtë prej nga hidhesh në det për të shuar nxehtësinë e padurueshme që ke thithur prej saj.
Nuk ka elektricitet, përveç një paneli diellor që furnizon frigoriferin, televizorin dhe ndonjë llambë emergjence. Nuk ka ujë përdorimi të përditshëm sepse s’ka “çezmë”. Ky ujë merret nga deti (në këtë rast i ëmbël), me të lan duart jashtë në një vend të vogël të sistemuar për të mos u derdhur në tokë dhe detergjenti i përdorur zgjidhet sa më pak i dëmshëm për detin ku do përfundojë. Po ashtu tualeti është jashtë dhe ndërtuar me synimin e vetëm për të mbrojtur mjedisin.
Nuk ka as më të voglin tangërllëk, sepse edhe këtu ku festohet të gjithë janë në punë, sidomos burrat.
Në faqen tjetër të ishullit, pranë gurëve vullkanikë ka një tjetër platformë që përdoret për banja dielli, për t’u zhytur në det apo për peshkim. Në darkë ndizet zgara ku do piqen peshqit e zënë me rrjetë dhe mishrat e blerë sa për një batalion. Të zotët e shtëpisë kanë sjellë gatime të veçanta që zor se mund të përgatiten aty, ose të paktën do të merrnin shumë kohë të vyer. Kanë sjellë salmonin e freskët të tymosur po atë ditë, patate të vogla (rriten rreth 200 lloje) që Bengt-i i qëron për t’u zier në çast dhe që janë një gjë krejt tjetër nga ato tonat, po ashtu bizele të ëmbla, kanë sjellë plot e plot dhe padyshim një ëmbëlsirë me fruta pylli, të gatuar nga e zonja e shtëpisë, Charlstine, që megjithëse i ka kaluar të 65-tat, bën 10 kilometra vrap në verë dhe po aq ski në dimër. Tek lëviz me trupin drejt si pushka (do thonim ne), apo drejt si pisha (do thonin ata), i ngjan një balerine, që megjithëse jo më e re, ka diçka edhe më shumë, ka sfiduar kohën.
Në fund ndizen qirinjtë jashtë, festa sapo ka filluar. Vetëm një gjë nuk shkon, mungon vera që ata s’e kanë shumë për zemër dhe që ne kemi harruar ta marrim.
Shërbejnë kryesisht burrat dhe nga ata Bengt-i 70-vjeçar është më i shkathëti. Gratë merren me zbukurimet e tavolinës së madhe ku vendosen të gjitha, pastaj secili zgjedh në pjatat njëpërdorimshme ushqimin që shijohet jashtë, ato 20 orë rrihet jashtë, tamam si në ditë vere, sepse nuk ka natë, sepse dielli në mesin e saj ndriçon në kupë të qiellit.
“Nga maji në korrik, këtu te ne nuk erret më. Në Laponi ka vetëm tre muaj me diell, por fatkeqësisht errësira e dimrit është e njëjtë bile atje gjatë kësaj kohe nuk sheh diell me sy”, thotë Charlstine.
Koha papritmas ftohet, fillon erë dhe mund të pritet shi, të duket se do fillojë vjeshta. Veshim çorape leshi, që në shtëpi gjenden me shumicë dhe që gjyshja e familjes i thur për të gjithë, edhe për miqtë.
Kristoferi nuk humbet asnjë rast, vesh kostumin, zgjidh “wind surfin” e lidhur në faqen lindore të shtëpisë dhe hidhet në det. Era e tërbuar nuk e lë të vendosë këmbët në mbajtëse, por ai përpiqet e përpiqet. Më në fund ia del dhe pasi drejton trupin, fillon lundrimin. Shohim figurën e tij para se të na zhduket nga sytë e të humbasë larg në det, me shpatullat e gjera, qafën e fuqishme, këmbët e gjata dhe flokët biondë në gri që i tunden në erë, duket një viking i vërtetë dhe si ai Finlanda ka shumë e shumë të tjerë.
Kur kthehet, me shpejtësi ndez në kohën që këtu quhet natë, qirinjtë e abazhurit të madh të dhomës së ndenjjes, të ndërtuar me hekur të rrahur (mbase të bërë dhe atë vetë), pastaj shtron shtretërit për ne mysafiret. Shëtisim edhe një herë të fundit përreth ishullit dhe hedhim një sy në dhomën ngjitur me saunën që është e shkëputur nga vila. Është e tija dhe e Anës. Para darkës ai ka ndezur qirinj pa fund dhe një muzikë e lehtë jazzy vjen te ne. Në këtë vend duhet të ndihesh me fat të lindësh femër. Nën dritën e qirinjve, biseda vjen më e ngrohtë por edhe me një lloj “keqardhje”:
-Vaasa është një qytet i veçantë për disa arsye, sepse është qytet dygjuhësh (finlandisht e suedisht) dhe është qyteti më i influencuar nga kultura suedeze. Ata përbëjnë rreth 30% të popullatës, më shumë se në çdo qytet tjetër të vendit.
Nëse shkoni në lindje të Finlandës, gjen më tepër inspirim nga Rusia, por gjen një vend më të varfër, sikurse edhe më të pasur në kulturë dhe spiritualizëm. Karelia është magjike, poetike, natyrale, e modës së vjetër, romantike dhe e egër – shprehet Magda për vendin e saj -Österbothnia me Vaasën qytetin më të madh është më sipërfaqësore, më materialiste dhe më moderne se sa pjesa lindore. Por ekonomikisht më e pasur se sa e zonat e tjera.
Ne finlandezët përgjithësisht ndjekim ritmet e natyrës. Kështu gjatë verës është koha e aktiviteteve, banjo në det, peshkim, do merresh me shtëpinë e verës, me mbjellje lulesh e kujdesin për kopshtin e perimeve, me sauna. Gjithë ditës qëndrojmë jashtë në kohë të mirë që mezi presim të na vijë, sikurse qëndrojmë të mbyllur brenda në kohë të keqe. Kur i vjen radha vjeshtës dhe dimrit, ne përsëri ndjekim natyrën, s’jemi më aq shoqërorë, ne lexojmë, shkruajmë, ndezim qirinj, rrimë pranë zjarrit dhe reflektojmë. Koha e errët e dimrit është shumë e vështirë të përballohet dhe duhet të gjesh mënyra për t’ia dalë mbanë. Për këtë gjë kemi krijuar saunat, ndezim zjarre, mbajmë pranë librin dhe rezistojmë. Është koha që thellohemi dhe zhytemi në mendime, sepse ndër breza finlandezët kanë kultivuar dashurinë për vetminë. Me natyrën gjithnjë të duhet të bësh një betejë të ashpër dhe sepse për gjithçka ka një çmim, ne preferojnë vetminë në këmbim të një hapësire pa fund. Kemi errësirën e dimrit të pasur me borë, në kundërshti me verën tonë të mrekullueshme plot dritë. Melankolia që ju ndjeni në muzikën dhe poezinë tonë është si lulja e errët e labirintit të heshtjes, që s’mund ta gjeni dot në bardhësinë e lulëzimit të portokallit. Por vendi për fat të keq po ndryshon dhe si kudo programet televizive po mbushen me shfaqje të dobëta, brezi i ri di gjithnjë e më pak rreth luftës e sidomos pse ndodhi ajo, s’e shohin riskun e tregut global dhe pse kufijtë po bien. Ata po jetojnë në një botë konsumi dhe iluzionesh dhe flamuri, historia dhe me sa përpjekje është ndërtuar ky vend, s’është aq e rëndësishme për ta. Dhe s’kanë për ta kuptuar deri sa ta humbin – shprehet në fund me keqardhje Magda.
Në vitin 1939, Hudson Strode, një udhëtar amerikan, ka shkruar librin e titulluar Finland Forever, në të cilin ka zbuluar thelbin e zhvillimit të këtij vendi. Diku ai thotë:
“Finlanda ka arritur atë që mund të quhet një sukses spektakolar me metoda qetësie, durimi dhe largpamësie. Ajo nuk ka iluzionet se do krijojë një utopi. Ajo thjesht ka eksperimentuar në zgjidhjen e problemeve ekonomike me sensin e saj të zakonshëm të të bërit vetë.
Ajo ka mbajtur gjithnjë parasysh se nëse kombi do të tregojë vetveten, duhet punuar në çdo sektor të jetës së përditshme, aty ku ekonomia është më e dobët për ta ngritur në nivele më të larta.
Kuintesenca e demokracisë padyshim është e mira e përbashkët. Banesat, spitalet, shkollat, restorantet e duhura për të gjithë u kanë dhënë atyre respektin për vetveten. Në sajë të këtij vetërespekti, krenaria individuale e çdonjërit kontribuon në mbajtjen e këtij shteti në kondita të mira.
Më tepër se një qasje emocionale ndaj një kauze apo lideri, finlandezët zotërojnë një besnikëri të ftohtë e të hijshme intelektuale. Në dizenjimin e mënyrës së tyre të jetesës, Finlanda ka krijuar një demokraci të vërtetë që duhet marrë shembull. Sa do zgjasë ajo, asnjë nuk mund ta parashikojë, por shpirti finlandez zor se mund të prangoset!”
Sot, pas 65 vjetësh, me gjithë ndryshimet e diktuara nga koha, ne jemi dëshmitarë të vërtetësisë së kësaj shprehjeje.
Gazeta Shqip


Leave a Reply