Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të monumentit të Heroit tonë Kombëtar në sheshin dedikuar Skënderbeut në Fermo të Italisë
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin autoritetet më të larta lokale të zonës, përfaqësues të Parlamentit italian, përfaqësues të Senatit, ambasadori i Shqipërisë në Itali, Neritan Ceka, zv/kryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Halili, ambasadorja e Kosovës ne Itali, Bukurije Gjonbalaj, deputeti Spartak Braho etj.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu mirënjohjen ndaj komunitetit shqiptar në Itali për kontributin e tyre ndërsa vlerësoi bashkëjetesën pozitive të këtij komunitetit në Itali si një shprehje të miqësisë që dy vendet dhe popujt kanë me njeri-tjetrin.
Ai theksoi se, ashtu siç Skënderbeu dha për shqiptarët mësimin se “Bashkimi e bën fuqinë!”, të gjithë sot duhet të reflektojnë për një bashkëpunim të ngushtë me njeri tjetrin për të arritur suksese dhe për të fituar sfidat që kombi shqiptar ka përpara.
“Ky mësim është i vlefshëm edhe sot e kësaj dite, ku kemi nevojë të bashkohemi gjithnjë e më shumë, të bashkëpunojmë gjithnjë e më shumë për të spikatur, për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të popullit tonë dhe kombit tonë. Sepse ne meritojmë të jemi pjesë e Europës së bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Europian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO”, u shpreh Meta.
Në fund të ceremonisë, Prefektja e Provincës së Rajonit Fermo, Emila Zarrilli nderoi kryetarin e Kuvendit, me një çmim. Gjatë kësaj vizite, kryetari i Kuvendit, Meta mori pjesë në darkën e organizuar nga emigrantët e Fermos në Itali me këtë rast, ku të ftuara ishin gjithashtu edhe kryetarja e Bashkisë së Fermos si dhe Prefektja e Provincës së këtij rajoni.
Shekulli


Leave a Reply