Tenori, Shkodran Tolaj nga Deçani i Kosovës, në një intervistë për gazetën “Shekulli” tregon për krijimtarinë e tij artistike, familjen, por dhe për pritshmëritë që ka për në “Eurosong”
Valeria Dedaj
Tenori dhe këngëtari, Shkodran Tolaj së bashku me bashkëshorten e tij, Besiana Mehmedin janë përzgjedhur për të interpretuar në Festivalin e 52-të të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Kënga “Jam larg” kënduar nga çifti Mehmedi dhe Tolaj është i vetmi krijim nga jashtë kufijve të Shqipërisë, që do të prezantohet në datat 26-27 dhe 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Vullnet Ibrahimit, i kanë besuar tekstin e kësaj kënge, pasi besojnë në stilin e tij unik. Aktualisht konkurrojnë dhe në Festivalin “Kënga Magjike”, me këngën “Imagjino”. Udhëtimet e tyre mes Prishtinës, Pejës, Deçanit, Tetovës, Shkupit, Kërçovës dhe Tiranës, bëjnë që bashkëpunimet në çift të jenë gjithnjë dhe më të shpeshta, përsa i përket jetës artistike. Shkodran Tolaj në një interv- istë për gazetën “Shekulli” tregon për jetën e tij bashkëshortore, për krijimtarinë artistike, por dhe për aspiratat në të ardhmen.
Për pjesëmarrjen e tij në festivalet e këngës në Tiranë ai thotë se: “Unë e kam emrin Shkodran, prindërit ma kanë vënë nga dashuria dhe malli për Shqipërinë. Tashmë që nuk kemi më kufij, më takon që si Shkodran të jem prezent dhe t’i përkas Shqipërisë”. Tenori Shkodran Tolaj (1980) në Pobergjë të Deçanit, prej një viti jeton në trojet Shqiptare. Më parë ka jetuar 17 vjet radhazi në Frajburg të Gjermanisë, ku ka ndërtuar një pjesë të madhe të karrierës se tij. Ai ka realizuar disa role kryesore operistike në operën e Frajburgut, si dhe ka marrë pjesë në festivalet e muzikës Gjermane, nga është vlerësuar dhe shpërblyer me çmime të para. Së fundmi është vlerësuar në Netët e Klipit Shqiptar për klipin “Moshatarja”. Veç muzikës angazhimi i tij është si pedagog në Universitetin “Esra” në Shkup, ku jep “Interpretimin vokal”.
Shkodran, si dhe kur ka nisur rruga juaj drejt muzikës?
Shumë herët. Filloi si një pasion i zjarrtë për këngën, kjo mbase për shkak të sfidave që kam kaluar asokohe. Isha fëmijë kur nga regjimi serb përjetova burgosjen dhe përndjekjen e babait tim, kjo gjë më bëri që të filloj të dëgjoj një repertor tipik patriotik, por dhe të kërkoj një çifteli timen. Mbaj mend se babai ma bleu çiftelinë dhe unë fillova të luaj dhe të këndoj me të, prandaj mund të them se është fat që një profesionist të njohë fillimisht vlerat e tabanit kombëtar.
Vendlindja juaj është Derçani, si ka ndikuar në formimin tuaj si këngëtar?
Ka ndikim vendi, koha kur unë qëndrova në Deçan, por dhe “Ansambli i Këngëve dhe Valleve” ku asokohe mblidheshin shumë vajza e djem të talentuar. Megjithëse babait nuk i ka pëlqyer ndonjëherë që unë të merresha me muzikë, sepse priste që të bëhesha mjek, unë përherë largohesha nga shtëpia për të bërë prova në ansambël.
Dhe ç’ndikim ka pasur familja?
Ka pasur ndikim babai, kur ishim fëmijë na mblidhte çdo mbrëmje dhe na këndonte këngë që më pëlqenin, pavarësisht se insistonte që unë të bëhesha mjek.
Interpretimi si tenor, por dhe si këngëtar i këngës së lehtë dhe asaj popullore nga një i njëjti zë, dihet se asnjëherë nuk është njëlloj, diku vjen fort, diku butë… Sa e vështirë është kjo për ju?
Para se të shkoja në Gjermani këndoja këngë të ndryshme popullore, të atyre që kanë lënë gjurmë në kohë. Me fillimin e shkollimit në Gjermani, gjatë studimeve jam marrë ekskluzivisht me repertorin klasik, të barokut dhe atë romantik, në një interpretim të impostuar. Më vonë fillova të ndaj interpretimin popullor, të muzikës së lehtë dhe asaj klasike, duke i gërshetuar njëra me tjetrën.
Cilët janë ata artistë që kanë më shumë influencë tek ju?
Nga të huajt më tepër ndikim kanë: Franko Corelli, Mario Del Monaco, Jose Carrera-s deri tek Andrea Bocelli, Rolling Stones e shumë të tjerë. Nga shqiptarët: Gaqo Çako, Mentor Xhemali deri te Sabri Fejzullahu, Nexhmije Pagarusha, Ilir Shaqiri e shumë të tjerë, që për mendimin tim kanë ruajtur identitetin artistik dhe vlerat shqiptare.
“Besiana më ka bërë që botën dhe jetën ta konceptoj ndryshe”
Nëse rikthehemi në kohë, si jeni njohur me Besianën?
E kam vrojtuar dhe përcjellë në xhirimin e Vitit të Ri 2009 në Televizionin e Kosovës teksa këndonte një duet me një koleg maqedonas. Aty thashë me vete; sa keq, nuk shkojnë fare si partnerë dueti. Pse të mos jemi bashkë ne të dy?! Sa bukur të jem unë në vend të këtij. Pastaj komunikuam në rrjete sociale derisa u takuam në një koncert me orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit Maqedonas në Pejë, ku më ftoi drejtoresha e kulturës në Komunën e Pejës, si mysafir për koncertin e Besianës. Nuk e kam pasur të lehtë ta bind që të pranonte të fejoheshim. Këtë e vendosëm duke qenë dakord dhe familja e saj, bëmë dy fejesa; një në Komunë në Zajaz të Kërçovës të veshur me rroba kombëtare, ushqim tradicional dhe një në Tetovë, me shumë gazetarë, këngëtarë e miq. Lidhja kaloi periudha të bukura dhe të vështira, me udhëtime të shumta nga Maqedonia në Gjermani dhe anasjelltas, me telefonata të shumta dhe netë të tëra pa gjumë, derisa u kurorëzua me martesë më 19 gusht të këtij viti. Martesa është bërë për ditëlindjen e Besianës dhe fejesa për ditëlindjen time, për fejesë ka vendosur Besiana, kurse për organizimin e dasmës unë.
Cili është ai tipar të cilin e vlerëson më tepër tek ajo?
Besiana është një vajzë ambicioze dhe e përgatitur, si kuadër me njohuri të përgjithshme. Rritja e saj në një familje të ngritur (babai Qani Mehmedi është publicist i njohur), e ushqyer me libra, përveç muzikës, pastaj prejardhja nga Kërçova, shkollimi në Prishtinë e Tiranë, puna si profesoreshë në Tetovë paraqesin vajzën e ëndrrave të mia. Një grua të kompletuar nga e cila ke çfarë të mësosh. Vlerësoj që gjërave u shkon deri në fund “kur thotë se e kryen një punë, e kryen me përkushtim”. Është femër që e përkrah dhe e stimulon bashkëshortin, prandaj për çdo gjë i jam mirënjohës Besianës. Besiana më ka bërë që botën dhe jetën ta konceptoj ndryshe.
Kush toleron më tepër nga të dy?
Me raste. Në jetë jam tolerant unë kurse në raporte pune, aktivitete, nuk jam tolerant aspak.
Si është të jeni partnerë në skenë dhe në jetë?
E lehtë dhe e vështirë. E lehtë sepse kuptohemi më mirë, investojmë bashkërisht në anën materiale dhe morale, por e vështirë sepse lodhja është e përbashkët. Megjithatë mund të them se është një kombinim i mrekullueshëm. Ne provat i bëjmë kur të duam, në çfarë kohe të duam, lëvizjet skenike i kemi të natyrshme, konsultohemi për të nxjerrë më të mirën, shprehemi sinqerisht dhe kur nuk na pëlqen diçka, për të nxjerrë maksimalen përsa i përket anës profesionale të njëri-tjetrit.
“Çmimi është i pamerituar nëse vjen brenda një nate”
Në Shqipëri prezantoheni pas festivalit të “Këngës Magjike” në Festivalin e 52-të të RTSh-së, së bashku me bashkëshorten tuaj Besianën… Çfarë ju shtyn të merrni pjesë në këto festivale?
Për mendimin tim, Shqipëria është djep i muzikës shqiptare, pavarësisht se ne kemi pak që jemi prezent në këtë anë. Unë e kam emrin Shkodran, prindërit e mi ma kanë vënë nga dashuria dhe malli për Shqipërinë. Tashmë që nuk kemi më kufij dhe si Shkodran më takon të jem prezent dhe t’i përkas Shqipërisë.
Jeni fitues të shumë festivaleve, por çfarë domethënie ka çmimi për një artist?
Çmimi i merituar ka vlerën e tij, por çmimet mendoj se janë të pavlefshme nëse vijnë brenda një nate. Çmimet nuk janë vlerësues vetëm për një natë, por janë shprehje e punës disavjeçare. Çmimi për artistin padyshim është “gjilpërë” për të ecur tutje, por dhe përgjegjësi.
Si ka lindur kënga “Jam larg” me të cilën do të prezantoheni para publikut shqiptar?
Vullnet Ibrahimi është një mik i imi dhe i Besianës, në një bisedë po i tregoja historinë e një zonje nga Kosova, të cilës i ra burri heroikisht në luftën e fundit të Kosovës. Kjo zonjë ndryshe nga gratë e tjera, që dëshirojnë t’u dedikojnë vargje poetike e këngë trimërie burrave të tyre, kishte shkruar një poezi dashurie pa emra dhe mbiemra. Mbase nga kjo bisedë lindi dhe motivi i këngës “Jam larg” e kompozuar nga Vullneti. Duhet të them se Vullneti ka një botë të veçantë dhe mjeshtri artistike në të shprehur, posaçërisht në balada, që e bëjnë të përshtatet me stilin e çdo këngëtari. Është ndër të rrallët kompozitorë shqiptarë në Maqedoni që ka ruajtur vlera të mirëfillta, por dhe që vazhdon t’i qëndrojë besnik punës së tij.
“Jam larg”…, por “kush është larg” për çfarë bën fjalë teksti i kësaj kënge?
Tek kënga “Jam larg” kushdo e gjen veten, prandaj kjo mund të kuptohet në mënyra të ndryshme. Te “Jam larg” mund të përfshihen: dy të rinj që jetojnë larg njëri-tjetrit, siç ishim unë dhe Besiana që për dy vite e gjysmë, jetuam larg, njëri në Gjermani dhe tjetri në Maqedoni, apo kur njëri nuk jeton më, apo kur dikush e ndjen veten bosh e të vetmuar sepse është ndarë nga partneri etj.
Synoni “Eurosong-un”?
E rëndësishme është që prezantimi të bëhet në mënyrë dinjitoze sepse Festivali i RTSh-së është i vetmi festival shqiptar ku interpretimi bëhet “live” dhe ka mundësi të shprehjes për çdo këngëtar. Kushdo që ka punuar vite të tëra, padyshim e ka ëndërr përfaqësimin e vendit në “Eurosong”.
Cili është projekti juaj i radhës?
Janë angazhime të shumta deri në Vitin e Ri. Presim rezultatet e “Këngës magjike” ku kemi pasur një performancë ndryshe, ritëm dhe gjallëri me autorët: mikun tonë gazetar Avni Qahili, që bëri tekstin “Imagjino” (inspiruar nga raporti im me Besianën, sepse e thërrasim njëri-tjetrin ‘jetë’ dhe ‘diell’, aty ku ka dashuri të sinqertë ngjan me një planet të ri dhe nuk ka rëndësi nëse jetohet në pallat apo kështjellë, e rëndësishme të ketë diell në jetë) dhe të famshmin e “Elita 5”, Virusin, që e kompozoi. Bëjmë prova çdo ditë, për Festivalin e RTShsë, sepse është eveniment sfidues, serioz dhe i rëndësishëm, jam duke përmbyllur disa këngë për fëmijë në një festival në Tetovë, kurse për Vitin e Ri duhet të fillojmë me përgatitjet, por ende nuk kemi bërë plan të saktë.
Shekulli
Leave a Reply