Policia e Korçës ka arrestuar dy mjekë, të cilët akuzohen për korrupsion. Në pranga ka rënë Nikolla Nunka, mjek kirurg në spitalin Civil të Korçës dhe Ismail Uzuni mjek reanimator në spitalin e Pogradecit. Policia e qarkut Korçë njofton organizimin e operacionit të koduar me emrin “KIRURGU”, i finalizuar sot pasdite me prangosjen e dy bluzave të bardha. Ismail Uzuni, 61 vjeç, i cili punonte si një reanimator në spitalin e Pogradecit, pacientët e tij i drejtonte te kolegu i tij në spitalin e Korçës Nikolla Nunka 59 vjeç.
Ky i fundit, pas ndërhyrjeve kirurgjikale u merrte pacientëve të tij shumën prej 20 mijë lekësh, shumë të cilën e ndante me 61-vjeçarin.
“Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin ndërhyrje kirurgjikale të pacientëve kundrejt shumave të ndryshme”, – thotë policia e Korçës. Arrestimi i tyre është bërë pas një hetimi prej rreth 2 muajsh të kryer prej strukturave të policisë, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë së tyre. Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme organit të Prokurorisë për veprën penale të Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike të kryer në bashkëpunim.
/Shekulli Online/ E.L/
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply