Çdo mëngjes, të ulur në divanin e kuzhinës, ndoshta me një gotë qumësht në dorë dhe të fokusuar pas ekranit të vogël të televizorit… Mund të jetë kjo tabloja e çdo vogëlushi apo vogëlusheje në shtëpinë e paqme, ndërkohë që mamaja është duke bërë punët e shtëpisë dhe ai vijon të jetë brenda botës së tij të vërtetë, një botë që asnjë i rritur nuk e kupton më. Pyetja që lind është se çfarë fshihet brenda saj? Dhe besoj se të gjithë kthejmë tashmë kokën në retrospektivë, duke kujtuar fëmijërinë tonë, nga e cila nuk ka mbetur thuajse asgjë, veç kujtimeve. Lojërat poshtë pallatit; dëshira për t’u veshur bukur, ndoshta me mëngë të shkurtra edhe kur është ftohtë; refuzimet për t’u kthyer në shtëpi më shpejt se shokët/shoqet; filmat tanë të preferuar vizatimorë… Kemi parapëlqyer të ndalemi tek këta të fundit këtë numër, duke sjellë në vëmendjen e lexuesit atë çka vetë personazhet publike rrëfejnë. Cilët kanë qenë filmat e tyre të preferuar me kartona, a ngjasonte ndonjëri prej tyre me jetën e gjithsecilit, sa mall kanë të ndjehen edhe një herë të vegjël? Gjithçka tjetër e lexojmë në materialin që vijon…
Majlinda Keta – politikane
“Kujtoj që filmi i parë ka qenë “Miri dhe Zana”, prodhim i Kinostudios dhe i Vlash Drobonikut. E di pse e mbaj mend? Se ky piktor jetonte ngjitur me shtëpinë e gjyshit tim, tek Pazari i Ri. Dhe me shoqet e lagjes së gjyshit, në veçanti me Klarën, ishim kurioze dhe ndiqnim pikturat e tij të vizatimoreve, disa prej të cilave m’i dhuronte edhe mua”, – e fillon kështu bisedën zonja Majlinda, teksa është e përqëndruar për të kujtuar çdo detaj të asaj periudhe. Zëri i folëses në fillim të filmit e ka tërhequr në mënyrë të veçantë vëmendjen e vogëlushes bukuroshe. “Miri dhe Zana” kishte një fabul ekologjiste, për kujdesin ndaj natyrës: Topi bie mbi lule, lulja u tha, topi ra tek shatërvani, i prishi qetësinë peshqve… dhe që në fund fëmijët duhet të kujdeseshin për natyrën qysh nga lulet në ballkone. Një tjetër serial i dashur për Majlindën ka qenë edhe “Zogu pushbardhë”, pasi përmes pikturave të dhuruara që i koleksiononte e ndjente veten pjesë të filmit dhe padyshim e shihte çdo herë me endje. Ndërsa babai i saj koreograf i pati dhuruar dikur edhe libretin e një baleti të vogël për fëmijë: “Majlinda dhe lulet”, duke ia dedikuar se bijës, pasi vetë titulli e identifikonte atë. Nisur edhe nga vetë origjina dhe edukata familjare, Majlinda i adhuronte në të vërtetë lulet, njësoj si personazhi në fjalë. Orari i filmave, për politikanen tonë të nderuar ishte orari i kinemasë, pasi në shtëpinë e gjyshit të saj mblidhej e gjithë lagjia dhe njëkohësisht shijonin petullat magjike nga duart e gjyshes së palodhur. Ne na mbetet ta komplimentojmë Majlindën për fëmijërinë e saj fantastike. Këtë e tregon ende portreti i saj në ditët e sotme dhe raporti i mrekullueshëm që ndërton me fëmijët…
Drande Xhai – aktore
Aktorja e mirënjohur e humorit shkodran e ka të vështirë të kujtojë me detaje filmat e rinisë së brezit të saj. Ata kanë qenë të paktë në numër dhe ai që i vjen menjëherë ndërmend është “Tomi&Xherri”. Drande rrëfen se dikur, të organizuar nga shkolla, shkonin në Teatrin e Kukullave. Dhe përveç kësaj mënyre, çdo të shtunë, në orën 10.00 të mëngjesit, fokusoheshin përpara ekranit të TVSH-së. Ndër pjesët më të preferuara përmend: “Borëbardha”, “Kësulëkuqja”, “Nëna dhia me kecat”, “Pinoku”, etj… Prindërit e tyre nuk interesoheshin për këtë pjesë të formimit të përgjithshëm, pasi gjithçka për ta ishte sigurimi i ushqimit dhe veshjeve. Ndërsa kur rriteshin vetëm pak, mjafton të ishin në shkollë dhe gjithçka tjetër i mbetej rastësisë. Drande, duke dashur të paralelizoje të dyja kohët, pohon se fëmijët sot mund të informohen e të argëtohen në forma të ndryshme. “Ne mund të kujtojmë pjesë të pakëndshme nga fëmijëria jonë dhe më vjen keq, që kujtimet e moshës më të bukur, nuk janë më të bukurat”,-përfundon, me një vështrim të thellë e miklues.
Toros – ish-banor i “Big Brother Albania 4”
Tipi i tij karizmatik të lejon të flasësh lirshëm, pavarësisht përgjigjeve tmerrësisht të shkurtra. Kur e pyetëm për filmin e preferuar, Toros u përgjigj thjesht: “‘Rreth botës për 80 ditë’ më ka pëlqyer gjithnjë, pasi më pëlqen të udhëtoj dhe të vizitoj kurdoherë vende të ndryshme të botës”. Pavarësisht se nuk është rritur në një familje të bashkuar, pasi i ati ka qenë i dënuar për çështje politike, ndërsa e ëma punonte me tre turne për të mbajtur familjen, Toros e gjente përherë kohën për të qëndruar përpara ekranit të vogël. Pasi përfundonte detyrat e përditshme të shkollës ai gjente, si të vetmin argëtim, filmat vizatimorë si: “Aventurat e Tom Sojerit”, “Tarzani”, “Inspektori Gagdet” e shumë të tjerë. Ama e rëndësishme është që kjo pjesë e rëndësishme e fëmijërisë, siç është kujtimi i filmave të preferuar, nuk ka humbur dhe ai sot e kësaj dite e kujton me nostalgji.
Haki Kika – ish-banor i “Big Brother”
“Gjithmonë më kanë bërë për vete filmat e animuar, ndërsa kam pasur shumë filma që më kanë bërë rob të televizionit, duke filluar nga klasikët si ‘Tomi dhe Xherri’, ‘Pink Panther’ e deri tek ‘The Road Runner’. Kojota dhe Mik Miku kanë qenë personazhet e mia të preferuara vizatimore, edhe pse më është dukur e padrejtë nga ana e autorit që Kojota asnjëherë nuk e zinte Mik Mikun”, – tregon Hakiu, duke u përpjekur të na thotë sinqerisht gjithçka sjell në mendje, në lidhje me këtë temë. Familjarët e tij shpeshherë e thërrisnin me emrat e personazheve të preferuar dhe ai inatosej e fillonte të qante. Ndërsa me fëmijët e lagjes gjatë ditës diskutonin për mënyra të ndryshme strategjike se si filmi duhet të shkonte, pavarësisht se për fat të keq regjisori përkatës nuk i dëgjonte asnjëherë “zgjidhjet” e tyre. I fiksuar plotësisht pas këtij filmi, kohë më parë Hakiu ka marrë dhuratë nga miku i tij që jeton në Amerikë, versionin “The final of Mik Mik”, ku më në fund Kojota e zë Mik Mik-un… Sipas tij, kjo ishte mënyra më e mirë për t’u ribashkuar me shokët e fëmijërisë e për të sjellë në mendje kujtime të tilla. “Na u rikthyen diskutimet e dikurshme, teksa të gjithë të përqëndruar shihnim këtë pjesë të filmit”, -pohon Hakiu. Filmat vizatimorë për të kanë qenë të rëndësishëm, madje është i gatshëm t’i shohë edhe sot e kësaj dite, për arsyen e vetme, se të zhvillojnë ndjeshëm imagjinatën.
Afërdita Dreshaj – modele dhe këngëtare
Afërdita ka qenë një vogëlushe e llastuar… Mamaja e saj e mbante gjithë kohës pranë, pasi ishte fëmija i parë dhe bukuroshja ndjehej si “e vetmja në botë” për familjarët. Gjithçka kërkonte, ajo e kishte… Filmi më i dashur për Afërditën ishte “Tomi dhe Xherri”, të cilin e priste me padurim përpara televizorit për çdo seri. Dëshironte shumë që macja të ishte shoqja e miut, por ky ishte pa diskutim misioni i pamundur i këtyre pjesëve. “Pasi filmi përfundonte, lutesha pafund që ai të rifillonte”, – tregon ajo duke qeshur fort. Pasojat e së shkuarës e ndjekin ende sot e kësaj dite, pasi dashuria për Tomin dhe për Xherrin ende nuk i ka mbaruar. I ndjek vërtet me kënaqësi sapo ka fare pak kohë të lirë. Dhe atëherë në mendje i shfaqet fëmijëria e largët dhe e papërsëritshme…
Shota Baraliu – këngëtare
Shota ka qenë ndryshe nga fëmijët e tjerë… Ky fakt reflektohet edhe në ditët e sotme, në çdo dalje të sajën skenike. Energjia dhe pozitiviteti që përcjell të lënë pa fjalë dhe të bëjnë thjesht ta vështrosh ngultas. Diferencën në fëmijëri Shota e bënte shumë thjesht: Ishte pak më e “çmendur” se sa shokët e shoqet, pasi gjithë ditën qëndronte përballë televizorit. Mesa duket e ndjente se pjesë e kësaj bote do të ishte shumë shpejt. “Tomi dhe Xherri”, “Popay dhe Olivia” e mbushnin mrekullisht ditën e saj, saqë ndonjëherë familjarët e thërrisnin me emrin Olivia. Pavarësisht këtij pseudonimi jo fort të bukur, Shota ishte e përqëndruar në ekran dhe nuk e “prishte” aspak terezinë për të kthyer përgjigje. Strukej brenda botës së saj, brenda botës së një artisteje të vogël në formim dhe vijonte shihte filmat. I vetmi që mund ta pengonte ishte i vëllai, i cili kishte gjithnjë preferenca të tjera për sa i takon programacionit. Kështu që, sapo Shota u rrit pak, kaloi menjëherë tek filmat horror, të cilët bëjnë pjesë vërtet në preferencat e saj. Ndryshim drastik? Është normal për këngëtaren… Është njësoj si çdo gjë tjetër që mban “vulën” Shota Baraliu…
Le të shpresojmë se kemi shkëputur disa pjesë të bukura të fëmijërisë së personazheve tona dhe ju mbetet juve të dashur lexues të gjeni të përbashkëtat e tyre me filmat më të dashur për ta… Rrëfime të tilla na kthyen pas në kohë dhe i falenderojmë për këtë ndjesi që na përcollën…
BLUETOOTH
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply