Për ty, o Bacë Jakup,
Çlirimtar e atdhetar,
Njeri i fjalës, burrë i kuvendit,
Që jetën ia kushtove kombit dhe Atdhut!
Kush ju gjykoi, kush ju dënoi,
Kush këtë dhimbje mbi ju e rëndoi?
Eh, sa e rëndë qenka kjo ditë,
Kur çlirimtari përballet me padrejtësi e pritë!
Kush i fryu përçarjes, kush i hapi udhë,
Që shqiptari shqiptarin ta shohë si të huaj?
Kush ju shtyu drejt kësaj stuhie,
Kur ju betuat në emblemë e në flamur,
Për atdheun, për lirinë,
Për ta parë Kosovën të lirë nga robëria?
Po pse, o shqiptar, kaq shumë u përçamë?
A mos vallë lirinë barrë e bëmë?
Kur ishim nën zgjedhën e barbarisë,
Zërin e kishim një, në emër të lirisë.
E kur erdhi liria, çfarë na ndodhi?
Disa harruan gjakun që u derdh për këtë tokë,
Disa harruan burgjet, plagët e sakrificat,
Dhe nisën të shajnë e të mohojnë historinë.
Dje kërkonim bashkim përballë armikut,
Sot kërkojmë fajtorë në mesin e njëri-tjetrit.
Dje flamurin e mbanim me krenari,
Sot disa e përdorin për përçarje e lavdi.
Në çfarë shërbimi je, o shqiptar,
Kur hedh baltë mbi emrin e çlirimtarit?
Mund të kesh mendim, mund të kërkosh drejtësi,
Por mos e shndërro historinë në urrejtje e armiqësi!
Ndalu, o vëlla, vetëm një çast,
Mendo për gjakun që u derdh në këtë tokë!
Për ata që ranë e nuk u kthyen më,
Për nënat që ende presin bijtë e tyre në derë.
Mos harro, o shqiptar, asnjëherë,
Liria nuk erdhi dhuratë nga qielli,
Ajo u fitua me gjak, me plagë e sakrificë,
Dhe ka emra që historia nuk duhet t’i fshijë!
Bacë Jakup, kjo është fjala ime,
Me dhimbje, me respekt e me krenari,
Mund të ndryshojnë kohët e njerëzit,
Por nuk duhet të ndryshojë kujtesa për lirinë!
SEPSE NGA ÇLIRIMTARËT U HAP RRUGA E LIRISË,
E PA BASHKIM KOMBËTAR, LIRIA E HUMB KUJTESËN E SAJ!
E dimë se gjithë shqiptarët nuk e kenë të njëjtin mendim, por është e domosdoshme që të mos e humbin respektin për sakrificën e njëri-tjetrit. Drejtësia duhet kërkuar, por historia, dinjiteti dhe kontributi kombëtar nuk duhet të përdoren si armë për përçarje.
Atdheu mbi të gjitha – Bashkim e jo përçarje!
Burimi/Facebook


Leave a Reply