Në skenën politike të Kukësit ka emra që nuk maten vetëm me funksionet që kanë mbajtur, por edhe me besimin që arrijnë të fitojnë te qytetarët. Një prej tyre është Shkëlqim Shehu, emri që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 dëshmoi se gëzon një mbështetje të konsiderueshme në radhët e demokratëve dhe elektoratit kuksian.
Ish-drejtuesi i Gjendjes Civile në Kukës, Shehu hyri në garën e Partisë Demokratike me një profil të njohur në zonë dhe me ambicien për të përfaqësuar qytetarët e Qarkut Kukës në Kuvendin e Shqipërisë.
Që në procesin e primareve të PD-së, ai dha sinjalet e para të një mbështetjeje të rëndësishme, duke u renditur i dyti në qark me 430 vota.
Por ishte gara parlamentare ajo që e vendosi Shkëlqim Shehun në qendër të vëmendjes. Në zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvendin e Shqipërisë, ai siguroi 7,944 vota personale, duke u renditur ndër kandidatët më të votuar të Partisë Demokratike në Qarkun Kukës.
Një rezultat që nuk mund të konsiderohet thjesht si një shifër elektorale, por si një tregues i qartë i mbështetjes që ai ka ndërtuar në terren. Për më tepër, zëri i tij konstant në përfaqësimin e shqetësimeve të zonës dhe komunikimi me qytetarët i japin profilit të tij një dimension që shkon përtej një gare parlamentare.
Dhe pikërisht këtu nis të marrë kuptim edhe një tjetër zhvillim i mundshëm politik: gara për Bashkinë Kukës.
Profili i tij, mbështetja e dëshmuar në zgjedhje, njohja me problematikat lokale dhe qëndrueshmëria në qëndrimet publike e bëjnë Shkëlqim Shehun një nga emrat më potentë për t’u konsideruar në garën e ardhshme për drejtimin e Bashkisë Kukës.
Kukësi, ka nevojë për përfaqësues që njohin realitetin e zonës, që mbajnë lidhje të drejtpërdrejta me njerëzit dhe që e shohin politikën si përgjegjësi ndaj komunitetit. Në këtë kontekst, Shehu përfaqëson një profil që mund të jetë konkurrues dhe që meriton vëmendjen e strukturave të Partisë Demokratike në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave.
Përtej çdo funksioni apo posti, 7,944 votat janë një kapital politik i rëndësishëm dhe një dëshmi se mbështetja qytetare ndërtohet me besim, komunikim dhe praninë në terren.
Shkëlqim Shehu është një emër që nuk mund të anashkalohet në diskutimet për të ardhmen politike të Kukësit. Nëse Partia Demokratike kërkon një kandidaturë me mbështetje të provuar dhe lidhje me qytetarët, ai është padyshim një nga alternativat më serioze që meriton të shqyrtohet për Bashkinë Kukës.
Burimi/Facebook/Sprint.al


Leave a Reply