Në pakon që më erdhi, bashkë me librat e dëshiruar, ishte dhe një grubull i vogēl si me kartëvizita, që i kishte futur Profesor Lisandri Kola.
I mora ndër duar, portrete të poetēve Arshi Pipa e Martin Camaj me At’ Gjergj Fishtën në mes, një trini shpirtërore rrezëllitëse…
Mē preku, tri zëra, tri fate të mëdha të fjalës shqipe, të bashkuar ashtu mrekullisht se Lisandri Kola është dhe profesori që në Universitetin e njohur në Ann Arbor, në Michigan, SHBA, krijoi lëndën e letërsisë shqipe me shkrimtarë në diasporë. Ideuar prej tij, me përpjekjet e tij intekektuale, si arritje e tij universitare, kjo bëmë mbetet dhe triumf i letrave shqipe.
Edhe kjo copëz kartëz me tre portretet e poetëve tanë të mëdhenj, është një tregues, sipas meje, mjafton që t’ua ketë shpërndarë studentëve të tij, amerikanë shumica, po edhe nga vende të tjera që studiojnë në SHBA, edhe shqiptarë natyrisht. Gjithsesi kartëza rrëfen dhe nga rrugëtimi shpirtëror shqiptar drejt Kulturës Perëndimore, me sakrifica, me rreziqe dhe gjak, me poezinë e madhe.
A ka lidhje me SHBA-në kjo trini? Po, patjetër. Dhe historike. Po e nis me korifeun:
At’ Gjergj Fishta
erdhi në Amerikë në vitin 1922, shkoi në Washington dhe u takua me personalitete amerikane për çështjen e njohjes së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, gjë që ndihmoi në këtë proces. SHBA e njohu de jure Shqipërinë më 28 korrik 1922.
Ndërkaq At’ Fishta e pasuroi letërsinë tonë të udhëtimeve me kujtime të shkëlqyera dhe nga SHBA…
Profesor Arshi Pipa
është lidhja më e drejtpërdrejtë akademike me Amerikën. Pas burgimit në Shqipëri dhe arratisjes, u vendos në SHBA në vitin 1958/1959 dhe dha mësim në disa universitete amerikane, ndër të tjera Columbia, Berkeley dhe Minnesota. Dha edhe kurse të shqipes, botoi “Librin e burgut” me sonete infernale, libra të tjerë në anglisht dhe në shqip të një rëndësie të veçantë, jo vetëm në atë të mendimit kritik e filozofik shqiptar.
Profesor Martin Camaj
u arratis nga Shqipëria për t’i shpëtuar përndjekjes, përfundoi në Gjermani, ku hapi dhe drejtoi Katedrën e Albanalogjisë në një Universitet të rëndësishëm, shkruajti letërsi të madhe në gjuhën amë, poezia e tij u përkthye dhe në anglisht dhe u botua në New York.
Camaj ndërkaq udhëhoqi përpjekjet për krijimin e një katedre të Albanalogjisë në “New York University” në vitet 1986-1989. Pati dhe një propozim zyrtar për një “Chair in Albanian Culture”, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan kishte premtuar një pjesë të madhe të fondeve, por kjo ëndërr mbeti e pa realizuar. Dhe Camaj befas do të ikte nga kjo jetë…
Lutem që e ardhmja ta bëjë realitet ëndrrën në SHBA me idealistë e profesionistë të letrave shqipe.
Mbase Profesor Lisandri Kola deshi t’na i kujtojë këto akte. Të zgjojë nismën, ku eci me dinjitet… Puna e tij, talenti dhe kultura janë një siguri dhe ndershmëri intekektuale, e dashurisë për gjuhën shqipe, të cilën e lëvron mrekullisht, edhe pse shkruan dhe në anglisht, në italisht dhe njeh gjuhët sllave të Ballkanit, etj.
Kartëzën me tre portrete poetësh unë e shoh dhe si një thirrje të brendshme ndaj secilit nga ne dhe të gjithëve bashkë, ftesē pēr tē bērē mē tē mirēn. Ajo është dhe e bukur!
Visar




Burimi/Facebook


Leave a Reply