Nga Paulin Maçaj
Shkodër
Pak fjalë për lexuesin para se të nisë leximin:
Ky shkrim nuk u shkrua për të mbushur faqe gazetash e as për të marrë kohën tuaj. Ai nuk është voluminoz, sepse e vërteta e madhe nuk ka nevojë për stoli fjalësh apo fraza të gjata profesionale; ajo ka nevojë vetëm për sinqeritet. Çdo rresht këtu është skanim i drejtpërdrejtë i asaj që po jetojmë në çdo vatër tonën. Nuk kërkohet më shumë se pak minuta durim për ta lexuar, sepse brenda këtyre rreshtave çdo prind, çdo i ri e çdo shqiptar do të gjejë vetveten, hallin e vet dhe pyetjen se ku po shkojmë. Lexojeni, peshojeni me ndërgjegje dhe vetëvlerësojeni: sepse po nuk menduam e nuk vepruam sot për uladin tonë, e nesërmja do të jetë tejet e dhimbshme!
Pse duhet ta lexojë çdo prind e çdo shqiptar këtë shkrim?
Para se të kërkojmë fajtorin jashtë vetes, le t’i bëjmë secili vetes pyetjen më të dhimbshme: Pse po na ndodh kjo e keqe? Pse sot brezat e rinj po shfarosen çdo ditë nga trojet e veta dhe po marrin rrugët e botës, duke lënë vatra të ftohura e shtëpi pa zot? A kemi menduar se cili është shkaku i vërtetë që na solli në këtë pikë? Kemi përreth shembuj të trishtë plot, ngjarje që na drithërojnë çdo ditë, por vazhdojmë të heshtim. Ky shkrim nuk është thjesht një lexim i radhës; është një thirrje për zgjim të menjëhershëm të ndërgjegjes. Është koha të predikojmë të vërtetën dhe të vendosim se çka do të mbrojmë, para se të bëhet tepër vonë për uladin tonë!
Sot nuk na duhen më fjalët e bukura e as ligjëratat e gjata të politikës, sepse populli ynë është një popull i rritur me familje, me besë e me vlera që i ka ruajtur ndër breza me shumë mund. Por këtij populli sot i duhet një zë i drejtë që ta zgjojë nga ai gjumë i ftohtë ku e kanë zhytur. Nuk është faj vetëm i kësaj dite; këtij populli i është mbjellë frika ndër shekuj e ndër katragjyshër. Gjysh pas gjyshi e prind pas prindi, njerëzit tanë janë gënjyer e janë zhgënjyer aq shumë, saqë çdo njeriut i kanë lënë nga një hije të keqe në shpirt, një zhgënjim të thellë që nuk e lë të mendojë se si mund të shërohet kjo lëngatë.
Sot nuk po jetojmë më në një shoqëri ku e keqja ndodh nga pakujdesia apo nga një dështim i rastësishëm. Ajo që po përjetojmë mbi kurrizin tonë është rezultat i një arkitekture të ndërtuar tullë pas tulle për dekada me radhë: tjetërsimi i njeriut të ndershëm, shkatërrimi i familjes tradicionale dhe asgjësimi i shpresës mbi këtë tokë arbnore. Ky nuk është më thjesht një reagim politik, por është një skanim i dhimbjes së çdo prindi që gdhihet me frikën se çka po u lë fëmijve të vet.
Për ta sjellë shoqërinë në këtë pikë zbrazëtie, u luftua me egërsi trefishi i vlerave tona. U luftua njeriu i dijes dhe i shkollës, ku arsimimi i ndershëm u mënjanua për t’i lënë vendin servilizmit, sekserit e patronazhistit të lagjes. U luftua familja e shëndoshë, si bërthama ku brumoset moraliteti e qytetaria. Dhe mbi të gjitha, u luftua prona e atërave: pasi u detyruan bijtë e bijat tona të marrin rrugët e botës, goditja e radhës u projektua mbi trojet e tyre, duke kërkuar t’u merren shtëpitë, trojet e kasollet e stërgjyshërve e duke u prerë fijen e fundit që i lidh me atdheun.
Kështu, çdo i ri apo prind me dinjitet është vënë përballë një kurthi të hapur: ose të hyjë në rrugën e antivlerës e të bëhet pjesë e korrupsionit, ose të braktisë vatrën e të ikë në emigrim. Kjo nuk është zgjedhje e lirë, por një dëbim i heshtur. Administrata është kthyer në ushtri kontrolli, arsimi e shëndetësia në tregti pazarsh, ndërsa ajo që shitet si drejtësi nuk është veçse përplasje muskujsh mes klaneve që eliminojnë njëra-tjetrën. Nuk mjaftoi që na zbrazën vatra e na larguan bijtë e bijat, por tani kërkojnë t’u presin edhe fijen e fundit me tokën e tyre! Nëse u merret edhe prona e trashëgimia që u kanë lënë gjyshërit, çka u mbetet më atdheu për bijtë tanë në emigrim? Kjo është një këmborë alarmi për shfarosjen e heshtur e të vërtetë të këtij kombi, ku vendi po zbrazet nga zotërit e vet natyrorë për t’u tjetërsuar krejtësisht.
Na japin përshtypjen se po kthehen, se po mbushën rrugët e oborret për pak ditë gjatë verës apo festave, por sa ikin, e shohim qartë të vërtetën e hidhur: vendi i tyre u është bërë i huaj. Ajo që po përjetojmë sot nuk është më thjesht çështje shifrash apo statistikash zyrtare. Është një plagë e gjallë e e hapur në çdo vatër, në çdo familje e në çdo lagje tonën. Tani që u larguan sërish ata pak njerëz që erdhën nga emigrimi — vëllezërit, motrat, bijtë e bijat, miqtë e shokët më të mirë — e vërejmë se jemi prapë të dënuar ta jetojmë këtë mundim në shpirt. U kthyen atje ku i kanë imponuar të ikin, sepse në vendin e vet nuk i lanë të ndërtojnë të nesërmen.
Vendi po kthehet prapë te ajo e shkuar e zymtë ku dëgjojmë vetëm lajme të hidhura e shkojmë veç në varrime. Kur ikin të rinjtë, heshtja që mbetet pas nuk është qetësi natyre, por heshtje braktisjeje. Qytetet, lagjet, fushat, malet e detet humbin frymën e tyre më të bukur: zërat e fëmijve, gëzimet e lindjeve, dasmat dhe gjallninë e së ardhmes. Bilanci natyror i Shqipërisë vazhdon të dalë negativ — më shumë vdekje sesa lindje. Këtu fillon drama e vërtetë kombëtare. Një Shqipëri që kërkon të shesë imazhin e suksesit turistik, ndërkohë që humbet njerëzit e vet brenda, duhet t’i bëjë vetes disa pyetje të pashmangshme: Kush do ta ndërtojë Shqipërinë pas 20 vitesh? Kush do të punojë e kush do të paguajë pensionet? Kush do t’i mbajë gjallë qytetet e fshatrat tona? Kush do t’i rrisë fëmijët në këto troje? Dhe mbi të gjitha: Kush do të kthehet?
Miliona shqiptarë që jetojnë sot në emigrim nuk janë thjesht shifra apo dërgues parash. Ata janë pjesa e trupit tonë që mungon fizikisht. Prandaj sot nuk duhet të mjaftohemi me pyetjen: “Sa turistë erdhën?”, por duhet të ulërasim nga pyetja: “Sa shqiptarë po largohen?”
Sot degradimi ka arritur në atë pikë ku nuk mban më ujë asgjë e nuk ka më vend për durim. Jeta e njeriut nuk pret, e mbi të gjitha, jeta e uladit tënd nuk pret. Për një prind të vërtetë, pasuria më e madhe që i lihet fëmijës nuk janë paratë e pamerituara e as shtëpitë e kartonit, por janë vlerat, edukata, arsimimi i ndershëm dhe siguria mbi tokën e vet. Pse të mos bëhesh ti sot ilaçi për uladin që lë pas? Sepse duke kërkuar të drejtën, duke mbrojtur të vërtetën e duke kthyer vlerat në vendin e vet, ti nuk po bën thjesht një reagim, por po u lë fëmijve sigurinë e jetës. Kur forcohet familja si shtyllë kryesore, vetvetiu ndërtohet një shoqëri e shëndoshë dhe një vend i sigurt ku jetohet me punë të ndershme. Vetëm kështu çdo nivel i shoqërisë vendoset aty ku e meriton e ku i takon të jetë.
Mos lejoni më që ta merrni jetën si t’ju vijnë ditët! Janë pikërisht kjo heshtje, kjo frikë e ky pranim i së keqes që ju kanë ftohur në familje, ju kanë larguar nga fëmijët e ju kanë përçarë në shoqëri e deri në hasmëri. Rrugët e atyre individëve që marrin atë që nuk u takon, që jetojnë me të pamerituarën e me paranë e pistë, nuk sjellin veçse shkatërrim. Ato rrugë janë pasiguri, janë vrasje, janë dhimbje e janë zi për secilën vatër.
Ajo që të lemeris më shumë është se sot ka nga ata që thonë: “Unë jam mirë, kam boll e s’më duhet gjë se çka bëhet jashtë derës sime”. Sa gabim që po hyjnë në hak! Pa e ditur e pa e kuptuar, po e paguajnë shumë rëndë me uladin e tyre e me kryet e vet, sepse po e lënë të nesërmen pa asnjë siguri. Sot nuk e shohin se ku po ndodhen e sa po e thellojnë gropën nën këmbët e veta. Çdo njeri duhet të ndalet e të mendojë mirë para se të jetë tepër vonë, para se të mbyten të gjithë nga zullumi e egoizmi i vetvetes. Sepse asgjë e mirë nuk vjen vetvetiu; e ardhmja e sigurt për brezat është vetëm ajo rrugë që e ndërton vetë me duart, me punën e ndershme e me ndërgjegjen tënde.
Kjo pasqyrë skanimi na çon te vlerësimi më i thellë e më i pashmangshëm: pesha e vërtetë e prindit nuk matet me kapitalin financiar, me miliona apo me pallate që i lihen fëmijës, por me ngrohtësinë e vatrës, sigurinë shpirtërore dhe dinjitetin. Pasuria e vënë pa djersë, pa moral e pa shkollim të ndershëm e ftoh shtëpinë, i largon fëmijët dhe e kthen jetën e familjes në një pritje të ankthshme se nga do t’i vijë goditja e radhës. Rruga e antivlerës e lë fëmijën me një jetë plot frikë mbi krye — duke jetuar në pasiguri e me zi. Ndërsa rruga e ndershmërisë, dijes, arsimimit dhe mbrojtjes së familjes i lë fëmijës mbrojtjen më të madhe: ndërgjegjen e pastër, dashurinë vetëmohuese të prindit dhe rrënjët e forta mbi tokën e vet.
Kush vendos jetën e uladit të parin, nuk mund të pranojë asnjë rrugë të lehtë apo të pistë që nesër e paguan rëndë me kryet e veta! Uladi është ndërgjegjja e ditës së nesërme dhe pasqyra e vetme e vërtetë e prindit. Nëse duam që uladi ynë të mos na mallkojë nesër se i lamë në një tokë pa zot e pa moral, duhet të ngrihet sot zëri i çdo atëri e i çdo nëne. Nuk ka forcë mbi tokë që e mposht prindin që mbron fëmijën e vet, arsimimin e tij dhe vlerat e familjes mbi tokën e stërgjyshërve!
💬 A po mendojmë sot për të nesërmen e fëmijve tanë apo po vazhdojmë të heshtim? Jepni mendimin tuaj te komentet dhe shpërndajeni këtë mesazh nëse besoni te familja dhe e vërteta!


Burimi/Facebook


Leave a Reply