Historia e njerëzimit njeh shumë gjykata. Disa kanë mbrojtur të dobëtin nga i forti, të tjera i kanë dhënë të fortit një vulë juridike për të shtypur të dobëtin. Sot vlen të kujtojmë se gjyqi më i njohur në historinë e qytetërimit nuk u zhvillua në Hagë, as në Romë, as në Athinë. Ai u zhvillua në një oborr në Jerusalem, përpara Ponc Pilatit.
Përballë Pilatit qëndronte Krishti. Nuk kishte kryer asnjë krim. Nuk kishte ngritur ushtri, nuk kishte rrëmbyer fronin dhe nuk kishte derdhur gjak. Pilati shqyrtoi akuzat ndaj Krishtit , e mori në pyetje dhe në fund tha: “Unë nuk gjej asnjë faj tek ai.” Megjithatë, i njëjti Pilat që e shpalli të pafajshëm, e dorëzoi për t’u kryqëzuar.
Çfarë ndodhi atë ditë?
Ligji nuk u mposht nga mungesa e provave për pafajësi, por u mposht nga presioni. Gjykatësi nuk u bind nga e vërteta, por u tremb nga turma. Pushteti nuk pyeti më: “Çfarë është e drejtë?”, por: “Çfarë më kushton më pak politikisht?” Dhe kështu, Pilati lau duart, sikur uji të mund t’ia pastronte ndërgjegjen nga një vendim i padrejtë.
Pilati na mëson se njeriu mund t’i lajë duart, por nuk mund ta lajë historinë. Ai mund ta nënshkruajë vendimin, por nuk mund të ndryshojë natyrën e së vërtetetës. Mund ta mbyllë çështjen juridikisht, por asnjëherë moralisht. Megjithëse Gjykata e Pilatit përfundoi brenda një mëngjesi, gjykimi i historisë mbi Pilatin vazhdon prej dy mijë vjetësh.
Natyrisht, nuk duhet ta përdorim paralelen biblike për të bërë një barazim absolut ndërmjet pafajësisë së përsosur të Krishtit dhe çdo të akuzuari njerëzor. Krishti qëndron i vetëm në shenjtërinë e Tij.
Por gjyqi i Tij zbulon një të vërtetë universale: institucionet njerëzore mund të gabojnë, procedura mund të përdoret për të veshur padrejtësinë me petkun e ligjit, presioni politik mund ta zhvendosë peshoren edhe kur gjykatësi pretendon se është i paanshëm.
Ka vendime që shpallen nga gjykatat, por rrëzohen nga historia.
Sokrati u dënua sipas ligjeve të Athinës, por sot nuk kujtojmë madhështinë e gjykatësve të tij, por kujtojmë madhështinë e njeriut që ata dënuan.
Apostulli Pal u mbajt në pranga nga një administratë që e njihte pafajësinë e tij, por e zvarriste çështjen për leverdi politike.
Jezusi u kryqëzua me një mbishkrim juridik mbi kokë, megjithëse qielli dëshmonte pafajësinë e Tij.
Kjo është tragjedia e drejtësisë njerëzore: ajo mund të ketë çekiçin, por jo domosdoshmërisht të vërtetën. Mund të ketë autoritetin për të dënuar, por jo pushtetin për ta ndryshuar atë që ka përjetuar një popull.
Nuk mund të gjykohet rezistenca pa gjykuar pushtimin
Kosova nuk u zgjua një mëngjes dhe vendosi të shpikte një luftë. Lufta e saj lindi në një tokë ku dhuna shtetërore, shtypja, dëbimi dhe mohimi i të drejtës për të jetuar i lirë kishin krijuar një plagë të thellë. UÇK-ja nuk ishte shkaku i tragjedisë së Kosovës, ajo ishte pasoja e një padrejtësie që ishte bërë e padurueshme.
Kjo nuk do të thotë se çdo veprim i çdo pjesëtari të saj ishte i pagabueshëm. Asnjë ushtri njerëzore nuk është pa mëkat dhe asnjë uniformë nuk e vendos njeriun mbi ligjin moral.
Por ka një ndryshim themelor ndërmjet agresorit që ndërton një makineri shtetërore për nënshtrim dhe popullit që ngrihet për të mbijetuar. Nëse ky dallim fshihet, historia nuk lexohet më; ajo rishkruhet.
Nuk mund ta nxjerrësh një episod nga oqeani i vuajtjes dhe ta paraqesësh sikur ai të ishte vetë oqeani. Nuk mund të gjykosh rezistencën duke harruar pushtimin. Nuk mund të numërosh vetëm gabimet e atyre që u ngritën nga gjunjët, ndërsa lë në mjegull krimet e atyre që i detyruan të jetonin në gjunjë.
Vendimi i sotëm krijon pikërisht këtë rrezik: që në arenën ndërkombëtare të prodhohet një simetri morale ndërmjet viktimës dhe agresorit. Kjo simetri është deformim.
Pajtimi i vërtetë nuk ndërtohet duke barazuar fajet, por duke emërtuar të vërtetën. Falja nuk kërkon amnezi. Paqja nuk kërkon që viktima të harrojë se kush ia dogji shtëpinë. Drejtësia nuk mund të bëhet ura mbi të cilën agresori kalon moralisht i barabartë me atë që ka shtypur.
Megjithatë, në këtë orë të rëndë, Kosova duhet të ruhet nga dy skaje: nga nënshtrimi pa dinjitet dhe nga zemërimi pa vetëpërmbajtje.
Zhgenjimi dhe dhimbja nuk duhet t’i hapin derën kaosit. Zemërimi është i kuptueshëm, por zemërimi që humbet arsyen mund të bëhet aleati më i mirë i atyre që kërkojnë ta paraqesin Kosovën si një shtet që nuk e meriton njohjen dhe proceset e integrimit.
Kosova duhet ta kundërshtojë vendimin përmes së drejtës së apelimit, ekspertizës juridike ndërkombëtare, dokumentimit historik, diplomacisë së qëndrueshme dhe ndërtimit të një rrëfimi kombëtar të mbështetur në fakte. Një komb nuk e fiton betejën për kujtesën vetëm me dhimbje. E fiton me arkiva, dëshmi, libra, institucione, aleanca dhe diplomatë që dinë jo vetëm të sillen rrethin diskursit populist mbi atdheun, por të bindin juridikisht dhe politikisht ndërkombëtarët.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, miqësitë janë të vyera, por interesat janë të përhershme. Kosova dhe Shqipëria duhet ta kuptojnë se mirënjohja ndaj aleatëve nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë. Një mik i vërtetë nuk është ai që të kërkon të heqësh dorë nga dinjiteti për të ruajtur marrëdhënien, por është ai që pranon ta dëgjojë kundërshtimin tënd kur marrëdhënia rrezikon t’i largohet së vërtetetës.
Shqiptarëve sot i duhet një diplomaci që nuk reagon vetëm pasi është shqiptuar vendimi. Na duhet diplomaci parandaluese, e kultivuar, profesionale dhe shumëgjuhëshe. Një diplomaci që ndërton ura në kancelaritë perëndimore, në universitete, në media, në institucione fetare dhe në qendrat ku formohet opinioni ndërkombëtar. Nuk mjafton të kemi të drejtë. Duhet të dimë ta artikulojmë të drejtën tonë në gjuhën që bota mund ta kuptojë.
Në Shkrimin e Shenjtë, Krishti u tha dishepujve të ishin “të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat”. Kosova ka nevojë për të dyja: për mençurinë që kupton interesat dhe për pastërtinë që nuk shet të vërtetën. Për guximin që kundërshton dhe për maturinë që nuk shkatërron aleancat. Ka nevojë për kujtesën që nuk harron dhe për vizionin që nuk mbetet rob i së shkuarës.
Sot nuk është dita për të urryer Evropën, për të braktisur aleatët apo për t’u mbyllur në guaskën e vetmisë së të shpërfillurit. Është dita për t’u kërkuar aleatëve që të jetojnë sipas parimeve që na kanë mësuar: barazi përpara ligjit, paanshmëri, proporcionalitet dhe drejtësi pa standarde të dyfishta.
Historia na paralajmëron se gjykatat njerëzore nuk janë të pagabueshme.
Ponc Pilati kishte autoritetin e Romës, vulën e perandorisë dhe fuqinë për të dhënë vendimin. Krishti kishte vetëm të vërtetën. Atë të premte dukej sikur Pilati kishte fituar. Por të dielën u kuptua se fjala e fundit nuk i përkiste gjykatës.
Prandaj, Kosova nuk duhet ta humbasë shpresën, as dinjitetin dhe as urtësinë. Vendimet mund të burgosin njerëzit, por nuk mund të burgosin të vërtetën. Ato mund ta rëndojnë të tashmen, por nuk janë të afta ta sundojnë përgjithmonë kujtesën dhe historinë e një populli.
Gjykata ka dhënë vendimin e saj. Apeli do të japë vendimin e vet. Historia do të japë një tjetër.
Por mbi të gjitha mbetet gjykimi i Perëndisë, përpara të cilit bien maskat, heshtin kancelaritë dhe mbi të njëjtin kandar peshohet si i forti, ashtu edhe i dobëti. Sepse vetëm atje drejtësia nuk ndikohet nga presioni, e vërteta nuk negociohet dhe askush nuk mund t’i lajë duart nga përgjegjësia.
Burimi/Facebook


Leave a Reply