Kosovës nuk i mungojnë emrat, as njerëzit me dije, përvojë politike dhe integritet personal apo profesional. Ajo që po i mungon aktualisht politikës kosovare është guximi i partive për ta vënë shtetin mbi interesin e tyre.
Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të trajtohet si plaçkë e shumicës, si shpërblim për besnikëri partiake apo si strehë për ambicie të konsumuara. Ai nuk duhet të jetë as noter i kryeministrit dhe as peng i opozitës. Presidenti duhet të jetë përfaqësues i unitetit të popullit, mbrojtës i Kushtetutës dhe zëri dinjitoz i Kosovës përballë miqve dhe kundërshtarëve të saj.
Nëse Kosova kërkon vërtet një PRESIDENT me peshë, sipas meje dy emra meritojnë të vendosen seriozisht mbi tryezën e kompromisit: Veton Surroi dhe Blerim Shala.
Veton Surroi përfaqëson intelektualin publik, gazetarinë e pavarur dhe mendimin politik jokonformist. Ai ka qenë i pranishëm në çastet vendimtare të historisë së re të Kosovës; në Rambuje, në procesin e përcaktimit të statusit dhe në përpjekjet për ndërtimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Ka kulturën, gjuhën diplomatike dhe njohjen ndërkombëtare për ta përfaqësuar Kosovën denjësisht. Mbi të gjitha, është mjaftueshëm i pavarur për të mos thënë gjithmonë atë që dëshiron të dëgjojë pushteti. Për mua, kjo nuk është dobësi, por një nga arsyet kryesore për ta konsideruar.
Blerim Shala përfaqëson një profil tjetër, më të qetë e më pak polemik, por me një kujtesë të jashtëzakonshme institucionale. Nga gazetaria jokonformiste te Rambujeja, nga koordinimi i grupeve të Kosovës në bisedimet e Vjenës deri te dialogu i Brukselit, ai ka qenë pjesë e pothuajse çdo procesi të rëndësishëm diplomatik të vendit. Ka punuar me përfaqësues të krahëve të ndryshëm politikë dhe njeh jo vetëm historinë e shtetformimit, por edhe mekanizmat e vështirë të negocimit ndërkombëtar. Nuk është njeri i fjalëve të mëdha, por i formulimeve të peshuara dhe i veprimit pragmatik.
As Surroi dhe as Shala nuk janë figura pa histori politike, pa qëndrime apo pa kundërshtarë. Por Kosova nuk po kërkon një shenjtor dhe as një emër të panjohur, të prodhuar në minutën e fundit për t’iu bindur dikujt. Ajo ka nevojë për një burrë shteti që ka biografi, mendim dhe kurajë për të thënë edhe “jo”.
Prandaj, propozimi mund të jetë krejt i thjeshtë: të kandidohen të dy, partitë të garantojnë kuorumin dhe deputetët të votojnë lirshëm e fshehtas. Le të fitojë ai që merr besimin më të gjerë të Kuvendit, jo thjesht shumicën minimale të një pazari politik.
Nëse partitë nuk arrijnë të zgjedhin as mes dy figurave të këtij niveli, atëherë problemi nuk është mungesa e një kandidati konsensual. Problemi është frika nga një President që nuk e kontrollon askush.
Kosova ka njerëz për President, por çështja është nëse partitë kanë ende aq “shtet” brenda vetes sa ta zgjedhin njërin prej tyre.
Nëse kërkohet vetëm një emër për të mbushur karrigen, lista mund të jetë e gjatë. Por, nëse Kosova kërkon vërtet PRESIDENT, le të zgjedhë mes Veton Surroit dhe Blerim Shalës;
e në mos këta dy, të gjendet mes të ngjashmëve të këtyre…

Burimi/Facebook


Leave a Reply