I jepet sot lamtumira e fundit 22-vjeçarit Klaus Gjergji, i cili humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti në det, në zonën mes Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, ku u godit rëndë nga helika e gomones. Kur ajo autoambulancë fluturoi me urgjencë duke kaluar nga Harku i Bërdicës për ta çuar drejt spitalit, me shpresë e me lutje në zemër, askush nuk donte ta besonte se po shuhej një dritë e tillë.
Nuk gjej fjalë për këtë dhimbje… Nuk është vetëm dhimbja për moshën e re, por dhimbja sepse u rrit e qe një model rinor me vlera të rralla familjare. Punonte te familja e tij, na shërbente e na afronte në atë klubin e vogël, e kur Klausi nuk ndodhej aty, dukej se mungonte vetë ëmbëlsia e gjallëria e vendit.
Klausi ishtemosha e djalit dhe e vajzës sime, ishin bashkë në një shkollë te gjimnazi “Maria Ndihmëtare”. Por përveçse shok i fëmijëve të mi, ky djalë i tillë ishte me çdokënd. Mua më la në borxh përjetë, se shumë herë s’më linte ta paguaja kafen. Tek ai djalë shihja një vlerë, një edukatë e një model njeriu që pak e sheh sot. Më kujtohet një nga ato ditë kur po flisja me të e më thoshte: “Puna mirë te shtëpia, por largimi i motrës që është martuar larg në Amerikë më ka ligështuar, tash nuk më bëhet me punuar më këtu, më mungon motra…” E unë si prind e vlerësoja aq shumë afrimitetin, ngrohtësinë dhe formimin e tij familjar.
Sot nuk dua të dëgjoj asgjë, se dhimbja nuk më lë të mendoj, por di që kjo nuk është e drejtë! Dhimbja shtohet kur në atë shtëpi mbeten vetëm prindërit e gjyshërit… E ky emigrim i zi për shumë shqiptarë pa letra! S’di a pati lajmërim, a i mungon motra sot në varrim, e mendoj a vazhdon jeta më kur nuk jemi as për të qenë pranë e për ta parë për herë të fundit vëllanë?
Nuk di as fjalë, por këto tragjedi na kalbin nga brenda… Na vdiq një pjesë jona te ai njeri që ishim. Në familjen time e përjetuam shumë rëndë. Isha me dy djemtë e vajzën në varrim, por do doja t’i këndonim asaj shtëpie e atij djali model, jo të na pikëllonte kështu. S’di kujt ia le këtë barrë o Klaus, e kujt t’ia lëmë këtë dhimbje!
Qofsh mirë me Zotin! Forca e Krishtit u dhashtë forcë prindërve të tu të vetmuar. O Zoja e Bekuar, Ti që e përjetove vdekjen e Birit Tënd për njerëzimin, rriji pranë kësaj familjeje e merre në Parriz atë lule që sot shkoi në banesën e fundit.
Si prind e si shok i fëmijëve të mi, kjo ikje më la me një plagë të hapur në shpirt.
Paulin Maçaj
Shkodër
Burimi/Facebook


Leave a Reply