Nga Paulin Maçaj:
Qëndroni për kombin dhe kundër zakoneve të huaja! Shkoni te rrënjët e të parëve tuaj e mendoni: a mos vallë nga torturat e mundimet që u janë bërë atyre ndër shekuj jeni sot këtu ku jeni?! Unë them po! Zoti e di, e po ashtu e dinë edhe ata që u torturuan, u munduan e u vranë, sepse pushtuesi gjithmonë ka patur vetëm një qëllim: të mbjellë ndasi, përçarje e injorancë mes nesh.
Nga zemra e Shkodrës dhe prej rrënjëve të thella të Malësisë së Madhe, unë flas si nip i dy besimeve—i rritur me Çok Zefin e Babadajën katolike dhe me Dhazant e Rusit myslimanë. Gjaku im është dëshmia më e gjallë se vëllazëria shqiptare nuk pyet për fe, por për nder, besë e atdhedashuri! Jam me bindje të plotë se pjesa më e madhe e popullit tonë janë si dajat e mi: njerëz të të njëjtit gjak, të ndershëm, me taban të fortë e me dashuri për vëllanë e vet, pa dallim besimi.
Pushtuesit e huaj ndër shekuj u munduan të na ndanin e në shumë zona ku shkeli turku u përpoqën të tjetërsonin e të kthenin besimin e njerëzve tanë. Por Zoti deshi që gjaku ynë të mbetet i pastër arbnor, ashtu siç mbetën të parët e mi në krahët kreshnike të Vermoshit, ku me shkjaun jemi vrarë e qëndruar për çdo pëllëmbë trolli e për kufirin shqiptar.
Asnjë urrejtje e asnjë propagandë nuk e shuan dot dritën e së vërtetës tonë kombëtare. Kushdo që përpiqet t’u mohojë të krishterëve shqiptarë kishat e tyre apo t’i etiketojë simbolet e shenjta si “të huaja”, nuk bën gjë tjetër veçse u shërben interesave të serbit e të çdo armiku që do të na shohë të përçarë. Historia jonë është e shkruar me gjak e me qëndresë: para se sllavët të zbritnin në Ballkan, stërgjyshërit tanë arbnorë e mbajtën kryqin e besimin si mburojë të identitetit, gjuhës dhe trojeve tona.
Trimitëria, qëndresa dhe odiseja e Malësisë së Madhe e të Vermoshit janë të shkruara me gjak e me nder në faqet më të ndritura të historisë tonë. Aty te kufiri me shkjaun, ku pushka e malësorit ishte ligji dhe mbrojtja e trojeve të parëve, është ruajtur me vetëmohim identiteti, besa dhe gjaku i pastër arbnor. Malësia nuk u përkul e nuk u shit kurrë para asnjë pushtuesi. Kur era e rrezikut kërcënonte të copëtonte trojet shqiptare, burrat e gratë e atyre kreshave qëndruan si shkëmb i patundur.
Rrënja e madhështisë tonë kombëtare nis që me Kryeheroin tonë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i cili bashkoi të gjithë princat e trojet arbnore nën një flamur e një besë, duke treguar para gjithë botës se arbërori lufton vetëm për dinjitet, liri e atdhe. Po këtë gjak e këtë trashëgimi të patundur e ringjalli në kohët tona edhe Adem Jashari me familjen e tij heroike, duke dëshmuar se fryma e Skënderbeut jeton e gjallë në secilin nga ne. Përpjekjet e mbetjeve të injorancës për t’i dhënë luftës arbnore apo asaj të UÇK-së ngjyrime fetare janë përpjekje të ulëta për të njollosur e tjetërsuar sakrificën tonë më të pastër kombëtare. Si Kastrioti dje, ashtu edhe Jasharajt sot, e bënë të qartë se pushka e shqiptarit shkrepet vetëm për kombin, për trojet e parëve dhe për flamurin kuqezi.
Shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë janë një trup e një shpirt. Krishterimi e Islamizmi ndër ne kanë jetuar e luftuar krah për krah kundër çdo pushtuesi. Besimi te Zoti tregon qytetari, dinjitet e maturi, jo urrejtje.
T’i thërrasim mendjes e të shtrëngojmë duart si vëllezër të një gjaku e një trualli. Të mos ia lëmë vendlindjen e ardhmen tonë as braktisjes e as injorancës. Kjo trashëgimi krenare, e përcjellë brezin pas brezi nga maja e Vermoshit e deri në zemër të Shkodrës, na kujton se kush jemi: një popull me dinjitet të pamposhtur, me rrënjë të thella autoktone dhe me një traditë vëllazërie e qëndrese që as kohërat e as stuhitë politike nuk e tjetërsojnë dot. Amaneti i Gjergj Kastriotit dhe heroizmi i Adem Jasharit mbeten të pashlyeshëm e të paprekshëm nga çdo mbetje apo analfabetizëm historik. Me besim në Zot e dashuri për njëri-tjetrin, le të qëndrojmë të bashkuar e të lartësuar dorë për dorë! Atdheu dhe kombi janë mbi çdo gjë!
Burimi/Facebook


Leave a Reply