Në mesin e disa qytetarëve nga Vushtrria që janë pagëzuar gjatë ditës së sotme në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë ishte edhe Fadil Musa, pjesëtar i familjes që ka dhuruar tokën për ndërtimin e kishës në Zagorë të Vushtrrisë. Pas pagëzimit, ai ka marrë emrin Bardhyl Musa.
Ai tha se pagëzimi ishte një dëshirë e kahmotshme e familjes së tij, duke theksuar se nuk kishte pasur mundësi të pagëzohej rreth një vit më parë, kur ishin pagëzuar pjesëtarët e tjerë të familjes Musa.
“Kjo është një vullnet i kahmotshëm i familjes time, përkatësisht familjes Musa. Familja ime janë pagëzuar para një viti. Unë s’kam pasur mundësi deri sot dhe sot e kreva këtë dëshirë të kahmotshme”, tha Musa.
Duke folur për ceremoninë e bekimit të gurthemelit të kishës në Zagorë, Musa tha se pavarësisht dëshirës së familjes së tij që kjo ceremoni të mbahej më 18 gusht, ata nuk dëshirojnë përplasje dhe e konsiderojnë vendimin e institucioneve të sigurisë si një masë për mbrojtjen e qytetarëve.
“Ne s’jemi kundër kërkujt. Ne kemi pasur dëshirë me vënë gurin e themelit sot me të vërtetë, por organet e sigurisë na sugjeruan që, për shkak që mos me ndodhë ndonjë ekses, nuk bën më me mbajtë këtë manifestim dhe ne e kuptuam atë gjithsesi.
Ai foli edhe për historinë e tokës së dhuruar për ndërtimin e kishës, duke treguar se kjo ishte pjesë e një amaneti të babait të tij, Rrahim Musës.
Sipas tij, në kohën e presidentit Ibrahim Rugova, babai i tij kishte ofruar dy hektarë tokë në Vushtrri për shqiptarët që mund të ktheheshin nga Turqia.
Musa tregoi se edhe pse atëherë nuk ishte realizuar ky qëllim, familja vendosi ta çonte në vend amanetin e të atit duke ia dhuruar tokën komunitetit për ndërtimin e një kishe.
Ai tha se vendin për ndërtimin e kishës e kanë zgjedhur edhe për shkak të historisë së tij, pasi pak më poshtë, sipas tij, në të kaluarën ka qenë e ndërtuar një kishë e vjetër ilire.
Ceremonia e pagëzimit u mbajt sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë, një ditë pas bekimit të gurthemelit të kishës së re në Zagorë të Vushtrrisë.
Ndërkaq kjo ceremoni ishte paraparë të mbahej më 18 gusht në Zagorë të Vushtrrisë por është ndaluar nga një vendim i Policisë së Kosovës
Burimi/Facebook/Kosova 24


Leave a Reply