Pas vendimit të pezullimit nga Gjykata kushtetuese, Tabaku i bën thirrje socialistëve: Ndaloni farsën me aktin normativ*
Deputetja e PD-së kërkoi ndërprerjen e shqyrtimit të dy akteve normative dhe një proces legjislativ transparent për ndërhyrjet që prekin të drejtat e qytetarëve.
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, kërkoi ndërprerjen e diskutimit në Kuvend për dy aktet normative që lidhen me tubimet, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dispozitës që parashikon gjoba për bllokimin e rrugëve gjatë protestave.
Duke iu drejtuar zonjës Kushi, e cila drejtonte seancën, Tabaku kërkoi që Kuvendi të ndalte procedurën e shqyrtimit. Ajo kujtoi se opozita kishte kërkuar që në fillim ndryshimin e rendit të ditës dhe mosmiratimin e dy akteve, ndërkohë që pritej vendimmarrja e Kushtetueses.
“A ka mundësi që të ndalojë diskutimi për këto dy akte normative? A ka mundësi që një herë të vetme të zbatoni një vendim të Gjykatës Kushtetuese?”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate kundërshtoi përdorimin e akteve normative për ndërhyrje që, sipas saj, prekin të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta. Ajo e lidhi kërkesën për ndalimin e diskutimit me detyrimin për respektimin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
“A e kuptoni që po ndryshoni Kushtetutën me akt normativ, sepse po prekni të drejta dhe liri themelore që janë të vendosura në Kushtetutë?”, u shpreh ajo.
Tabaku kërkoi gjithashtu që qytetarëve t’u ofrohet një proces legjislativ transparent dhe i hapur, duke i kërkuar drejtueses së seancës të merrte përsipër ndërprerjen e diskutimit.
Burimi/Facebook/AlbDreams Televizion


Leave a Reply