Sot, në mbledhjen e Senatit Akademik, ngrita zërin për studentët dhe për përgjegjësinë që duhet të mbajë edhe vetë universiteti përballë tyre.
Do të kisha dashur që propozimi im të ishte shkruar në rendin e ditës, megjithatë e vlerësoj hapjen e diskutimit në mbledhje nga ana e Rektorit të Universitetit të Tiranës, përfshirë edhe sqarimin e parashtruar se se nuk ka pasur penalizime për mungesat në mësim.
Theksoj megjithatë se përgjegjësia e universitetit shkon shumë më tej. Universiteti është institucion autonom që ka përgjegjësi edhe në mbështetjen e zhvillimeve ekonomike e shoqërore të vendit. Prandaj, edhe Rektorati duhet të jetë pjesë e kërkesës sonë për llogaridhënie.
Nëse kërkojmë llogari nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria, duhet të kemi të njëjtin standard edhe ndaj universitetit. Nëse mendojmë se edhe ai na ka kthyer shpinën, atëherë duhet të kemi kurajën ta themi dhe ta kërkojmë përgjegjësinë publikisht.
Për këtë arsye, kam propozuar që, krahas takimeve të studentëve, të zhvillohen edhe takime me pedagogë dhe dekanë, në mënyrë transparente, ku të diskutojmë hapur dhe të unifikojmë qëndrimet tona për përmirësimin e universitetit dhe komunitetit akademik.
Unë jam kundër dialogut me Ramën dhe Ministren e Arsimit. Për këtë qëndrim kam qenë e qartë që në fillim dhe vazhdoj të jem. Kam qenë zëri i studentëve edhe kur më është dashur të përballem e vetme, edhe kur kjo ka sjellë presione dhe vështirësi.
Nuk mund të bëj kompromise me dinjitetin tim dhe as me dinjitetin e studentëve. Por, mbi të gjitha, besoj se duhet të ruajmë standardin, të kemi të njëjtën kurajë përballë kujtdo dhe të mos lejojmë që interesat apo frika personale të na largojnë nga ajo për të cilën kemi dalë në protestë.
Studentët meritojnë më shumë se premtime. Meritojnë përgjegjësi, dinjitet dhe një universitet që qëndron në krah të tyre.
Burimi/Facebook


Leave a Reply