Një histori që meriton të dalë nga dorëshkrimi dhe të hyjë në bibliotekat e kombit!
Ka figura historike që nuk maten vetëm me atë që bënë në kohën e tyre, por me gjurmët që lanë në historinë e një kombi. Një ndër to është pa dyshim Isa Boletini, burri i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare, luftëtari dhe veprimtari që ia kushtoi jetën çështjes së lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë.
Roli i tij historik nuk fillon dhe as përfundon më 28 Nëntor 1912. Ai ishte pjesë e përpjekjeve të gjata kombëtare për çlirimin nga pushtimi osman, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Veprimtaria e tij, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, përbën një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.
Por, sa e njohim ne sot këtë histori? Sa dokumente, dëshmi dhe fakte presin ende të zbulohen, të sistemohen dhe të bëhen pronë e kujtesës sonë kolektive?
Pikërisht këtu merr rëndësi të veçantë një vepër e përgatitur me përkushtim të jashtëzakonshëm nga autori Aleksandër I. Bajgora, me titull:
RRUGA E ISË BOLETINIT PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË – 28 NËNTOR 1912.
Ky nuk është një dorëshkrim i zakonshëm. Gjatë shfletimit të tij pata rastin të shoh nga afër një punë të veçantë kërkimore e dokumentuese, të mbështetur në dëshmi, dokumente autentike dhe referenca historike e shkencore, të mbledhura me kujdes dhe përkushtim nga autori.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë vepër është fakti se libri është shkruar tërësisht me dorë, me një kaligrafi të rrallë dhe me një përkushtim që sot, në kohën e teknologjisë dhe shkrimit digjital, është gjithnjë e më i pazakontë.
Kjo veçori i jep dorëshkrimit edhe një vlerë të posaçme kulturore e dokumentare. Madje, mendoj se ia vlen të shqyrtohet edhe mundësia e vlerësimit të tij nga institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore, përfshirë UNESCO-n, nëse plotësohen kriteret e nevojshme për një trashëgimi të tillë kaligrafike.
Një dorëshkrim i tillë nuk duhet të mbetet i mbyllur në faqet e veta. Ai duhet të bëhet libër, të hyjë në bibliotekat tona, në institutet e historisë dhe në arkivat e kujtesës kombëtare.
Për këtë arsye, para botimit, vepra kërkon një proces serioz profesional: transkriptimin, redaktimin gjuhësor, recenzimin shkencor dhe verifikimin e dokumentacionit historik. Vetëm pas këtij procesi mund të përgatitet për botim si një kontribut i qëndrueshëm në historiografinë shqiptare.
Botimi i saj nuk do të ishte thjesht një libër më shumë në tregun e botimeve. Do të ishte një shërbim i çmuar për historinë tonë, një mundësi për të ndriçuar më tej një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit drejt Pavarësisë së Shqipërisë dhe për të shpërfaqur, përmes dokumenteve e dëshmive, rolin e Isë Boletinit në këtë proces historik.
Prandaj, sot dua t’u drejtohem publikisht afaristëve shqiptarë, sipërmarrësve, atdhetarëve dhe mërgimtarëve tanë kudo që ndodhen.
Ka shumë mënyra për ta dëshmuar dashurinë ndaj kombit. Ka investime që sjellin fitime ekonomike, por ka edhe investime që krijojnë vlera të përhershme për brezat. Mbështetja financiare për botimin e këtij libri është një prej tyre.
U bëj thirrje afaristëve shqiptarë që ta marrin përsipër këtë përgjegjësi kombëtare, qoftë individualisht, qoftë përmes një bashkëpunimi të përbashkët. Të mos presim që gjithçka ta bëjnë institucionet publike. Edhe kapitali shqiptar ka përgjegjësi ndaj historisë, kulturës dhe kujtesës së kombit të vet.
Unë, Shqiptar Shaljani, këtë thirrje nuk e bëj vetëm si një lexues që ka shfletuar dhe vlerësuar këtë dorëshkrim. E bëj si njeri që beson se historia jonë duhet të hulumtohet, të dokumentohet dhe t’u përcillet brezave me dinjitetin që meriton.
Shpresa dhe synimi im është që, nëse sigurohet mbështetja e nevojshme dhe përfundon procesi profesional i përgatitjes, më 28 Nëntor 2027, në 115-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ky libër të promovohet në Tiranë, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Shkup, Gjilan dhe në qytete të tjera shqiptare.
Do të ishte një nderim i veçantë për Isë Boletinin, për autorin Aleksandër I. Bajgora dhe për të gjithë ata që me punën e tyre përpiqen ta mbajnë gjallë kujtesën historike shqiptare.
Sepse Isa Boletini nuk i përket vetëm Boletinit, Mitrovicës apo Kosovës. Ai i përket historisë së mbarë kombit shqiptar.
Dhe në fund, le t’i kthehemi edhe një herë pyetjes së titullit: A do të ishte e njëjtë rruga drejt Pavarësisë së Shqipërisë pa veprimtarinë e Isë Boletinit?
Ndoshta përgjigjen më të mirë nuk duhet ta kërkojmë në hamendësime, por në dokumente, dëshmi dhe hulumtime historike. Pikërisht për këtë arsye, dorëshkrimi i Aleksandër I. Bajgorës meriton të marrë vëmendjen dhe mbështetjen tonë.
Historia nuk duhet vetëm të kujtohet. Ajo duhet të dokumentohet, të botohet dhe t’u dorëzohet brezave!
Shqiptar Shaljani







Burimi/Facebook


Leave a Reply