Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, u dha një mesazh të qartë dhe të prerë drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Braho, dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
“Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, tha Wendt në një trajnim për përdorimin e provave digjitale në hetimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ambasadori e lidhi zbatimin e barabartë të ligjit me investimet amerikane në Shqipëri. Ai tha se kompanitë amerikane janë të interesuara për energjinë, infrastrukturën, turizmin dhe teknologjinë, por vendimi i tyre për të investuar varet nga respektimi i kontratave, konkurrenca e ndershme në tenderë dhe besimi te drejtësia.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Zbatojeni ligjin njësoj për të gjithë.”
Sipas Wendt, kur një tender manipulohet, ofertuesi amerikan tërhiqet. Pasojat, tha ai, i ndien Shqipëria, e cila humbet vende pune dhe mundësi për rritje ekonomike.
Ambasadori tha se rrjetet që trafikojnë kokainë drejt Europës e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që furnizojnë edhe tregun amerikan. Për këtë arsye, theksoi ai, goditja e këtyre rrjeteve në Shqipëri ka rëndësi edhe për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
“Çdo kontejner që sekuestroni, çdo llogari që ngrini dhe çdo drejtues të krimit të organizuar që nxirrni para drejtësisë u heq karteleve para dhe pushtet.”
Wendt vuri në dukje se një pjesë e provave që u duhen hetuesve shqiptarë, nga emailet te të dhënat e rrjeteve sociale, ruhen në serverët e kompanive amerikane. Ai kërkoi që autoritetet të veprojnë shpejt për ruajtjen e tyre.
“Të dhënat mund të zhduken brenda pak ditësh. Një kërkesë për ruajtjen e tyre, e dërguar sot, mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm.”
Fjala e plotë e ambasadorit në Euronews.al
Burimi/Istagram/euronews_albania


Leave a Reply