(Apolidët, ose askushët, që vijnë nga askundi)
Prej kohësh kam dashur të shkruaj për disa shqiptarë, nëse mund t’i quaj të tillë, që kanë zgjedhur një rrugë të ndyrë vetëm për t’u bërë të famshëm.
Të mohosh atdheun, njerëzit e gjakut dhe çdo vlerë të kombit dhe të ngrihesh lart, është një ndër veprimet më të ulta, që mund të bëjë një intelektual, poet, këngëtar, apo artist jashtë atdheut
U desh dita e sotme e ndarjes nga jeta e një vajze shqiptare me ngjyrë, Hueyda El Sayed, që vdiq me medaljen e dashurisë e krenarisë së pashembullt ndaj Shqipërisë dhe bashkëkombësve të saj, që më nxiti të hedh këto rreshta.
Por nuk ishte vetëm kjo. Shtysa tjetër paralele, si për kontrast, ishte dalja e një këngë të re të Ermal Metës në Itali, e shoqëruar me komentin e tij të turpshëm, ku vjell sërish mbi shqiptarin më të afërt, të atin, që i ka bërë kokën, duk e quajtur njeri të poshtër.
Kjo ka ndodhur edhe me një tip shkrimtareje si Ornela Vorpsi, që fiton çmimin Cavour, duke shitur përveç vetes te editorët e Einaudit edhe çdo shqiptar dhe çdo vlerë të kombit, duke lavdëruar ose ngritur lart në qiell një njeri të vetëm, Ismail Kadarenë! E njëjta gjë, ka ndodhur dhe me E. Done te romani i saj i kthyer në film…
Po ashtu ka ndodhur dhe me poetin e italianizuar Gëzim Hajdari, që “shqiponja në poezitë e tij ia ha dhe ia gërryen gjoksin” i cili e shpall veten apolid, domethënë, i pa atdhe, imiton më tej poetin fitues të çmimit nobël turk Nazim Hikmet dhe duke gënjyer, që kudo në botë e duan atë dhe poezinë e tij, përveç shqiptarëve, që nuk ia dashkan të mirën, që poetët e urrejnë atë dhe poezitë e tij njëlloj si Nazim Hikmetin, që nuk i lexohet asnjë rresht në vendin e tij, duke pretenduar edhe ai për çmimin nobël…
Ndërkohë, është krejt e kundërta. Ai edhe kur nuk denjoi të vinte në panairin e librit në Shqipëri para disa vitesh, poezitë e tij u lexuan dhe u komentuan e u promovuan në një seancë të veçantë nga unë, Z.Morava, R. Gjoza, D. Gjergji dhe miku i tij Jozef Radi, i cili ligjëroi gjerë e gjatë mbi vlerat e poezisë së tij të botuar në Shqipëri dhe në Itali.
Turp i madh shumë të bësh famë, duke u sjellë ashtu siç kërkon bota nga ti, pra, duke mohuar atë çka është më e shtrenjtë dhe më e çmuar, njerëzit e tu, origjinën.
Në vijim të idesë, dua të ndalem sërish te Ermal Meta, i cili ka ‘korrur’ sukses në Itali pikërisht, duke ulur publikisht figurën atërore prej vitesh me këngën “E’ vietato morire”.
Si të mos mjaftonte kjo, sot del sërish me të njëjtën temë dhe me të njëjtin personazh, të atin. Kulmi. Sidomos, me komentet e dala boje, që nuk i kanë hije një biri. Dhe kur? Tani që ka kaluar mjaft kohë dhe është bërë burrë e prindët e tij kanë një jetë që janë ndarë.
Unë, në fakt duke e këshilluar, që i ati i tij tani meriton pak heshtje, do t’i sugjeroja Erhales të bënte një këngë për etërit shqiptarë në mërgim, që ngrihen pa gdhirë në Itali dhe u bie bretku gjithë ditën në punë të rënda dhe që shumë gra në këmbim nuk dinë t’i respektojnë, ose i dhunojnë psikologjikisht.
Megjithëse e di, që kërkesa ime do të bjerë në vesh të shurdhër, pasi askush nuk do ta pëlqejë këtë këngë…Sot është e rëndësishme të joshësh dhe ngacmosh histerinë e njerëzve, pasi kjo i pëlqen me tepër botës së dhjerë dhe këtë Erhalja e di mirë dhe e kryen mirë, anipse i kushton uljen e figurës atërore.
A e di Erhalja, që duke vepruar kështu, ai kryen të njëtën vepër si i ati dikur ndaj nënës së tij, madje më keq. Ai po e vret të atin kështu.
Po kush po pyet. Rëndësi ka fama. Fama, që Ermali nuk e di se shkon e vjen.
Duke nënvizuar këtë, del që përveçse e turpshme, sjellja e tij, e cila natyrisht bëri sërish “bujë”, është edhe dritëshkurtër.
Ermali i gjorë, nuk e di që shtypi dhe mediat italiane, pra italianët, që ai lëpin aq shumë, lanë në hije vite me radhë deri në frymën e fundit, këngëtarin poet, të famshin Lucio Batisti, saqë ai i zemëruar kërkoi që në ceremoninë e vdekjes të mos i shkonte askush, përveç familjarëve…
Por ndoshta, këta tipa si Ermali etj, vërtetë kanë të drejtë. Mbase ata janë njerëz, që nuk e meritojnë atdheun e tyre. Madje, madje, nuk meritojnë asnjë atdhe, sepse meritojnë atdheun e famës.
Tipa të tillë, të quajtur Apolidë, janë njerëz, që vijnë nga askundi dhe janë askushi…
Ata janë kontrast i plotë me yllin Hueyda, që u shua larg trojeve me Shqipërinë në mendje dhe zemër…
Milano, më 23 nëntor 2021
Burimi/Facebook


Leave a Reply