Më fal, vetja ime, që nuk di të sillem me djallëzi, ligësi.
Më fal që të lodha, vetja ime, por jam krenar që mbete e tillë: e pastër, e vërtetë dhe e pathyeshme në mirësinë tënde. …
Më fal që të lashë të besosh kaq verbërisht te mirësia e botës, edhe atëherë kur ajo tregonte dhëmbët. Më fal që nuk të mësova kurrë të veshësh maska, të thurësh prapaskena apo të flasësh me gjuhën e djallëzisë e të hipokrizisë. E di që shpesh të kam lënë të pambrojtur në një botë ku ligësia vishet me petkun e buzëqeshjes, ndërsa pastërtia e shpirtit shihet si dobësi.
Më fal që nuk di të bëj keq, as atëherë kur ma bëjnë. Nuk di ta kthej gurin me gur, as helmin me helm. Nuk di të shtirem sikur nuk më dhemb, as të bëhem një kopje e zbehtë e atyre që më kanë thyer zemrën.
Sa herë jam përpjekur të ngurtësohem, ti më ke thirrur sërish drejt dritës, duke më kujtuar se hakmarrja më e madhe është të mbetesh i paprekur nga baltosja e të tjerëve.
Ndoshta nuk do ta kem kurrë lehtësinë e atyre që e shesin shpirtin për pak interes, e ndoshta do të lëndohem sërish. Por, sinqerisht, nuk dua të ndryshoj. Nuk dua ta humbas këtë zemër të pastër vetëm për t’u përshtatur me njerëz që kanë harruar çfarë do të thotë të ndjesh, të duash dhe, mbi të gjitha, të jesh njeri
Burimi/Facebook


Leave a Reply