Pas disa dekada festash të harruara, është viti i dytë që fshati Piqeras kremton Festën Fetare të “SHËN MARISË!”. Pikërisht në 15 gusht, në Sheshin e “Shën Thanasit”, para një kishe të improvizuar, që fshatarët e mi e sajuan midis dy fasadave të “pallateve kubike të vullnetarëve” që dikur u morën përkohësisht me hapje taracash në mal, të cilat i fshiu koha e mëvonshëme, së toku edhe me festimet e gëzimet tona…Teksa nga kisha e vjetër, kishte shpëtuar nga vandalët, vetëm ulliri i shenjtë, prej njerëzve euforikë të politikës ekstreme!
U shemb kisha, u shuan festat dhe u thyen ikonat e shenjtorëve! Ndërsa ikona e famshëme e “Shën Marisë së Kremuesovës” në manastirin lartë në mal, e cilësuar e rrallë në Europë, kishte përfunduar nga ikanakët e parë, me 20 familje piqerasiote, qysh në vitin 1723 në Itali, midis Romës, Pascarës e Chietit, me emrin Villa Badessa…Si për tu ndritur udhët e fatin e tyre!

Ky rikthim i vonë në festimet e vendlindjes, megjithatë, është një “ogur i mirë” për botën e pasur shpirtërore të njerëzve.Që nuk ishte “çrrënjosur” nga piqerasiotët, gjerë në vitet 60 të shekullit te kalur, kur në sheshin me pllaka guri të Manastirit të Kremesovës, vallet e burrave, poshtë lisit të hershëm, nuk kanë rreshtur kurrë…Para se të ndodhte braktisja e madhe e 91-shit, me boshatisjen e fshatit, që pasuan mjerim, rrëzimin e dhjetëra çative, si edhe shuarjen e këtyre festave të shenjta…
Po ja që ka edhe njerëz që dinë se ç’bëjnë, për ta risjellë ca më të madhe akoma “Festën e Perëndisë”! Vijnë të malluar nga Greqia, Italia, Kanadaje e gjerë nga Islanda afër Polit të Veriut, për një çikë gëzim më shumë. Me afro njëmijë e ca mërgimtarë që krijojnë rrathët e valleve masive, me njerëz të të gjitha moshave, jo vetëm nga Piqerasi, po edhe nga fshatrat e tjetra te Bregut, ku nuk mungojnë edhe ca pakë turista ndër “banesat e gjalla” që kanë mbetur e ku ushtrohet edhe i ashtuquajturi “turëzëm familjar”! Llamburiti Piqerasi!
Këtë herë me një përbërje edhe më të gjërë të komisionit organizues, duke siguruar jo vetëm orkestrinën e këngëtarët, po edhe krijimin e një mjedisi festiv e kulinar të bollshëm, me servitorët e duhur e të papërtuar. Për të mbushur Sheshin e “Shën Thanasit” me këngë e valle, gjer në pasmesnate…Dhe kur harmonia e brezave në valle, krijon një bukuri për syrin e ngazëllim për shpirtin e njeriut, me shpresën e madhe se nuk do të kemi më braktisje të “PERLËS PIQERAS!”
Bukur…Shumë bukur!…
Piqeras, më 16 gusht 2026

Burimi/Facebook


Leave a Reply