Ndarja nga jeta e ish-kreut të Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, ka lënë të shokuar familjarë dhe miq të tij. Ai u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, teksa po pushonte me familjen e tij në bjeshkët e Tropojës. Eduard Halimi, ish-ministër drejtësie dhe njëherësh mik me të ndjerin, ka bërë një reagim prekës në rrjetet sociale, ku ndihet i keqardhur për takimin e radhës që e kishin shtyrë së bashku. Ai tregon se me Halucin kanë qenë në të njëjtin fakultet, dhe se i kanë bashkuar vite të gjata shoqërie, e padyshim dhe pikëpamjesh politike.
STATUSI I HALIMIT
I pabesueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të Skënder Halucit, njeriut që regjimi komunist e kishte dënuar me vdekje!
Na bashkoi Fakulteti i Drejtësisë, 35 vjet më parë. Na afruan padyshim pikëpamjet tona politike, historitë familjare, por mbi të gjitha na lidhi një shoqëri e gjatë
Kur, në fakultet, më tregoi për herë të parë se regjimi komunist e kishte dënuar me vdekje, nën akuzën për një atentat ndaj Ramiz Alisë, pothuajse nuk e besova. Ishte një histori që dukej e pabesueshme për ne që sapo po njiheshim. Prej asaj kohe u bëmë shokë dhe mbetëm të tillë për më shumë se tri dekada.
Sot më rëndon mendimi se sa herë e shtymë atë drekën tonë. I shtyjmë takimet me miqtë dhe shokët, me bindjen se kemi kohë: jo sot, nesër; jo këtë javë, javën tjetër, jo në gusht por në shtator! Derisa vjen një ditë si kjo dhe kupton se koha nuk na është premtuar, nuk e kemi në dorë. Se disa takime, po i shtymë gjatë, mbeten përgjithmonë pa u bërë.
Lamtumirë, miku im Skënder.
U prehsh në paqe
Burimi/Facebook/shekulli.online


Leave a Reply