“Po e bani Shkodrën nji qytet pa qytet”, Imeldi Sokoli kritikon ndërtimet pranë Teatrit “Migjeni”
“Trishtim… s’po e njof qytetin tem…”. Kështu nis reagimi i urbanistit dhe këshilltarit të PD-së në Shkodër, Imeldi Sokoli, i cili ngre shqetësimin për transformimin e një prej rrugëve më karakteristike të qytetit, pas Teatrit “Migjeni”.
Sokoli thotë se ndërhyrjet e kryera ndër vite kanë ndryshuar në mënyrë të thellë pamjen e kësaj rruge, duke cenuar, sipas tij, ansamblin urban dhe memorien kolektive të Shkodrës.
Në reagimin e tij, urbanisti ndalet edhe te një ndërtesë e kohës së Italisë, me përdorim miks dhe e pasur me ornamente karakteristike të periudhës. Sipas Sokolit, kjo godinë është drejt degradimit dhe shembjes, ndërsa ndërtesat e reja po ndryshojnë gjithnjë e më shumë karakterin e zonës.
Sokoli e konsideron këtë situatë si një përsëritje të gabimeve të bëra në Tiranë dhe paralajmëron për humbjen graduale të identitetit urban të Shkodrës.
“Po e bani Shkodren nji qytet pa qytet”, shkruan ai, duke shoqëruar reagimin me fotografi të zonës dikur dhe sot.
Reagimi i plotë:
“Trishtim… spo e njof qytetin tem…
Nji ndër rrugët ma karakteristike të qytetit të Shkodrës ishte rruga mbrapa Teatrit Migjeni e cila sot nuk asht ma e tillë fatkeqsisht…
Asht punu dhunshëm në dekada që ansambli urban i kësaj rruget të fshihet e bashkë me te edhe memoria kolektive e ksaj rruget. Në fillim u ndërtu pallati mbi trojet e Xhamisë Begas e me rradhë deri tek ndërtimi që pash sot i cili zevendeson një strukturë 3 katshe që megjithse e varfën arkitektonikisht i rrite shum mirë kontekstit urban.
Ndërtesa njit e kohës së Italisë me përdorim miks e pasun me ornamentet e kohës duket se asht në grahmat e fundit e pret në agoni shembjen, duket sikur pallati i ri po e grryn avash avash.
Asigja skam çka tham veç e patçi faqen e zez, nuk po msoni prej gabimeve të Tiranës e po merrni sifatet ma të kqija të saj. Po e bani Shkodren nji qytet pa qytet 🥺
Fotot dikur vs sot…”
Burimi/Istagram/portaliveriusot


Leave a Reply