Hulumtime mbi mesjetën bullgaro – bizantine,
deri në prag të mbërritjes së normanëve dhe kryqëzatës së I-rë,
në krahinën e Korçës. Vitet, 800 – 1080 pas Kr.
Nga hyrja:
Thuhet se dikur, deri përpara pesëdhjet vjetësh, në mes të qytetit të Korçës kalonte një lumë; se dikur, në kohët e historianit Polib, fusha jonë dhe malet e Moravës, quheshin vëndi i Kalikinëve; thuhet se dikur përpara luftës së dytë botërore, në Korçë ka patur një “Tenis Club”; se dikur i njëjti lumë që sot quhet Devoll, ka patur edhe këto emra, Eordeus, Apsus, Ergentus, apo se, në pjesë të ndryshme lumi quhej ndryshe, në burimet e veta quhej Eordeus, në fushën e Korçës quhej Devoll dhe gjatë përshkimit të maleve të Moglicës e më tej, quhej Apsus; thuhet se dikur gjatë luftës së parë botërore deri afër Kapshticës ka ardhur me kalë, si ushtar francez edhe kryetari komunist Ho Shi Min i Vietnamit; thuhet se dikur, në kohët kur në anët tona, endeshin pa kuptim ushtarë të kryqëzatave, krahina jonë prodhonte mëndafsh të cilin e dërgonte për të shitur ngado në botë, nëpërmjet Vlorës; thuhet se dikur në krahinën tonë përpara se të vinin romakët, jetonte një tribu që quheshin Dassaretë dhe para tyre fisi i Enkelejve të cilët për njëfarë kohe, thotë mithi, patën për prijës Kadmin; thuhet se dikur para njëqind e pesëdhjet vjetësh një lagje e qytetit të Korçës, quhej Manço, një tjetër lagje quhej Kala por kala në qytetin tonë nuk kishte dhe thuhet gjithashtu se asnjeri në Korçë, asnjëherë nuk ka mundur të japë një shpjegim, përse një lagje tjetër akoma, gjithmonë është quajtur “Kulla e Hirit”; thuhet se në kohën e Aleksandrit të madh, fusha e Korçës dhe pllaja e Kolonjës, pranë fshatit Qinam, u përfshinë në luftën e parë dhe të vetme që mund të jetë zhvilluar ndonjëherë mbi dhè, ndërmjet dy mbretëreshave, nga njëra anë u rreshtua ushtria e Adeas që quhej dhe Evridhiqi, e bija e Qinanit dhe e mbretit Amintia dhe nga ana tjetër ushtria e Mirdalit që quhej edhe Olimbiadhë; thuhet se në vitet pesëdhjet në qytetin tonë ka ardhur Hrushovi; thuhet se mesi i qytetit të Korçës, dikur deri aty nga vitet njëmijë e shtatëqind quhej Peshkëpi sepse po aty, shekuj më parë ishte një fshat që quhej kështu; thuhet se feudali i fundit, pinjoll i familjes Muzaka që jetonte në fshatin Zvirinë, ishte i verbër dhe se quhej Andrea “qori”, se kish një vajzë shumë të bukur që quhej Gjyrana dhe thuhet se ishte kjo që lindi Kasëm beun; thuhet se dikur…, thuhet se dikur…, thuhet, …
Kur isha ende i vogël, në shkollë na mësonin historinë dhe ndodhi njëherë, që mësuesin tim shumë të mirë të klasës së pestë, Gaqo Konomin, teksa ky na fliste për kohën e mesjetës në Francë e pyeti një nxënës: po në këtë kohë mësues, ç’bëhej në Korçë?
Heshti, në atë çast mësuesi ynë i dashur dhe ndoshta mendoi se vërtet, pyetjet më të thella, më të vështira, që shpesh është e pamundur tu përgjigjesh, i bëjnë fëmijët.
Vërtet, cila është historia e zonës ku u lindëm?
Kam mendimin se maleve dhe fushave të krahinës sonë, ka aq shumë etèr historie që pezullon mbi to dhe mbi ne me shtëllunga, sa që nuk ka bojë dhe letër që të mjaftojë për t’i shkruar!
Ato ç’ka pasojnë, janë një përpjekje e papërfillshme, për të depërtuar në dëndësinë e asaj mase. (Nga hyrja e librit)
Në këtë monografi flitet në formë të detajuar:
Vendosja e bullgarëve në krahinën e Korçës. Fillimi i viteve ’800.
Deabolis – Qyteti Devoll, qytet mesjetar historik i krahinës së Korçës.
Luftërat ndërmjet bullgarëve dhe bizantinëve në kapërcyellin shek. 10-të – 11-të. Krahina e Korçës si arenë e përgjakshme e ngjarjeve të kobshme të kësaj kohe, etj.
Tre krisobulë ose urdhërat perandorakë të dala rreth vitit 1020 dhe të dhënat në to, për krahinën e Korçës.
Ilia V. Ballauri ©
2010, 2013, 2014, 2015, 2018

Burimi/Facebook


Leave a Reply