Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ngre dyshime të forta për një lidhje mes zjarreve, shfrytëzimit të territorit dhe grupeve kriminale.
Në një reagim të saj, Koçeku ndalet te zona pas fabrikës së çimentos në Krujë, ku ndodhen disa gurore të mëdha dhe ku ditët e fundit janë regjistruar vatra të konsiderueshme zjarri.
Koçeku ngre pyetjen nëse zjarret mund të jenë përdorur në të shkuarën si një mjet për të krijuar hapësira për zhvillime dhe shfrytëzime të reja të territorit, duke përmendur edhe rastin e Pishë-Poros.
Ajo shprehet se në Shqipëri ekzistojnë më shumë interesa ekonomike për shfrytëzimin e territoreve sesa për mbrojtjen e tyre.
Statusi i plotë nga deputetja Koçeku:
Mbas fabrikës së çimentos në Krujë ndodhen 4-5 gurore të mëdha. Këto ditë, ky vend ishte edhe ndër vatrat kryesore të zjarrit, ku 3 prej tyne vazhdojnë me qenë aktive. Jo rastësisht… Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik dhe mjet për me zaptu territore të reja. Zjarr për me incentivu “zhvillime” të mavonshme, lehtësime ligjore e depërtime që, në kushte normale, nuk do mundeshin me u realizu. Siç ndodhi në Pishë-Poro para dy vitesh, ku zjarri zgjati 10-ditë pa ndërhyrje dhe shkrumboi gjithçka.
Ka ma shumë shtysa me djeg e shfrytëzu territor sesa me e mbrojtë atë. Tu përqendru tanë energjitë te ndërtimi pa kriter dhe spekulativ, njerëzit shohin çdo lloj rruge për përfitim ekonomik. Jo rastësisht shumica e guroreve kontrollohen edhe nga grupe mafioze e kriminale.
Nuk ka ende nji linjë të saktë sesi administrohet toka-pyll. Shpesh tu e lanë tokë të askujt, askushi s’e ndjen ma as përgjegjësinë e as përkatësinë, por vetëm dëshirën me zhvat e me përfitu.
Kjo pashmangshmërisht lidhet edhe me reformat territoriale që janë ba në kohë e që tash po synojnë me shkri disa bashki të vogla. Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin, lidhja administrativo-institucionale me njerëzit e vendit. Kjo asht ma shkatërrimtarja.
Tu heq përgjegjësinë e përkatësinë me vendin, marrëdhëniet e komunitetit me territorin kthehen veç në marrëdhanie burokratike në letër. Kthehen në marrëdhanie të thata e të shkretueme.
Burimi/Facebook


Leave a Reply